1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nato fton Ballkanin për anëtarësim

Anila Shuka, Riga29 Nëntor 2006

Samiti i Rigës i bën ftesë Serbisë, Bosnjës dhe Malit të Zi për të marrë pjesë në programin "Partneritet për paqe" dhe hedh idenë për ngritjen e një grupi kontakti për Afganistanin

Merkel dhe Bush në Riga
Merkel dhe Bush në RigaFotografi: AP
Natoja e bëri një hap përpara drejt integrimit të Ballkanit në strukturat veriatlantike. Në takimin e së enjtes (29.11.) në Rigë të Letonisë krerët e vendeve anëtare të Aleancës ranë dakord të ftojnë edhe Serbinë, Bosnje Hercegovinën dhe Malin e Zi që të marrin pjesë në Programin e Partneritetit për Paqe. Sekretari i Përgjithshëm i Nato-s, Jaap de Hoop Scheffer e pranoi në konferencën për shtyp që ky sinjal politik i jepet Serbisë në prag të zgjedhjeve parlamentare në janar të vitit të ardhshëm dhe bërjes së njohur të statusit të Kosovës. “Serbia me këtë merr sinjalin që është në një faktor i rëndësishëm në rajon. Natoja e konsideron të rëndësishme të forcojë lidhjet politike me të dhe vendet e tjera duke u ofruar partneritet për paqe.” Programi i Partneritetit për paqe është shkalla e parë drejt anëtarësimit në Nato. Sheffer pranoi se nuk ishte e lehtë të bihej dakord mes 26 vendeve nisur nga rezervat që ka para së gjithash Gjykata e Hagës ndaj Serbisë për shkak të mosbashkëpunimit për gjetjen e të dyshuarit për krime lufte, Ratko Mladiç. Bashkimit Evropian për këtë shkak i ndërprerë bisedimet me Serbinë për Marrëveshjen e Asociim Stabilizimit. Kancelarja Gjermane Angela Merkel që në fillim të vitit të ardhshëm do të marrë në dorë kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian e vlerësoi megjithatë pozitivisht këtë hap: “Është e nevojshme që ato të bëjnë më shumë përpjekje për bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës, por të gjithë ramë dakord që nuk duhet ta mbajmë të mbyllur perspektivën e tyre për anëtarësim në Nato.” Bashkëpunimi i suksesshëm i Kroacisë me gjykatën e Hagës bëri që në samitin e 2008/ës ajo ka mundësi të marrë një ftesë për anëtarësim së bashku me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Por edhe për këto vende vlen që deri atëherë ato duhet t’i kenë përmbushur parakushtet e duhura. Kryeministri italian Romano Prodi ishte shprehur që më parë për një inkuadrim homogjen të Ballkanit në strukturat e Natos. Në deklaratën përfundimtare të nënshkruar nga krerët e 26 shteteve anëtare të Nato-s thuhet gjithashtu se Nato-ja do të mbështesë misionin civil të Bashkimit Evropian në Kosovë pas zgjidhjes së statusit. Së bashku me insitucionet e tjera ndërkombëtare dhe popullsinë e Kosovës ajo do të punojë për instalimin e një sistemi sigurie, që do të jetë demokratik dhe në përputhje me përbërjen etnike. Çështja më e debatuar në takimin e nivelit të lartë të vendeve të Nato-s ishte misioni i ISAF-it. Sidomos Italia, Franca dhe Gjermania nuk iu përgjigjën kërkesës së shprehur edhe nga presidenti Bush për më shumë trupa në jug të Afganistanit. Ata u treguan megjithatë të gatshëm që brenda kapaciteteve ekzistuese t’u vijnë në ndihmë kolegëve të tyre në rast nevoje. Përveç kësaj Gjermania ofroi ndihmë në mjete transporti, komunikimi si dhe pajisje zbulimi. Në jug të Afganistanit para së gjithash ushtarët britanikë, kanadezë dhe holandezë janë duke bërë luftime të ashpra me forcat talebane. Sipas qarqeve qeveritare shumë vende i kanë hequr kufizimet për lëvizjen e trupave jashtë territorit të caktuar. Sipas të njëjtave burime tani janë mbi 20 mijë, nga gjithsej 32 mijë ushtarët e vendosur në Afganistan që kanë të drejtë të qarkullojnë në të gjithë territorin. Por samiti doli me vendim, që krahas angazhimit ushtarak Afganistani ka nevojë edhe për një koncept politik.“Të gjithë të pranishmit ishin të mendimit se problemi i Afganistanit nuk mund të zgjidhet vetëm me rrugë ushtarake,” – tha kancelarja gjermane. Nisur dhe nga shembulli i Kosovës vendet aleate ngarkuarn Sekretarin e Përgjithshëm të Nato/s, Jaap de Hoop Scheffer që të merret me ngritjen e një grupi kontakti për Afganistanin, ku do të marrin pjesë shtetet më të rëndësishme të Natos dhe disa institucione ndërkombëtare. Deri në vitin 2009 NATO do të hartojë një strategji të re që do të diskutohet fillimisht në samitin e ardhshëm në verën e vitit 2008. Vendi i tij nuk është caktuar ende. Samiti i Rigës ishte i pari që zhvillohej në një vend të ish/Bashkimit Sovjetik. Se ku do të zhvillohet takimi i ardhshëm i Aleancës nuk është vendosur ende. Me rastin e 74 vjetorit të lindjes së presidentit francez Jacques Chirac kishte paralajmëruar fillimisht një vizitë të shkurtër edhe presidenti rus Vladimir Putin. Do të ishte e para e një presidenti rus në Letoni, që nga shpallja e pavarësisë në vitin 1991. Putin a anuloi vizitën për shkak të “disa impenjimeve të tjera”, kështu që Chirac u detyrua ta hante tortën me ngjyrat e flamurit letonez pa mikun e tij rus.