1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Në Shqipëri nevojitet një konsensus bazë"

Anila Shuka1 Tetor 2007

Intervistë ekskluzive me ministrin e shtetit për çështje të jashtme, Gernot Erler, me rastin e 20 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.

Gernot Erler, ministër shteti për çështje të jashtmeFotografi: PA/dpa

Ministri i shtetit për çështje të jashtme, Gernot Erler, do të hapë të martën në Tiranë festimet me rastin e 20 vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri-Gjermani. Politikani Socialdemokrat e ka ndjekur zhvillimin e Shqipërisë gjatë këtyre viteve jo vetëm si politikan por edhe si ekspert për Evropën Lindore.

DW: Zoti Erler: Më 2 tetor 1987 filluan marrëdhëniet diplomatike mes Republikës Federale Gjermane dhe asaj Popullore Socialiste të Shqipërisë. Ju atëherë sapo kishit hyrë në Bundestag. Çfarë dinit ju për Shqipërinë në atë kohë?

Erler: Më kujtohet që kisha mësuar në shkollë që ekzistonte një Shqipëri e pavarur, por si për mua, si specialist i Evropës Lindore, ajo më parë kishte qenë perandoria e Enver Hoxhës dhe unë kisha një mik, që ishte marrë me Shqipërinë dhe me gjuhën shqipe dhe që ishte shumë krenar që i kishte të gjitha librat e botuara në shqip. Kishte shumë pak sepcialistë për Shqipërinë asokohe dhe ata ishin shumë të rëndësishëm për ne.

DW: Si e pritët ju lajmin e fillimit të marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë?

Erler: Atëherë ishte koha e ndryshimeve në hartën evropiane. Ishte faza e kthesave, dhe në këtë prizëm e pamë edhe këtë hapje, pa pretendime të mëdha.

DW: Disa vjet më vonë ju shkuat vetë në Shqipëri. Ç'përshtypje ju la ky vend?

Erler: Në vitin 1991 më dërgoi parlamenti gjerman si vëzhgues i zgjedhjeve. Ishte si të ktheheshe një shekull prapa: Nëpër rrugë se ç'ishin ca si karro që tërhiqeshin prej kafshëve. Ishte shumë e rrezikshme të udhëtoje me makinë. Duhej të ecje shumë me ngadalë, sepse shumica e karrocave nuk kishin ndriçim dhe shumë shofera u jepnin makinave shumë rrezikshëm. Në disa fshatra kisha përshtypjen se njerëzit shikonin të huaj për herë të parë dhe na shikonin si qenie të huaja. Natën pastaj u dëgjuan të shtëna. Të nesërmen na thanë që nuk ishte lënduar askush. Por gjithsesi, nuk ishte normale për një ditë zgjedhjesh. Dhe kjo më ka mbetur në kujtesë. Kur mendon që kanë kaluar gjithsej vetëm 15 ose 16 vjet, atëherë mund të thuhet se është bërë një rrugë e gjatë.

DW: Një vit më vonë ju do të shkonit sërish në Shqipëri, për të vëzhguar zgjedhjet e parakohshme...

Erler: As këtë nuk do ta harroj. Isha një vit më vonë, kur fitoi Berisha dhe isha direkt pranë tij, në festën e fitores. Më kujtohet atmosfera e tensionuar e asaj mbrëmjeje dhe entuziazmi i madh që i kishte kapur shokët e tij. Ndoshta ai nuk e mban mend, por unë mund të them se kam qenë i pranishëm në njërin nga momentet më të rëndësishëm të kryeministrit të sotëm.

DW: Pesë vjet më vonë ju do të kërkonit në Bundestag që të ndërhynte për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza...

Erler: Një përshtypje që e kam patur që atëherë është se gara politike në Shqipëri vazhdon të bëhet me sllogane si në kohë lufte. Ekziston një armiqësi e madhe ndaj konkurrentëve politikë, të cilët shikohen si kundërshtarë e quhen të dëmshëm për zhvillimin e vendit. Më habiti edhe më vonë fakti, që prej këtyre fenomeneve nuk ishte çliruar as një njeri me kulturë të madhe personale e përvojë, siç është Sali Berisha, pra një kozmopolit. Unë e kam takuar më vonë në një situatë tjetër, kur ai ishte në opozitë, dhe ku në një bisedë të gjatë më foli vetëm për manipulime zgjedhjesh e për mashtrimet dhe poshtërsitë e atyre që kishin fituar. Kam përshtypjen se deri më sot në arenën ndërkombëtare ka mbetur kjo shije, prandaj kërkohet vazhdimisht që të arrihet një konsensus bazë. Pra, kur dikush fiton zgjedhjet, ai duhet të njihet si fitues. E jo si në zgjedhjet më të fundit presidenciale, ku opozita rrefuzoi të shkonte në votim. Këto janë fenomene shqetësuese. Ndoshta kjo ka të bëjë me natyrën e shqiptarëve, por tashmë është kthyer në një sfidë politike.

DW: Ekzistojnë edhe klishe të tjera për Shqipërinë: gjakmarrja, kontarabanda, krimi i organizuar...

Erler: Këto klishe kanë qenë për një kohë të gjatë. Sot mund të thuhet se Shqipëria është bërë një vend normal në procesin e transformimit të Evropës së Jugut. Shqipëria po bën përpjekje të antarësohet në BE, ka mbyllur marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe ndryshimet e qeverive kanë filluar të jenë më të qeta. Pra Shqipëria nuk është më në qendër të vëmendjes për ngjarje negative, siç ishte në kohën e piramidave. Ajo është një partner shumë i rëndësishëm edhe në zgjidhjen e qendrueshme të statusit të Kosovës. Nga ana tjetër, Shqipëria është një vend në transformim që nuk bie në sy. Prandaj edhe 20 vjetori i marrëdhënieve Gjermani-Shqipëri është një rast i mirë për ta kthyer Shqipërinë sërish në qendër të vëmendjes, qoftë edhe për disa orë.