1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NATO duhet të ruaj paqen në Kosovë

2 Maj 2012

Qeveria e Kosovës ka marrë mbështetjen e NATO-os për vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, me theks të veçantë në pjesën veriore të vendit.

Trupat shtesë në Kosovë
Trupat shtesë në KosovëFotografi: Reuters

Afrimi i mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë, bëri që NATO-ja të shtojë forcat e saj në Kosovë. 550 ushtarë gjerman dhe austriak nga batalioni rezervë i NATO-os, tashmë u janë bashkuar 5.800 trupave të tjerë të KFOR-it në Kosovë. Deri tani nuk është thënë se në cilat pjesë të Kosovës janë vendosur trupat rezervë të NATO-os, të cilan erdhën në Kosovë me kërkesë të komandantit të KFOR-it gjeneralit Gjerman, Erhard Drews. Zëdhënësi i KFOR-it, Mark Stumler, thotë se pjesa operacionale e KFOR-it, nuk diskutohet me publikun.

Dislokimi i trupave shtesë - pjesë operacionale e KFOR-it

“Ne nuk mund të diskutojmë për çështje operacionale. Batalioni rezervë është nën komandën e komandantit të KFOR-it, i cili merr vendimet se ku vendosen trupat”, thotë zëdhënësi Mark Stumler. Sipas tij, komanda e KFOR-it ka vlerësuar se ka një situatë të tensionuar dhe kjo është arsyeja se pse është bërë kërkesa për shtimin e trupave të KFOR-it.

Erhard DrewsFotografi: DW

Ekspertët e çështjeve të sigurisë thonë se NATO-ja me çdo kusht është e interesuar që të ruaj paqen dhe sigurinë në Kosovë, sidomos gjatë periudhës së mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë. Florian Qehaja, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, i tha DW se shtimi i trupave të NATO-s në Kosovë ka vetëm një qëllim - ruajtjen e gjendjes së tanishme në veri të Kosovës.

KFOR-i do të ruajë gjendjen e tanishme

“Në rastin e dërgimit të batalionit gjerman dhe austriak në veri të Kosovës, ka të bëjë me ruajtjen e status-quo në veri, për arsye se ka indikacione se policia e Kosovës mund të ndërhyjë edhe në veri për të zbatuar planin tashmë të njohur tre pikësh të qeverisë së Kosovës, për të parandaluar mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe”, thotë Florian Qehaja.

Florian Qehaja pohon se organet e rendit në Kosovë, për çdo ndërhyrje të mundshme duhet të kordinohen me organet ndërkombëtare të sigurisë. Në të kundërten efektet do të jenë negative.

Koordinimi i domosdoshëm

“Çdo koordinim për përdorimin e forcës për parandalimin e zgjedhjeve do të ishte i nevojshëm, për faktin që policia e Kosovës nuk ka kapacitete teknike dhe kadrovike që të menaxhojë një situatë të tillë”, thotë Qehaja.

Gjendja mbetet e tensionuarFotografi: picture-alliance/dpa

Edhe pse Beogradi zyrtar tashmë është shprehur se nuk do të organizojë zgjedhjet lokale në Kosovë, përfaqësuesit politik të serbëve në veri, janë shprehur se do t'i mbajnë ato të paktën në dy komuna në veri. Një stituatë e tillë, për analistin politik nga qyteti i Mitrovicës, Nexhmedin Spahiu, është e rrezikshme për Kosovën.

Rreziku nga zgjedhjet

“Kjo prodhon një situatë të pa dëshirueshme dhe një lloj ”bosnizimi” të Kosovës, që është tendencë e Beogradit. Ai dëshiron të tregojë se veriu i Kosovës nuk ka një subjektivitet, se nuk drejtohet nga ai dhe nga ana tjetër që qeveria e Kosovës atje nuk mund të funksionojë. Ndaj synon një status republike në veri brenda Kosovës”, thotë Nexhmedin Spahiu.

Prishtina zyrtare lejoi që nën organizimin e OSBE-së në Kosovë qytetarët serb që kanë dyshtetësi të mund të votojnë për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe por jo edhe për ato lokale. Ministria e Brendshme ka hartuar një plan për të penguar çdo përpjekje për mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë dhe u ka bërë thirrje mekanizmave ndërkombëtarë në mënyrë të veçantë KFOR-it, që të pengojnë synimet e tilla edhe në veriun e Kosovës.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Bahri Cani