Në pritje të investuesve - Greqia dhe kriza
8 Mars 2012Për të reduktuar borxhet shtetërore të cilat po i marrin frymën Greqisë, grekët duhet të kursejnë shumë. Për të rritur nga ana tjetër të ardhurat, duhet të shiten pasuri shtetërore. Për këtë qeveria e kryeministrit Papademos ka hartuar një program të gjerë privatizimi, i cili duhet t'i sjellë buxhetit para në shuma miliardëshe: 50 miliardë euro donte të mblidhte Athina nga shitja e pasurisë shtetërore.
Por pastaj llogaritë u bënë më me kujdes dhe u konstatua se deri në vitin 2015 mund të mblidhen e shumta 15 miliardë euro. Këtë vit priten vetëm tre miliardë euro. Këto shifra thotë për DW drejtori i autoritetit të privatizimit janë realiste dhe të njohura edhe për ato organizata të cilat duan të ndihmojnë qeverinë greke të shmange falimentimin.
Një autoritet i veçantë
Për të zbatuar programin e madh të privatizimit qeveria greke ka ngritur një autoritet të posaçëm, i cili funksionon si shoqëri aksionere. Ajo do të drejtohet nga Jannis Kukiadis, një ish profesor i së drejtës.
"Objektivi ynë në 2012 është të mbledhim rreth 3 miliardë euro", thotë Kukiadis në intervistë me DW. "Për të ardhurat e pritshme nga privatizimet Troika është e informuar. Por kjo varet edhe nga investuesit potencialë. Deri në 2015 presim gjithsej 15 miliardë. Plani i privatizimit është i ndarë në tre sektorë: 50% përfshin imobilje, 30% indfrastrukturë si për shembull furnizuesit e energjisë, përdorimin e aeroporteve dhe porteve dhe pjesa tjetër prej 20% janë ndërmarrjet shtetërore."
Aktualisht vijnë kritika nga të gjitha anët për shkak të vonesave të shumta në procesin e privatizimit. Jannis Kukiadies i hedh poshtë komentet, sipas të cilave qeveria greke nuk pranon të shesë asgjë:
"Gjatë dy muajve të fundit tregu ishte praktikisht i vdekur. Arsyeja ishte çështja deri vonë e hapur e pjesëmarrjes private, pra bankave, investuesve dhe fondeve hedge në reduktimin e borxhit grek. Qëkurse është marrë vendimi i eurogrupit për një reduktim prej rreth 70%, jam optimist se tregu do të rimëkëmbet gjatë muajit mars. Investuesit kanë mbajtur qëllimisht qendrim të rezervuar sepse pasiguria ishte e madhe. Ky problem tashmë është eliminuar dhe ne tani presim një interesim të gjallë të investuesve."
Nga lloteria deri tek porti - një ofertë e gjerë
Shefi i autoritetit të privatizimit është i bindur se autoriteti i tij do të livrojë pikërisht atë që shteti për vite me radhë nuk arriti ose nuk donte të arrinte. Por ai tërheq vëmendjen edhe ndaj qendresës së mundshme nga sindikatat greke e madje edhe nga vetë politika:
"Sa kohë privatizimet ishin në duart publike, burokracia praktikisht nuk ka lejuar që të lëvizte diçka. Autoriteti i ri i privatizimit është themeluar tetë muaj më parë, në korrik 2011. Që atëherë procesi i privatizimit është përshpejtuar në masë të madhe. Në aspektin teknik është bërë shumë. Tani e ka radhën tregu. Ne natyrisht shpresojmë që të mos kemi qëndresë sociale apo politike kundër privatizimeve."
Lista e shitjes së qeverisë greke është e gjatë pasi shteti ka në pronësi më shumë nga ç'është e zakonshme në vendet e tjera të BE-së. Një gazetar ekonomik në Greqi e përshkruan vendin e tij për këtë arsye si "shtetin e fundit socialist në Evropë", pasi shumë ndërmarrje janë ende në pronësi publike. Se çfarë do të ofrohet konkretisht për shitje e shpjegon Jannis Kukiadis:
"Në shitje janë furnizuesit publikë të gazit, llotaria shtetërore, pista e hipizmit në Athinë, territori i ish aeroportit të Athinës dhe kompleksi hotelier Asteras në periferinë Vouliagmeni. Në një fazë të dytë do të ofrohen rafineritë greke të naftës dhe natyrisht përdorimi i infrastrukturës si për shembull aeorporteve dhe porteve të mëdhenj të Pireut dhe Selanikut. Në kemi përpunuar një plan të përgjithshëm për shfrytëzimin e porteve detare dhe ajrore nga i cili shpresojmë impulse të rëndësishme për rritjen e ekonomisë greke".
Autorë: Stephanos Georgakopoulos/Miltos Arsenopoulos/E. Xhani
Redaktoi: Aida Cama