Në tregjet shqiptare ka lodra të rrezikshme për fëmijët
19 Dhjetor 2007Festat e fundvitit kanë gjallëruar si zakonisht rrjetin tregëtar në Tiranë apo qytete të tjera. Por në këtë fluks të madh mallrash kryesisht të importit, janë vënë re dhe produkte për fëmijë, që përbëjnë rrezik serioz për shëndetin e fëmijëve. Ministria e ekonomisë dhe energjetikës ka lëshuar sot alarmin për prezencën e lodrave të rrezikshme për fëmijët, që i helmojnë apo i mbysin ata. Sipas zëdhënëses së ministrisë së ekonomisë Iva Tico, kjo është hera e dytë brenda një kohë të shkurtër kur evidentohen mallra të rrezikshme për fëmijët, pra pas prezencës së kukullave barbi.
Ministria e ekonomisë dhe strukturat e tjera shtetërore do të ndërhyjnë me masa të rrepta për tregëtarët e shumicës dhe të pakicës në rastet kur ata nuk i tërheqin nga tregu mallrat e rrezikshme.
Ekspertët kanë konstatuar, makina, arush me përbërje pellushi, maska e kukulla, të cilat janë jashtë standarteve të pranueshme të vendeve anëtare të BE-së. Si në vitetet e tjera autoritetet tatimore dhe të policisë financiare janë duke vëzhguar dhe tregëtimin e lëndëve shpërthyese në formën e fishekzjarreve duke sekuestruar mallrat, që janë jashtë standartit dhe që përbëjnë rrezik jo vetëm për fëmijët, por dhe të rriturit.