1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nafta e pashterrshme?

Karl Zawadzky25 Shtator 2005

Çmimet e larta të naftës do të qëndrojnë edhe për një kohë në këtë nivel. Kjo përbën rrezikun kryesor për ekonominë botërore.

Bursa e Nju Jorkut- Tregëti me naftë
Bursa e Nju Jorkut- Tregëti me naftëFotografi: AP

Ekonomia botërore, e bazuar dhe e varur së tepërmi nga nafta, mund të dalë shumë shpejt nga ritmi, në rast se ka probleme me furnizimin me naftë. Ministrat e Financave dhe presidentët e bankave të emëtimeve, jo vetëm të vendeve të industrializuara, por edhe të të gjitha vendeve të tjera, që janë mbledhur në takimin vjetor të FMN-së dhe të Bankës Botërore në Uashington, u shprehën në lidhje me këtë rrezik. Por, në këtë mes nuk mund të përdoret formula, deri sa e mora vesh nga më vjen rreziku, mund të marr masa për ta parandaluar. Sepse për një periudhë afatmesme, nuk mund të gjenden alternativa dhe nafta do të mbetet elementi më i rëndësishëm për ekonominë. Pa të, ekonomia nuk funksionon dot. Po koha e çmimeve të ulta të naftës, ka marrë fund. Kjo lidhet jo aq me shterrimin e rezervave në naftës në tokë, apo me ndonjë krizë të shkaktuar për arsye politike, se sa me shtimin e kërkesës për naftë në Kinë dhe Indi, nga njëra anë, dhe me deficitet e ekonomisë amerikane për prodhimin e energjisë nga ana tjetër.

Zhvillimet e gabuara kanë rritur çmimin e naftës

Rritja aktuale e çmimit të naftës ka të bëjë me zhvillime të gabuara dhe me gjëra të lëna pas dore në SHBA, të cilat po bëhen të qarta prej katastrofave natyrore. Kështu, megjithë kërkesën në rritje për produktet e naftës dhe shfrytëzimin tërësor të kapaciteteve ekzistuese, në SHBA gjatë 30 viteve të fundit nuk është ndërtuar asnjë rafineri e re nafte. Konsumin në rritje SHBA mundohen ta përballojnë prej vitesh përmes importimit të bezinës apo të dizelit nga Evropa dhe Azia. Kjo çon nga ana tjetër në rritjen e çmimeve në Evropë, ku konsumatorët detyrohen të paguajnë çmime të larta, sepse amerikanët janë shumë dorëlëshuar sa i përket harxhimit të energjisë.

Amerikanët harrxhojnë shumë energji

Një amerikan shpenzon mesatarisht 11 litra naftë në ditë, kurse një evropian vetëm pesë. Në rast se SHBA do të ishin po aq eficientë sa edhe evropianët në drejtim të shpenzimit të naftës, atëhere SHBA do të arrinte që t'i ulte shpenzimet e naftës me tetë milionë fuçi në ditë. Parë nga ky këndvështrim, kërkesa e Ministrave të Financave dhe e presidentëve të bankave të emetimeve të G7, për të shfrytëzuar rezervat e naftës dhe për të zgjeruar në mënyrë drastike kapacitetet e nxjerrjes së naftës në botë, nuk është një përgjigje e pamenduar ndaj krizës aktuale. Kapacitet e nxjerrjes së naftës do të shtohen patjetër për shkak të rritjes së kërkesës në Kinë dhe në Indi.

Nafta e pashterrshme?

Por në vendet e industrializuara duhet, që të reduktohet konsumi i naftës përmes përdorimit më të efektshëm të saj. Në Gjermani përshembull, një politikë e tillë është kthyer prej kohësh në politikë zyrtare dhe kjo politikë, e cila lidhet edhe me taksat e larta për konsumin e energjisë, është e sukseshme.

Meqënëse nafta nuk është e pashterrshme, zgjidhja afatmesme dhe afatgjatë e problemit nuk mund të jetë zgjerimi i kapaciteteve të shfrytëzimit, por përdorimi me kursim i kësaj lënde të çmuar si dhe zhvillimi dhe përdorimi i burimeve alternative të energjisë.