1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në pritje të hapjes së bisedimeve 120 ditëshe Prishtinë-Beograd

Bekim Shehu 1 Gusht 2007

Udhëheqësit politik kosovarë ende nuk e dinë se për çfarë do të bisedojnë në negociatat e reja Prishtinë-Beograd, por ata dinë se për çfarë nuk do të pranojnë të bisedojnë: Për ta pavarësia është e panegociueshme.

Delegacionet e Serbisë dhe të Kosovës në raundet e bisedimeve në VjenëFotografi: AP

Udhëheqësit politik kosovarë, akoma janë të paqartë mbi agjendën e bisedimeve që do të zhvillojnë me autoritetet Beogradit për çështjen e statusit të Kosovës me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar. Njëri nga anëtarët e delegacionit të Kosovës për bisedimet, Veton Surroi, ka ndërmarrë një nismë duke udhëtuar nëpër rajone të ndryshme të vendit për të dëgjuar pikpamjet e qytetarëve. Ai do që opinionet e qytetarëve t’i paraqesë në takimet e grupit negociator të Kosovës para fillimit të bisedimeve Prishtinë-Beograd.

Surroi: “Nëse ndodhin negociatat do të jetë rast ideal për t’iu përcjellë negociatorëve se çfarë mendojnë qytetarët Kosovës prej atyre vendeve ku do të jemi dhe poashtu t’iu përcjellim qyetetarëve atë çka na thonë negociatorët.”

Udhëheqësit politik kosovarë besojnë, se negociatat e reja për çështjen e statusit do të fillojnë shumë shpejtë dhe janë të bindur se procesi i bisedimeve 120 ditëshe është një proces që e çon Kosovën drejt zgjidhjes së statusit final. Lutfi Haziri, zëvëndëskryeminitër i Kosovës: “Gushti është muaj ideal. Deri në mesin e gushtit, besoj se gjithçka do të jetë në fillimin e mbarë të këtij procesi. Besoj se brenda pak ditësh do ta kemi lajmërimin e Sekretarit të Përgjithshëm.”

Një tjetër anëtar i grupit politik strategjik, mekanizëm ky që funksionon në kuadër të grupit negociator të Kosovës, Ylber Hysa, thotë se, agjenda e bisedimeve Prishtinë-Beograd, ka mbetur e paqartë dhe sipas tij kjo nuk është sqaruar as në takimin e fundit të Grupit të Kontaktit.

Sidoqoftë, udhëheqësit politik kosovar pak para rifillimit të negociatave Prishtinë-Beograd për cështjen e statusit të Kosovës, janë të prerë në qëndrimet e tyre. Ata thonë se nuk do të negociojnë kurrë pavarësinë e Kosovës. Për ta integriteti territorial i Kosovës do të mbetet i paprekur dhe se pakoja e Marti Ahtisaarit do të mbetet ashtu siç është tani.