1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Vjenë bisedohet sot për bashkësitë etnike në Kosovë

Bahri Cani8 Gusht 2006

Pas përfundimit pa sukses të bisedimeve të djeshme për decentralizimin e pushtetit dhe kundërshtimeve të shumta, në Vjenë sot megjithatë u hap dialogu edhe për pozitën e bashkësive etnike në Kosovë. Serbët e Kosovës refuzojnë pjesëmarrjen.

Stop dhuna! Përpara të drejtat
Stop dhuna! Përpara të drejtatFotografi: AP

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kanë refuzuar të marrin pjesë në takimin e sotëm kushtuar të drejtave të bashkësive etnike. Marko Jakshiq mbrëmë vonë lexoi një kumtesë ku thuhet se "Kosova është pjesë e Serbisë, prandaj serbët nuk kanë pse të marrin pjesë në konferencën kushtuar minoriteteve në Kosovë".

Jakshiq tha se ata e ndjejnë veten si popull shumicë dhe jo pakicë. Megjithëse edhe Beogradi zyrtar më parë kundërshtonte pjesëmarrjen në takim, në fund u vendos për pjesëmarrje. Udhëheqësi i delegacionit, Dushan Batakoviq tha se zgjidhja e vetme është që serbët të trajtohen si popull konstitutiv i Kosovës.

"Nuk është e mundur që me dhunë një populli t'i imponohet statusi i pakicës. Në anën tjetër është shumë me rëndësi angazhimi për respektimin e të drejtave të minoriteteve të tjera. Ne jemi të gatshëm që t'i mbrojmë edhe të drejtat e minoriteteve tjera, sepse fjalët e delegacionit kosovar nuk janë në përputhje me veprat", theksoi Batakoviq duke shtuar se ata e kanë mandatin e goranëve dhe romëve që në emër të tyre të kërkojnë krijimin e dy komunave - për gorant në Gorë, dhe për romët në jug të Mitrovicës.

Në delegacionin e Kosovës janë edhe përfaqësuesit e minoriteteve, ndër të cilët prezent ishte edhe ministri Sadik Idrizi. Në takimin e sotëm është një përfaqësues tjetër. Sidoqoftë, pala kosovare ka shkuar në Vjenë me një platformë të gatshme për bisedime, të cilët ia ka dorëzuar edhe Unosekut. Veton Surroi tha se platforma parashikon të gjitha të drejtat e minoriteteve. "Në shumë raste këto të drejta janë më të larta se standardet e bashkësisë ndërkobmëtare", tha si duke shtuar se së shpejti do të miratohet edhe një ligj i cili garanton të drejtat e bashkësive etnike dhe të qytetarëve në Kosovë.

Plani i Kosovës parashikon ruajtjen e të drejtave etnike, kulturore, fetare dhe gjuhësore të të gjithë qytetarëve dhe bashkësive etnike. Bisedimet e sotme kushtuar të drejtave të bashkësive etnike në Kosovë do të përfundojnë rreth orës 16.