1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në prag të balotazhit presidencial në Francë - Dueli televiziv Rojal - Sarkozi

Vilma Filaj-Ballvora3 Maj 2007

Të paktën 20 milionë telespektatorë kanë ndjekur debatin mes dy rivalëve për postin e presidentit në Francë, socialistes Segolene Rojal dhe konservatorit Nikola Sarkozi.

Fotografi: AP

Dueli në prag të raundit të balotazhit më 6 maj u transmetua drejpërdrejt në televizion, në radio dhe në internet dhe numri i atyre që e kanë ndjekur mund të jetë shumë më i lartë se 20 milionë të verifikuar. Kjo dëshmon se interesi për këto zgjedhje presidenciale në Francë është shumë më i madh krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.

Segolene Rojal dhe Sarkozi kanë shpalosur vizionet e tyre mbi perspektivën e politikës që do të ndjekin nëse do të jenë presidentë të Francës. Diametralisht të kundërta kanë qenë pikëpamjet e tyre lidhur me politikën e brendëshme, evropiane, tatimet dhe arsimin.

Qysh në fillim të debatit Segolene Rojal e sulmoi rivalin Nikola Sarkozi për bilancin e punës së tij si antar për vite me radhë i qeverisë konservatore. Ajo tha, se do që si presidente e vendit "të arrijë që në Francë të ulet agresiviteti dhe aktetet e dhunës. Ju keni qenë për katër vjet ministër i brendshëm, përse nuk e keni vendosur me kohë ligjin përkatës", tha Rojal duke pasur parasysh planin për aplikimin e dënimeve më të rënda ndaj atyre që i përsërisin aktetet e dhunës.

Sarkozi replikoi: "Unë dua rezultate. Për mua nuk është e rëndësishme të flas dhe të proklamoj të drejta virtuale. Francezëve duhet t´u premtohen të drejta që mund të realizohen."

Rojal dëshiron ta ndryshojë gjendjen në vend: "Unë dëshiroj, që ta nxjerr Francën nga situata ku ndodhet. Së pari nga borxhet. çdo francez ka për frymë mbi 20.000 euro borxh. Ka dy milionë e gjysmë punëtorë të varfër në Francë. Dy milionë e gjysmë francezë jetojnë nën kufirin e varfërisë. Pensioni mesatar për gratë është 850 euro për ato që kanë shlyer vitet e punës për pension të plotë, dhe 622 euro për ato që nuk i kanë plotësuar vitet e punës."

Sa i përket politikës fiskale Rojal propozon një taksë ekologjike, ndërsa rivali i saj është për rrittjen e taksave mbi të ardhurat në maksimumi 50%.

Rojal: "Në çështjen e poliitkës fiskale prioriteti im do të jetë lidhur me uljen e taksave në favor të ekologjisë. Unë dua të zbatoj një reformë të rëndësishme fiskale, që ka të bëjë me gjithçka që nxit hapjen e vendeve të punës në sektorin e ekologjisë."

Ndërsa Sarkozi thekson: "Nëse do të zgjidhem president i republikës, unë do të fiksoj një tatim maksimal prej 50% mbi të ardhurat."

Ndërkohë që konservatori Sarkozi në politikën e arsimit i kushton rëndësi aspketeve morale, socialistja Rojal është që problematika e shkollës të shihet në tërësi.

Sarkozi: "Unë dua një shkollë të respektit, një shkollë të autoritetit dhe një shkollë të rendimenteve, që të përçojë dijen. Jam për një shkollë që nuk ka frikë të japë mësim për njohuritë mbi shtetin, një shkollë që të përçojë një moral të përbashkët."

Ndërsa për Rojal: "Eshtë e rëndësishme, që shkolla t´i përmbahet premtimit të saj për barazi. Sot janë të mundimshme përpjekjet e mësuesve që shoqëria ta pranojë se sa i vështirë është profesioni i tyre. Përveç kësaj shkolla duhet të jetë e detyrueshme qysh në moshën tre vjeçare. Unë dua gjithashtu, që nxënësit të kenë mbështetje të personalizuar dhe individuale, aty ku ata kanë më shumë nevojë."

Qysh nga viti 1974 në Francë rivalët për postin e presidentit i masin forcat në prag të balotzahit përmes debatit televiziv. Dueli sivjet mes Rojalit dhe Sarkozisë është vendimtar për secilin kandidat, pasi sipas sondazheve një në pesë francezë është i pavendosur se kujt do t´ia japë votën të djelën. Përpara debatit rezultati i anketimeve ishte 52% për konservatiorin Sarkozi dhe 48% për socialisten Rojal.