1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Shqipëri nuk ka bllokim kredish

27 Mars 2009

Në mjaft vende të Evropës Lindore dhe Qëndrore kriza financiare ka shkaktuar ngadalësim të procesit të kreditimit të biznesit. Nga njëra anë bankat janë më dorështrënguara në dhënien e kredive të reja.

Banka kombëtare shqiptare
Banka kombëtare shqiptareFotografi: DW/Aida Cama

Nga ana tjetër mungesa e likuditetit në sektorin bankar ua vështirëson vetë bankave dhënien e kredive. Bankat dhe bizneset në Shqipëri shprehen se situata në tregun bankar shqiptar megjithë një ulje të lehtë të volumit të kredisë së re vazhdon të jetë normale. ◄

Ulja e kreditimit nga bankat e nivelit të dytë shton rrezikun e ashpërsimit të krizës në ekonominë reale. Fenomeni ka filluar të ndjehet edhe në Shqipëri, ku volumi i kredisë së re ka shënuar një rënie të lehtë. Elvin Meka, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave shpjegon se: "Pa dyshim që Shqipëria, si pjesë e ekonomisë evropiane, përjeton një ngadalësim të rritjes së ritmit të kredive dhe shtrëngim të procedurave të kredidhënies. Kjo do të thotë, që periudha e përpunimit të procesit të kredidhënies për çdo klient bëhet në afate më të gjata kohore."

Tabelë e kursit të këmbimitFotografi: DW / Aida Cama

Në vendet perëndimore, qeveritë u kane bërë thirrje bankave të mos e ngadalësojnë procesin e kreditimit për bizneset. Paketat e shpëtimit për sektorin financiar, të miratuara nga qeveritë e këtyre vendeve përmbajnë edhe garanci për bankat, në mënyrë që ato të rifillojnë procesin e huadhënies mes tyre. Por bankat që operojnë në Shqipëri, deri tani nuk e shohin të nevojshme të kërkojnë masa të ngjashme nga qeveria shqiptare. "Deri më sot sektori bankar në Shqipëri i ka menaxhuar mirë të gjitha problemet që lidhen me likiuditetin në treg. Madje mund të themi, se nuk kemi patur probleme me likuiditetin, nisur edhe nga baza e gjerë e depozituesve. Edhe funksionimi i tregut ndërbankar në Shqipëri, deri tani nuk ka shënuar probleme," shpjegon Meka.


Përfaqësues të bizneseve thonë, se përballë krizës aktuale globale dhe rënies së ritmeve të zhvillimit të ekonomisë në Shqipëri, ishte i pritshëm një reduktim i tillë i volumit të kredisë. Sipas tyre, nëse ky reduktim shoqërohet me procedura të shëndosha kredidhënieje, efektet do të jenë madje rregulluese. Gjergj Buxhuku është administrator i përgjithshëm i Konfindustrisë në Shqipëri: "Do të thoja se ishte e pritshme një tkurrje e kreditimit në kuptimin pozitiv, në qoftë se kjo do të shoqërohet me rregulla më të forta dhe një përzgjedhje më cilësore të kredimarrësve. Nga Konfindustria vihet re, se subjektet ekonomike që japin garanci për stabilitetin dhe rikthimin e parave në kohë, nuk kanë patur probleme kreditimi."

Në Shqipëri operojnë mjaft banka me kapital të huaj, të cilat funksionojnë si degë apo filiale të bankave të huaja, kryesisht perëndimore. Pjesëmarrja e tyre në tregun bankar është vlerësuar si një nga faktorët pozitivë, që kanë kontribuar në zhvillimin e sektorit. Por, sot kur shumë banka në vendet perëndimore janë prekur nga kriza financiare, rreziku për vendet e Evropës Qëndrore dhe Lindore ka të bëjë me mundësinë që bankat perëndimore mëmë, që kanë pësuar humbje, të tërheqin kapital nga filialet apo degët. Në Shqipëri deri tani ky efekt negativ nuk është shfaqur, madje shifrat e publikuara deri në muajin janar nga bankat tregojnë, se disa banka po kapitalizojnë edhe një pjesë të fitimi. "Deri më sot, të paktën nga sa rezulton nga shifrat e muajve janar-shkurt të këtij viti ajo çka vëmë re me kënaqësi është, se jo vetëm që nuk kemi pakësim por, përkundrazi shtim të kapitalit bankar. Pra nuk kemi tërheqje kapitali, por kapitalizim të fitimit," thotë Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Bankave shqiptare.

Banka greke në TiranëFotografi: DW

Një aspekt i vlerësuar si negativ për sektorin bankar, ka qenë një lloj diskrepance që vihej re mes kredisë në valutë dhe depozitave në monedhën kombëtare Lek. Përsa kohë kursi i këmbimit të Lekut me valutat në të cilat jepet kredia është i qëndrueshëm, kjo nuk përbën patjetër problem. Por, kur bizneset i gjenerojnë të ardhurat e tyre kryesisht në Lek dhe atyre u duhet të shlyjnë detyrimet kreditore në valutë, luhatjet e kursit të këmbimit mund të cënojnë aftësitë paguese. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Shoqatës së bankave Shqiptare ndërhyrjet në kohë nga Banka e Shqipërisë kanë bërë, që ky rrezik të mbetet brenda kufijve normalë.


I të njëjtit mendim është edhe Gjergj Buxhuku, administrator i përgjithshëm i Konfindustrisë në Shqipëri. "Një dispropocion i tillë mes kredisë në valutë dhe asaj në monedhën kombëtare ka qenë një problem shqetësues, i cili vihej re përsa kohë Leku ka qenë i fortë ndaj valutave të tjera. Ky problem del në pah kur prishet ekuilibri në kurset e këmbimit, në disfavor të monedhës sonë kombëtare. Kosto e Lekut dhe rrjedhimisht e kredisë në përgjithësi është rritur disi, por ende nuk kemi të bëjmë me një problem shqetësues për industrinë prodhuese vendore", thotë Buxhuku.

Autor: Eliana Xhani

Redaktoi: Aida Cama