1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nafta e shtrenjtë rëndon ekonominë.

3 Mars 2012

Çmimi i naftës ka arritur shifra rekord. Ekspertët mendojnë se ai nuk pritet të bjerë. Shqetësimi për Rrugën e Hormus-it rrit çmimin më shumë

Çmimi i naftës ka arritur shifra rekord
Çmimi i naftës ka arritur shifra rekordFotografi: picture-alliance/dpa

Asnjëherë më parë, ata që ngasin automjetet në Gjermani nuk është dashur të paguajnë kaq shumë në pikat e karburantit. Edhe amerikanët lëshojnë ofshama për kostot e larta të karburanteve. Lufthansa Gjermane e ka rritur disa herë vitin e kaluar shtesën për karburant. Arsyeja është se nafta bruto është shtrenjtuar vitin e kaluar si kurrë më parë. Këtë vit nuk duket që të pritet ulje. Në mesataren vjetore 2011 firmat gjermane kanë dhënë 583 euro për ton nafte të importuar, shumë më tepër se vlera e deritanishme më e lartë e arritur në vitin 2008, me 506 euro për ton. Këtë e bëri të ditur në muajin shkurt, Zyra Federale e Statistikave në Wiesbaden. 

"Vitin e kaluar Pranvera Arabe e rriti çmimin e naftës shumë," shpjegon Arnoud van der Slot, partner i Roland Berger Strategy Consultants." Në krahasim me 2010 çmimi u rrit me 12 përqind. Sipas prognozave të tre eksportuesve të naftës Arabisë Saudite, Rusisë dhe Meksikës, parashikimet e të cilëve kanë qenë në të kaluarën shumë të sakta, çmimi i naftës do të rritet më 2012 sërish. Ata mendojnë se çmimi mesatar do të jetë prej 111 dollarë për fuçi. Kjo do të ishte 15 përqind më shumë se në vitin 2011. 

Ata që ngasin automjetet në Gjermani nuk është dashur të paguajnë kaq shumë në pikat e karburantitFotografi: AP

Ngushtica detare mund të mbyllet

Konflikti për programin atomik të Iranit, e ka ngarkuar prej një kohe të caktuar çmimin e naftës. Kërcënimet e Iranit për bllokimin e ngushticës detare të Hormusit, kanë sjellë rritjen e çmimit të naftës. Rruga e Hormusit ndodhet midis Iranit dhe Omanit dhe është pika ku kalojnë të gjithë cisternat me naftë që shkojnë në terminalet e naftës nga Irani, Iraku, Kuvajti, dhe Emiratet e Bashkuara Arabe si dhe Arabinë Saudite. Vetëm vitin e kaluar një e pesta e gjithë sasisë së naftës që përdor bota kaloi nga kjo ngushticë detare. Pjesa më e madhe e naftës shkon në Azi, në SHBA dhe në Evropën perëndimore. Japonia merr një të katërtën e naftës së saj nëpërmjet kësaj rruge, kurse Kina gjysmën.

BE ka vendosur embargo nafte kundër Iranit, e cila fillon pas muajit korri. Irani ka reaguar me njoftimet se do ndërpresë vetë furnizimet dhe ka ndaluar eksportet e Francës dhe Britanisë së Madhe. "Meqenëse Franca dhe Britania e Madhe nuk marrin në vlerë të konsiderueshme naftë nga Irani, njoftimi i ndalimit të furnizimeve nuk ka efekt për vetë Iranin," thuhet në një koment të bankës Commerzbank. Megjithatë do të mjaftonte vetëm njoftimi për ndalimin e furnizimeve për të shkaktuar rritjen e çmimit të naftës, "gjë që synohet nga Irani. Në këtë mënyrë "dënohen" të gjitha vendet e BE-së për vendimin e embargos."

Nëse embargo fillon në verë, atëherë nafta iraniane do të zëvendësohej me furnizime nga vende të tjera, si përshembull Arabia Saudite. Megjithatë nafta duhet të kalojë në rrugën ujore të Hormusit, në kufi me të cilën ndodhet Irani. Kështu që nervoziteti i tregjeve rrit çmimin e naftës, mendon Kirsten Westphal nga Fondacioni Shkenca dhe Politika.

Spekullatorët rrisin çmimet

Rritjen e çmimit nuk e shkaktojnë vetëm pasiguritë politike. Edhe spekullimet në tregjet financiare janë shtuar, mendon eksperti nga Hamburgu, Steffen Bukold. Bankat Qendrore në Evropë, SHBA dhe Japoni mbushin prej muajsh tregjet me para të lirë, e cila duhet vendosur diku. Prandaj rriten kurset e aksioneve dhe kërkesat për lëndë të parë vazhdojnë të rriten pasi patën rënë përkohësisht. Lënda e parë më e rëndësishme është nafta. Ndikimi i saktë i tregjeve financiare mbi cmimet nuk mund të tregohet, e sigurtë është se tendenca është në rritje.

Trazirat në Libi rritën çmimin e naftësFotografi: picture alliance/dpa

Ndikimet në Evropë

Kur më parë ekonomia e vendeve të industrializuara paralizohej, kërkesa për naftë ka qenë e vogël, gjë që ulte në mënyrë tendencioze cmimet. Ndërkohë një pjesë të madhe të naftës e përdorin vendet në ekspansion ekonomik. Kërkesa mbetet kështu e madhe dhe cmimi i lartë i naftës rëndon edhe më shumë ekonominë e goditur evropiane. Nëse nafta vazhdon të mbetet në vitin në vijim me mbi 120 dollarë për fuci, kjo do të shkaktonte për ekonominë gjermane më shumë kosto në nivelin e 5 miliardë eurove, parashikon Industria dhe Tregtia gjermane.

Autor: Insa Wrede / Aida Cama
Redaktoi: Angelina Verbica