Në shërbim të biznesit - stenda shqiptare në ITB 2010
13 Mars 2010Sadik Malaj, presidenti i agjencisë turistike Sondor dhe njëkohësisht kryetar i organizatës së Operatorëve Turistikë të Shqipërisë, është i kënaqur: në stendën shqiptare të këtij viti ai mund të bisedojë lirshëm me vizitorët, madje mund të ulet në tavolinë dhe t'u ofrojë ndonjë gotë verë apo raki arre, ndryshe nga dy vitet e mëparshme.
“Përpjekja e mëparshme për të prurë një traditë në mënyrën e kompozimit të stendës na detyroi të futeshim në një gardh, ku na ngjeshi njëri pas tjetrit, pa marrë parasysh që ne jemi organizata biznesi dhe jo biletari”, thotë Malaj.
Stenda e këtij viti ka hapësirë të bollshme dhe është e thjeshtë. Kjo është bërë me kërkesë të biznesmenëve: jo makete me kodra, fusha dhe liqene që imitojnë Shqipërinë në miniaturë, por karrige dhe tavolina, për të pritur vizitorët. Ndryshe nga vitet e mëparshme, ku agjencitë paguanin nga 1500 euro ose stërlina për atë hapësirë prej 20x70 centimetra që u kishte vënë në dispozicion ish-ministri Pango, këtë vit shpenzimet e stendës i ka hequr ministria.
Nga stenda e ish-ministrit Pango, ka mbetur vetëm motoja: “Një dashuri e re mesdhetare” e së bashku me të edhe disa afishe. Njëra prej tyre irriton gjithsesi, sepse bën reklamë për turizëm skiator. “Që në Shqipëri ka borë, kjo dihet, por për të arritur deri aty mungon infrastruktura”, thotë Malaj.
Klodian Pajuni, drejtori i ri i departamentit të turizmit dhe trashëgimisë kulturore, është i vetëdijshëm për mundësitë e kufizuara të Shqipërisë për të ofruar turizëm të shtrenjtë: “Ne nuk mund të konkurrojmë dot me hotele me pesë yje, të cilat realisht bota i ka bërë përpara nesh dhe i ka me të vërtetë shumë të bukura, por ne do të konkurrojmë me atë ç'ka kemi: kjo është një trashëgimi shumë e bukur kulturore, të cilën do ta vëmë në varësi të turizmit”, thotë ai për Deutsche Welle-n duke pasur parasysh prezantimin e viteve të ardhshme.
Pak nga kjo trashëgimi kulturore shihet edhe në stendën aktuale: disa afishe nga Butrinti, Apollonia, Berati e Gjirokastra, dhe dy valltarë të shkollës së baletit që improvizojnë herë pas here ndonjë valle shqiptare.
Autore: Anila Shuka
Redaktoi: Eliana Xhani