1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

030811 Kosovo Grenzstreit

5 Gusht 2011

Në kufirin mes Serbisë dhe Kosovës gjendja vazhdon të mbetet ende e tensionuar. Bëhet fjalë për atë se kush e ka kontrollin në veriun e Kosovës.

Mitrovicë - Kosovë
Mitrovicë - KosovëFotografi: DW

Shtëpia e Shëndetit në Prilluzhë, 25 kilometra në jug të Mitrovicës. Një baba ka sjellë fëmijën e tij, i cili po qan. Jelica Gjorgjeviq është drejtuese e stacionit mjekësor. Serbja e vendosur me flokët e shëndritshme të lyera me ngjyrë të kuqe tregon raftet bosh në një dhomë, e cila mban mbishkrimin „Apoteka „ – Barnatore.

„Ne nuk kemi medikamente“, thotë ajo. „Asnjë. Shikoni është krejt bosh.“

Një përjashtim i vetëm: për rastet emergjente kemi edhe disa ampula, thotë mjekja e cila vjen nga rrethina. Megjithatë nuk janë vetëm ilaçet, mungesa e të cilave ka filluar të ndihet që nga fillimi i vitit. Po ashtu edhe karburanti për tre autoambulancat para derës – edhe ai po merr fund.

„Ne kemi këtu pacientë të cilët duhet t'i dërgojmë çdo ditë për dializë në Mitrovicën e Kosovës“, sqaron mjekja. „Jeta e tyre në të vërtetë varet prej nesh. Rezervat e karburanteve në pikat e furnizimit të cilat mund t'i shfrytëzojmë po mbarojnë. Unë jam e brengosur. A do të ketë naftë? A do të arrijmë të sigurojmë këto transporte?“

Konsum vetëm medikamentesh serbe?

Ky vend mund të quhet ndryshe Absurdistan: Qendra e shëndetit duhet të punojë vetëm me ilaçe dhe karburante serbe? Pse nuk bleni thjeshte barna në një nga farmacitë e shqiptarëve të Kosovës? Dhe pse shoferët e autoambulancave nuk pajisen me karburant në një nga pikat e shumta të furnizimit në rrugën që shpie për në Prishtinë? Mjekja serbe sqaron:

„Unë jam punësuar nga qeveria serbe. Pagat tona paguhen prej shtetit serb, të gjitha shërbimet kalojnë përmes Serbisë. Si do të mund të arsyetohem me një faturë të një farmacie shqiptare të Kosovës? Kjo do të thoshte një pirg me dokumente. Burokracia na zë frymën.“

Më shumë se 3000 serbë jetojnë në vendbanimin e pluhurosur, në rrugën që shpie për në Prishtinë. Prilluzha është një ishull serb në një det me shqiptarë të Kosovës. Dhe sherri aktual për kufirin është një grindje rreth asaj se kush e ka pushtetin në këtë pjesë, serbët apo shqiptarët e Kosovës.

Telashe nga policia

Mbi Qendrën Shëndetësore sillet një helikopter i KFOR-it. Normale gjatë këtyre ditëve. Miroslav Stankoviq është një prej shoferëve të autoambulancës. Ai njofton për telashet e përditshme të shkaktuara nga policia e Kosovës.

„Ka probleme me targat. Aktualisht autoambulancat tona ndalohen dhe kontrollohen rregullisht. Sjellja e policisë së Kosovës është e keqe. Çfarë kanë gjetur ata në makinat tona që janë kaq rigorozë? Ne nuk kemi bërë asnjëherë diçka të ndaluar, ata nuk kanë gjetur asnjëherë diçka në autoambulancat tona.“ Për shembull mallra të kontrabanduar, sepse veriu i Kosovës është një parajsë e kontrabandës. Dhe për të gjitha situatat, qendra shëndetësore ka targat e duhura: ato të vjetrat serbe, të rejat të Kosovës apo pa to fare. Kështu veprojnë shumë serbë këtu, për të kursyer veten nga problemet dhe për të dërguar një sinjal kundër shtetit të ri të Kosovës, i cili nuk njihet nga Serbia.

Autoambulanca pa karburant. Një mjeke pa medikamente – tri herë bombat kanë fluturuar në shtëpinë e saj, tregon ajo, njëherë shtëpia i është djegur. Pse nuk i zhduket serbes së re buzëqeshja? Pse qëndron ajo ende këtu?

„Të parët e mi, gjyshërit e mi, babai im – të gjithë kanë qenë nga nga ky vend“, thotë ajo. „Kosova është në zemrën time. Dhe unë dua të ndihmoj popullin tim. Kjo është arsyeja pse unë jam këtu.“

Autor: Stephan Ozswath/ Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi