1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Eurovision Song Contest 2014

Mimoza Cika-Kelmendi5 Maj 2014

Danimarka në ethet e e ngjarjes më të madhe artistike europiane: Eurovision Song Contest. Janë 37 vende pjesëmarrëse në garën tradicionale prej gati 60 vjetësh, në mesin e të cilëve edhe Shqipëria.

Nga provat e fundit në sallën e Festivalit në KopenhagëFotografi: Thomas Hanses/EBU

Festivali 59 Europian i Këngës (Grand Prix Eurovision), do të zhvillohet këtë vit nga 6 deri më 10 maj në kryeqytetin danez, Kopenhagë. Sipas traditës, fituesi i Festivalit të kaluar, artistët danezë Lise Cabble, Julia Fabrin Jakobsen dhe Thomas Stengaard që zunë vendin e parë me këngën e tyre „Only Teardrops“ në Malmo të Suedisë më 18 maj 2013, bën të mundur edhe zhvillimin e këtij aktiviteti kaq të madh në Danimarkë. Danezët kanë pasur fatin që këtë Festival ta organizojnë edhe dy herë të tjera në të kaluarën: 1964, 2001. Motoja zyrtare e kësaj ngjarje të madhe artistike është:JoinUs! Logoja do të jetë blu me diamantë që shkëlqejnë. Festivali do të prezantohet nga danezët : Lise Rönne, muzikanti Nikolaj Koppel dhe aktori Pilou Asbek. Për herë të parë në historinë e festivalit, treshja e prezantuesve do të përbëhet nga dy meshkuj dhe një femër.

Pas disa shtyrjesh të shpeshta, më 9 janar 2014 ishin 36 vende që premtuan pjesëmarrjen e tyre në këtë Festival. Meqë për Slloveninë ka një rregull të veçantë, më 17 janar përfundimisht u përcaktuan 37 vendet garuese të këtij aktiviteti kulturor europian. Bien në sy tek pjesëmarrësit, Portugalia dhe Polonia që vijnë këtë rradhë në skenë pas një ndërprerje prej një apo dy vjetësh. Ndërsa Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Serbia dhe Qiproja e anulluan pjesëmarrjen e tyre për shkaqe financiare.

Pikërisht këtu do të zhvillohet Eurovision Song Contest 2014Fotografi: EBU

Këngëtarja nga San Marino, Valentina Monetta, do të përfaqësojë vendin e saj për tre vjet radhazi . Ashtu sikurse vitin e kaluar, pesë vendet Big: Gjermania, Franca, Italia, Spanja dhe Britania e Madhe së bashku me nikoqirin e këtij Festivali kualifikohen automatikisht për në finale më 10 maj. Ndërkohë që vendet e tjera duhet të kualifikohen nga gjysëmfinalet e zhvilluara më parë. Gjermaninë e përfaqson këtë vit grupi muzikor Elaiza.

Në këtë ngjarje të madhe kulturore është e pranishme edhe Shqipëria, e cila merr pjesë rregullisht në Festivalin Evropian të Këngës prej vitit 2004 në Stamboll të Turqisë. Shqipëria atëherë u prezantua me këngëtaren Anjeza Shahini dhe këngën "Imazhi Yt" që u prezantua në anglisht "Image Of You" ku zuri vendin e 4-të në gjysmëmfinale dhe vendin e 7-të në finale me 106 pikë. Ky pozicion është i vetmi deri tani pas gjithë këtyre viteve përfaqsimi të Shqipërisë në këtë aktivitet. Këtë vit është këngëtarja Hersiana Matmuja që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2014. Kënga e interpretuar prej saj, “Zemërimi i një nate”, me vargje të Jorgo Papingjit dhe muzikë e orkestrim të Genti Lakos, u përzgjodh si më e mirë mes 16 krijimeve të reja që u prezantuan në tre netët e edicionit të 52-të të Festivalit në Radio Televizionin Publik Shqiptar.