Në Prishtinë, po mbahet një konferencë me temën "Kosova dhe bota arabe"
25 Gusht 2008Udhëheqësit politik kosovar, shprehen të bindur se shumë vende nga bota arabe, shpejtë do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Ata thanë se institucionet e Kosovës po punojnë që në botën arabe të hiqen paragjykimet se çështja e Kosovës mund të merret si precedent edhe për konflikte të tjera në botë. Këto komente, udhëheqësit politik kosovarë, i bënë në konferencën ndërkombëtare "Kosova dhe bota arabe", e organizuar nga instituti "forumi 2015". Presidenti Fatmir Sejdiu, tha se institucionet kosovare garantojnë se shteti i Kosovës do të jetë një vend me vlera demokratike me liri të plotë për të gjithë qytetarët pa dallim etnie, feje apo, race.
"Kosova edhe më herët, por edhe tani jep dëshmi se do të jetë faktor stabiliteti dhe zhvillon marrëdhënie të mira me të gjitha vendet, me të gjithë fqinjët, përfshirë edhe shtetin e Serbisë, ani pse kjo e fundit ende ka një retorikë të ashpër ndaj shtetit më të ri në botë", tha presidenti Sejdiu.
Intelektualët arabë pjesëmarrës në konferencë , thanë se vendet arabe hezitojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës, sepse kanë frikë se mos rasti i Kosovës mund të përdoret si precedent për konflikte të reja. Ata thanë, se një faktor tjetër është se shumë shtete arabe kanë raporte të mira me Serbinë dhe disa edhe me Rusinë, ndërsa, disa shtete tjera kanë problem me pakicat e tyre dhe i frikësohen ndarjes së vendit. Sipas tyre, ne vendet arabe ka edhe mungesë informacioni mbi zhvillimet në Kosovë. Në këtë pikë, në diskutime u ndërlidh edhe publicisti kosovar, Veton Surroi, i cili tha se Kosova realisht nuk ka politikë të jashtme dhe kjo është arsyeja pse bota arabe ka hezitime për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Kritika në adresë të qeverisë së Kosovës për mungësë lobimi në vendet arabe, ka kohë që bën edhe opozita kosovare. Sidoqoftë, autoritetet e Prishtinës, janë ftuar që të marrin pjesë në Asamblenë e përgjithshme të OKB-së, e cila mbahet në shtator. Sipas presidentit Fatmir Sejdiu dhe ministrit të jashtëm, Skënder Hyseni, që pritet të marrin pjesë në këtë sesion, kjo do të jetë një mundësi e mirë lobimi nga takimet që do të kenë me përfaqësuesit e vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës në këtë mes edhe me përfaqësues të botës arabe.