1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Vjenë zhvillon punimet konferenca e katërt e Forumit ekonomik

Roumiana Taslakova4 Nëntor 2007

Shkëmbimi i mendimeve, krijimi i kontakteve, nënshkrimi i marrëveshjeve të reja, për dy ditë rresht me 5 dhe 6 nëntor në Vjenë takohen më tepër se 460 politikanë, sipërmarrës, ekspertë nga 32 vende të ndryshme të botës.

Projekte për të ardhmenFotografi: DW-TV

Për herë të katërt me datën 5 dhe 6 nëntor në kryeqytetin austriak zhvillon punimet Forumi ekonomik i Vjenës. Në qendër të vëmendjes së tij do të jetë zhvillimi ekonomik i shteteve në Evropën Juglindore.

'Zhvillimi dhe mbështetja e investimeve, efiçencës energjetike dhe sigurisë energjetike në Evropë, zhvillimi i mëtejshëm i telekomunikacionit, zbulimeve të reja dhe teknologjisë në rajon bëjnë pjesë në temat më të rëndësishme të Forumit të katërt ekonomik të Vjenës. Përveç kësaj pjesëmarrësit do të shkëmbejnë mendime edhe për zhvillimet e qëndrueshme në rrafshin ekologjik dhe do të kenë kontakte për projektet e ardhshme. Peshë të madhe këtë vit do të ketë bashkëpunimi në mes të vendeve të Danubit'. sqaron Dr. Elena Kirçeva (Elena Kirtcheva), sekretare e përgjithshme e Forumit Ekonomik të Vjenës, i cili ështe themeluar me iniciativë të saj në prill të vitit 2004.

Interesi për zhvillimin ekonomik të rajonit është rritur

Qëllimi i themelimit atëherë ishte mbështetja e bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve prej Adriatikut deri në Detin e Zi, Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Bullgarisë, Kroacisë, Maqedonisë, Moldavisë, Malit të Zi, Rumanisë, Serbisë, Sllovenisë dhe Turqisë. Tre vjet më vonë në Evropën Juglindore është shtuar aq shumë interesimi për zhvillimin ekonomik sa që në forum do të marrin pjesë 460 përfaqësues nga 32 vende të ndryshme të botës, jo vetëm nga vendet anëtare të Forumit Ekonomik të Vjenës, por edhe nga vendet si Japonia dhe India, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zvicra, Britania e madhe dhe Ajzerbajxhani të cilat duan të informohen për mundësitë e investimit në këtë rajon. Gjermania si një investitor u rëndësishëm në Ballkan përfaqësohet në Forum që nga fillimi.

Do të diskutohet krijimi i linjave të reja ajrore mes vendeve të Evropës Juglindore

'Bëhet fjalë edhe për probleme në trransport dhe transportin e kontinierëve, për investime në porte dhe hekurudha të cilave vendet e Evropës Juglindore u kushtojnë shumë vëmendje. Për herë të parë tani në Vjenë do të bisedohet për një ide të presidentit të Forumit Ekonomik të Vjenës, Dr. Erhard Busek i cili ka vite që mbështet rajonin si koordinator i Paktit të Stabilitetit. Është fjala për krijimin e linjave të reja ajrore mes vendeve të Evropës Juglindore. Siç e dini, nëse doni të fluturoni përshembull nga Beogradi për në Sofje duhet të fluturoni së pari për në Vjenë e pastaj të merrni avionin për në Sofje. Aktualisht nuk kemi lidhje të rregullta mes shumicës së kryeqyteteve në Ballkan'.

Nabucco për politikën energjetike europiane në rajon

Përfaqësues të të gjitha kompanive ajrore në rajon do të diskutojnë në një tryezë të rrumbullakët për linjat ajrore, të cilat kanë rëndësi për zhvillimin e biznesit. Me rëndësi të posaçme për rajonin në rend të ditës është edhe një temë tjetër. Gjatë bisedimeve për sigurinë energjetike projekti Nabucco do të luaj një rol qendror. Ky projekt me prioritet për politikën energjetike evropiane. Bëhet fjalë për ndërtimin e një gazpërçuesi i cili nga rajoni i Detit Kaspik përmes Turqisë, Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë dhe Austrisë do të furnizonte me gaz vendet e Bashkimit Evropian. Në këtë mënyrë do të dobësohej ndikimi rus dhe vendet e BE-së nuk do të ishin shumë të varura nga furnizimi rus me energji. Forumi Ekonomik i Vjenës angazhohet që prej fillimit të mbështes këtë projekt, i cili është shumë i rëndësishëm për furnizimin e Evropës me gaz.

Forumi Ekonomik i Vjenës është rritur që prej themelimit në vitin 2004, jo vetëm për nga numri i pjesëmarrësve dhe temat e dikskutuara në takime por edhe për nga numri i projekteve të realizuara.