1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Vjenë sot raundi i tretë i bisedimeve për statusin e Kosovës

22 Tetor 2007

Ndërkombëtarët kërkojnë nga kosovarët të veprojnë me frymën e kompromisit. Ndërkohë presidenti kosovar, Fatmir Sejdiu deklaron se kosovarët nuk duan të jenë peng i një shtyrjeje tjetër.

Fatmir SejdiuFotografi: DW

Me ftesë të ministrit të punëve të jashtme të Francës, Bernard Kushner, ekipi kosovar i unitetit, zhvilloi dje një drekë pune në Paris. Në këtë takim Kouchner dhe anëtarët e Ekipit kanë biseduar për rrjedhën e negociatave shtesë që po udhëhiqen nga treshja ndërkombëtare.

Në një konferencë të përbashkët shtypi me shefin e diplomacisë franceze, presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu deklaroi se:
"Ne nuk duam të jemi peng i një shtyrjeje tjetër". Ndërkaq shefi i diplomacisë franceze u bëri thirrje shqiptarëve të veprojnë në "frymën e kompromisit" në bisedimet në Vjenë, dhe shtoi se disa vende do të kundërshtojnë qëllimet për shpalljen e njëanshme të pavarësisë.

Raundi i tretë i bisedimeve direkte mes Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësimin e treshes të Grupit të Kontaktit, filloi sot në orën 9:30, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë, në Hofburg.