1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Shqipëri autoritetet po shikojnë mundësinë e gjallërimit të aktivitetit të Bursës së Tiranës

11 Prill 2010

Rreth 14 vite pas krijimit të saj, ky institucion ka mbetur në një aktivitet minimal për disa arsye. Një pjesë e ekspertëve shikojnë si perspektivë më realiste për gjallërimin e bursës funksionimin e saj në rang rajonal.

Banka kombëtare e ShqipërisëFotografi: Mimoza Dhima

Ekspertët e lidhin këtë me tregun e vogël të kapitaleve që ekziston në vend, por dhe me elementë të tjerë frenues, siç janë niveli i lartë i evazionit fiscal, edukimi i pamjaftueshëm i popullatës me vënien në efiçencë të kursimeve me shitje e blerje aksionesh etj. Një pjesë e ekspertëve shikojnë gjithashtu si perspektivë më realiste për gjallërimin e bursës në variantin e funksionimit të saj në rang rajonal.


Bursa e Tiranës është e para dhe e vetmja bursë në Shqipëri. Ajo është krijuar me ligj të veçantë të parlamentit në vitin 1996. Që nga kjo kohë e deri më sot ka patur disa modifikime dhe ristrukturime të mënyrës së funksionimit të këtij institucioni në ekonominë shqiptare. Bursa ka nisur si strukturë e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, por pas vitit 2002 ajo është strukturuar si shoqëri aksionere dhe aktualisht është e licensuar nga Autoriteti i Mbikqyrjes Finaciare me një afat të pacaktuar.

Bursa e Tiranës ka mbetur në një aktivitet modest

Pavarësisht një aktiviteti afër 14 vjeçar, pavarësisht riorganizmit të saj, Bursa e Tiranës ka mbetur në një aktivitet tejet modest në fushën e titujve, që ajo tregton, si aksionet, bonot e thesarit, obligacionet qeveritare dhe ato të shoqërive private.

Zëvendësdekani i fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës, prof. Sulo Hadëri, e shikon mjaft të rëndësishëm rolin e bursës për zhvillimin ekonomik të një vendi. Ai thotë për DW se bursa ka lindur dhe është zhvilluar bashkë me sistemin e ekonomisë së tregut.

Profesor Sulo Haderi, zëvendësdekani i fakultetit EkonomikFotografi: DW

“Nga njëra anë kemi disa njerëz, që kanë para dhe duan t'i japin hua ato. Nga ana tjetër kemi disa të tjerë, që kanë nevojë për para, sepse në rradhë të parë duan të investojnë. Dhe në këtë mënyrë bursa si një treg krej i veçantë dhe specifik krijon mundësinë, që paratë e tepërta të papërdorura të vihen në shërbim të ekonomisë, të vihen në shërbim të biznesit. Për të rritur kapitalet, për të cilat ato kanë nevojë. Nga ana tjetër zotëruesit e parave kanë mundësi të bëjnë një investim fitimprurës dhe me risk të vogël”.

Hadëri: ekzistenca e kushteve kryesore për një bursë funksionale

Për prof. Hadërin në Shqipëri qëndrimi ndaj ekzistencës dhe rolit të bursës shikohet në pikëpamje të ndryshme. Ku disa janë përkrahës të saj, duke e parë me optimizëm deri në ekzagjërim domosdoshmërinë e bursës. Ndërkohë që të tjerë, sipas prof. Sulo Hadërit, janë në një pozicion të ndryshëm. Kryesorja sipas tij, për të patur një bursë funksionale, është ekzistenca e kushteve.

“Që bizneset të jenë të ndërgjegjshme se do të ndjekin procedura strikte dhe transparente, në rast se listohen në bursë. Që të mos punojnë me dy bilance në aktivitetin e tyre. Është fakt se në Shqipëri nuk ka eksperiencë të angazhimeve në biznes me partnerë ose ortakë, ndaj dhe shoqëritë aksionere nuk janë shumë funksionale. Kjo lidhet dhe me nivelin e edukimit të publikut për t'i përdorur me efektivitet kursimet në mënyra investimi duke blerë e shitur aksione të ndryshme”.

Gjergj Buxhuku, Drejtori ekzekutiv i Konfindustrisë ShqiptareFotografi: DW / Arben Muka

Drejtori ekzekutiv i Konfindustrisë Shqiptare, Gjergj Buxhuku, shikon disa faktorë kryesorë, të cilët janë frenues sipas tij për funksionimin realisht të Bursës së Tiranës.

“Shqipëria ka një nivel të lartë të evazionit fiskal. Numri i korporatave private, që janë në vend, është ende i kufizuar. Kjo dhe për vëtë arsyen e tregut të vogël, që ne kemi. Vetë numri kompanive publike, ose shoqëritë aksionere, në sektorët strategjikë, që mund të listoheshin në bursë është zvogëluar mjaft. Dhe së fundi, institucionet monitoruese të tregut në Shqipëri, institucionet fiskale, që kontrollojnë bilancet e këtyre kompanive, ende nuk e kanë atë besueshmëri të nevojshme e të domosdoshme të bursës”.

Buxhuku: transparenca faktori për evitimin e operacioneve spekuluese në treg.

Duke qënë se në të shkuarën në Shqipëri ka patur shumë të tilla, psh skemat piramidale të vitit 1997, atëhere ky është një element psikologjik për qytetarët e investitorët.

Hadëri: e ardhmja do të shkojë drejt një burse rajonale

Prof. Sulo Hadëri zëvendësdekan i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës shikon një perspektivë tjetër të vënies në funksion të bursës.

“Tregu shqiptar dhe madhësia e ekonomisë shqiptare nuk mund të suportojë një bursë. Do të ishte më efiçente dhe e ardhmja do të shkojë në mënyrë natyrale drejt një burse rajonale, që nënkupton le të themi në Ballkanin Përendimor. Pra një bursë, që të mbulojë disa shtete dhe që të jetë më funksionale. Kjo për pjesën e bizneseve ,që financohen nëpërmjet bursës”.

Këtë proces Prof. Hadëri e gjykon si më realistin nisur dhe nga përvojat e vendeve të tjera të rajonit. Sipas tij, Serbia apo Maqedonia psh. e kanë ngritur bursën. “Pavarësisht se ato e kanë më mirë se në Shqipëri, sërish nuk e kanë ende në atë nivel, që do të dëshironin”, thotë ai për DW.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Angjelina Verbica