NATO demonstron vendosmëri në Kosovë e Maqedoninë e Veriut
1 Tetor 2024NATO-ja dislokon trupa të reja në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut për stërvitje shtesë që synojnë "gatishmërinë e tyre dhe mbështetje për misionin e KFOR-it”, në Kosovë. Në një njoftim për medie, NATO thotë se 200 trupa nga Forcat e reja Aleate të Reagimit (ARF) dislokohen në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut nga 30 shtatori deri më 16 tetor. Në Kosovë dislokohen 50 trupa të Ekipit Operacional të Ndërlidhjes dhe Zbulimit të ARF-së, ndërkaq 150 të tjerë të së njëjtës njësi në Maqedoninë e Veriut. Kjo është hera e parë që do të dislokohen forca të ARF-së, që kur ajo u krijua në korrik të vitit 2024.
Gatishmëri e lartë
Sipas NATO-s, ARF-ja është një forcë strategjike, e gatishmërisë së lartë me aftësi në shumë fusha. Kjo forcë mund të dislokohet shpejt dhe mund të ofrojë ndihmë në mbrojtje në skenare të ndryshme. "Personeli i dislokuar do të përforcojë aktivitete stërvitore për të mbajtur në nivel të lartë gatishmërinë dhe për të testuar aftësitë e tyre dhe procedurat për dislokim të shpejtë të një force të madhe. Një pjesë e selisë së ARF-së do të integrohet përkohësisht në komandën dhe strukturat kontrolluese të misionit të KFOR-it dhe do të ketë për detyrë që të identifikojë kërkesat e mbështetjes logjistike, mbështetjen infrastrukturore dhe operacione për KFOR-in në rast të nevojës për një përforcim të pranisë së KFOR-it”, thuhet në njoftim.
NATO dërgon mesazh vendosmërie
Sipas NATO-os dislokimi i fundit, së bashku me dislokimet e trupave të bëra më herët gjatë këtij muaji në Kosovë të Forcave Strategjike Rezervë (SRF), dërgojnë "mesazh të qartë të vendosmërisë të fortë të NATO-s dhe përkushtimit për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, por edhe aftësinë e aleancës dhe gatishmërinë për t'u përgjigjur”.
Aleanca Veriatlantike në Kosovë NATO me trupa të saja është përgjegjëse për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë. Një javë më parë misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe Ushtria e Serbisë kryen patrullime të sinkronizuara në dy anët e kufirit të Kosovës me Serbinë. "Këto përpjekje janë pjesë e misionit të përditshëm të KFOR-it për të mbështetur sigurinë afatgjatë në mbarë Kosovën dhe stabilitetin rajonal”, u tha në njoftimin e misionit të KFOR-it.