1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Shqipëri duhet fuqizuar sektori privat

10 Janar 2012

Efektet e krizës ekonomike në eurozonë do të sjellin këtë vit në Shqipëri një rritje ekonomike më të ulët se viti që sapo kaloi, 2011. Për të zbutur këto efekte duhen krijuar kushtet për fuqizimin e sektorit privat.

Pritet ulje e rritjes konomike
Pritet ulje e rritjes konomikeFotografi: DW / Arben Muka

Efektet negative në ekonominë e Shqipërisë nga kriza ekonomike në eurozonë dhe sidomos në vendet fqinjë, Greqi dhe Itali, tanimë janë të dukshme. Eksperti i pavarur i ekonomisë, Drejtor i Institutit të Studimeve Ekonomike, Prof. Zef Preçi, thotë për programin shqip të DW se kryesorët ndër këto efekte janë: borxhi i lartë publik i qeverisë, ulja e prodhimit dhe shkurtimi i vendeve të punës. “Qeveria nuk ka më mundësi të rrisë borxhin publik pasi ai ka arritur shifra të larta, ndërkohë që ka një ngurtësim relativ, një lloj tkurrjeje, frenimi të kërkesës së brendshme agregate. Kjo do të thotë që bizneset kanë vështirësi të mbajnë në punë punëtorët dhe të shesin produktet e tyre. Kjo situatë çon në vështirësi të autoriteteve fiskale për te grumbulluar të ardhurat buxhetore. Është një situatë me një rritje ekonomike të ngadalësuar që mendoj se gjatë vitit 2012 do të sjellë një rritje më të vogël ekonomike sesa ajo gjatë vitit të kaluar, 2011,” thotë z. Zef Preçi.

Pikerisht rritja e borxhit publik detyroi qeverinë e Tiranës të emëtojë, në ditët e para të këtij viti, bono thesari me një vlerë prej 15 milion dollarësh, shumë që pritet të sigurohet përsëri nga publiku. Kjo masë shihet me sy kritik nga eksperti Zef Preçi, pasi sipas tij, do të rrisë edhe më tej borxhin publik në raport me aftësitë e pakta paguese që ka ekonomia.

Ministria e ekonomisë, TiranëFotografi: DW

Vazhdon ulja e mëtejshme e prurjeve monetare të emigrantëve

Por ka edhe një pasojë tjetër që ndikon në ngadalësimin e rritje sekonomike të Shqipërisë gjatë vitit 2012. “ Pakësim i mëtejshëm i prurjeve monetare të emigracioni mbetet kanali kryesor i transmetimit të krizës greke dhe italiane në ekonominë e Shqpërisë,” thekson z.Preçi.

Dërgesat e emigrantëve kanë qënë ne 20 vitet e fundit nje lloj karburanti për ecurinë e ekonomisë shqiptare. Ndërkohë thellimi i krizës në Greqi rrezikon humbjen e vendeve të punës nga emigrantët shqiptarë, që në kushtet e pamundësisë për të siguruar jetesën mund të rikthehen në atdhe. Një pjesë për të investuar me paratë e grumbulluara por të tjerë edhe për të kërkuar punë, në kushtet kur vendet e punës në Shqipëri po shkurtohen. Kjo do të sillte rritje të papunësisë dhe thellim të krizës në Shqipëri, shprehet eksperti në fushën e ekonomisë, Zef Preçi.

Çfarë do të ndodhte me ekonominë e Shqipërisë nëse Greqia do të dilte nga zona e euros?

Ndërkohë bashkë me paketat e ndihmës që BE po planifikon t'i japë Greqisë për të shmangur falimentimin e saj, po forcohen zërat e ekspertëve europianë për një mundësi të daljes së saj nga zona e euros për shkak të pamundësisë per të përmbushur angazhimet financiare në këmbim të paketave të ndihmës. “BE për të mbrojtur interesat e tij globale më shumë se ato të ekonomisë greke, mund edhe ta nxjerrë Greqinë jashtë zonës së euros, që do të thotë të kalosh nga një terapi graduale shërimi dhe shëndoshje të ekonomisë, që kërkon 3, 5 apo 10 vjet, në një terapi shoku. Nëse kjo mund të ndodhë atëherë do të ketë efekte të rënda edhe në ekonominë e Shqipërisë. Është fjala për një përkeqësim të menjëhershëm apo gradual të statusit të emigrantëve shqiptarë në Greqi që transferohet në ekonomine shqiptare. Një përkeqësim gradual, si po ndodh tani, jep mundësi për të marrë masa reaguese dhe zbutur pasojat.”thotë Zef Preçi.

Zef PreçiFotografi: DW / Arben Muka

Si mund të menaxhohen në Shqipëri efektet e krizës në eurozonë?

Në krye të këtyre masave qëndron përmirësimi i klimës së biznesit. “Do të ishte e vlefshme e që qeveria të rishikojë kuadrin rregullator për të zvogëluar arbitraritetin e administratës fiskale në marrdhëniet e saj me biznesin,” vë në dukje Zef Preçi .

Ekonomia e Shqipërisë zotërohet në ¾ e saj nga sektori privat. Kjo e bën atë të jetë mjaft e ndjeshme ndaj qëndrimit të administratës fiskale për të vjelë me çdo kusht taksat. Gjobat që kjo administratë vendos mund të mbushin buxhetin e shtetit por nga ana tjetër nxisin evazionin fiscal dhe nuk lejojne rimëkëmbjen e biznesit. Këtë rimëkëmje do ta shpejtonte edhe ulja nga Banka e Shqipërisë e përqindjes së interesit në dhënien e kredive për zgjerimin dhe fuqizimin e bizneseve, që si në një reaksion zinxhir do të sillte edhe rritjen e të ardhuarve në buxhetin e shtetit përmes pagesës së tatim- taksave.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Aida Cama