1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'NATO-ja nuk merr vendime me reflektime negative në Kosovë'

13 Gusht 2009
Sekretari i Përgjithshëm i Natos, Rasmusen takohet në Prishtinë me presidentin Sejdiu dhe kryeministrin Thaçi, 13.08.2009
Sekretari i Përgjithshëm i Natos, Rasmusen takohet në Prishtinë me presidentin Sejdiu dhe kryeministrin Thaçi, 13.08.2009Fotografi: AP

Rasmusen: 'Reduktimi i KFOR-it do të bëhet varësisht nga zhvillimet e sigurisë në Kosovë'

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen tha në Prishtinë se gjatë mandatit të tij në krye të NATO-s, Kosova do të jetë prioritet i Aleancës veriatlantike në ruajtjen e paqes dhe sigurisë. Ai tha se tashmë NATO-ja ka vendosur reduktimin gradual të trupave të saj në Kosovë. Por kjo sipas tij është një tregues i qartë se situata e sigurisë në Kosovë dita-ditës po shënon përmirësime.

'NATO-ja nuk merr vendime që mund të kenë reflektime negative në Kosovë'

“Dëshiroj të theksoj se ky vendim për reduktimin e trupave të NATO-s reflekton përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë. Dua po ashtu të siguroj qytetarët e Kosovës se ky reduktim i trupave të KFOR-it do të bëhet varësisht nga zhvillimet rreth situatës së sigurisë në Kosovë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen. Ai tha se NATO-ja nuk merr vendime që mund të kenë reflektime negative në Kosovë.

Sekretari i Përgjithshëm i Natos, Rasmusen flet për median pas takimeve me krerët politikë në PrishtinëFotografi: AP

Rasmuseni tha se krahas angazhimit të NATO-s për ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit, Aleanca Veriatlantike do t'i ndihmojë institucioinet e Kosovës në forcimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Forca e Sigurisë së Kosovës, në shtator të këtij viti fillon punën me kapacitet e para. Ajo do të jetë vazhdimisht nën mbikqyrjen e NATO-s. Udhëheqësit politik kosovarë kërkuan nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s që pjesëtarë të FSK-së të mund të angazhohen në misione të ndryshme paqerujatëse të NATO-s

'Për t'u bërë pjesë e NATO-s, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të plotësojnë kushtet e domosdoshme për anëtarësi'

Anders Fog Rasmusen, i cili e viziton Kosovën për herë të parë që kur u emërua Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s tha se vizioni i tij në krye të NATO-s është perspektiva e vendeve të Ballkanit Perendimor drejt strukturave euroatlantike.

“Vizioni im i qartë është që të siguroj perspektivë euroatlantike për të gjitha vendet e Ballkanit, sigurisht edhe për Kosovën dhe Serbinë. Mirëpo për t'u arritur kjo, vendet e Ballkanit Perendimor duhet të plotësojnë kushtet e domosdoshme për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Kjo përfshin zgjidhjen paqësore të kontesteve kufitare dhe respektimin e plotë të të dejtave të pakicave”, tha Sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

Anders Fog Rasmusen takoi gjatë qëndrimit në Kosovë udhëheqësit politik kosovarë, ata të pranisë ndërkombëtare civile dhe ushtarak. Ai kërkoi nga udhëheqësit politik kosovarë që të vazhdojnë implementimin e pakos së Marti Ahtisarit.

“Unë vërtetë e vlerësoj faktin që udhëheqësit politik kosovarë janë të angazhuar maksimalisht në implementimin e pakos së Marti Ahtisarit. Në këtë linjë dëshiroj t'i inkurajoj ata që të vazhdojnë në arritjen e vlerave evropiane, sepse vetëm në këtë mënyrë mund ta integrojnë Kosovën në strukturat euroatlantike", tha Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen.

Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi