1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NATO paralajmëron Rusinë kundër shkeljeve të mëtejshme

23 Shtator 2025

Pas incidenteve në Poloni, Rumani dhe Estoni, NATO ka paralajmëruar Rusinë se do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore kundër çdo shkeljeje të mëtejshme.

Avioni luftarak rus MiG-31 shkel hapësirën ajrore të Estonisë - 19.09.2025. Fotografia publikuar më 19 shtator 2025 nga Forcat Ajrore Suedeze tregon një avion luftarak rus MIG-31 që fluturon mbi detin Baltik pasi ka shkelur hapësirën ajrore të Estonisë.
Avioni luftarak rus MiG-31 shkeli hapësirën ajrore të EstonisëFotografi: Forsvarsmakten/AFP

 

NATO akuzoi të martën Moskën për intensifikimin e fushatës së shkeljeve të hapësirës ajrore mbi shtetet anëtare lindore dhe veriore të aleancës.

"Rusia nuk duhet të ketë dyshime: NATO dhe aleatët e saj do të përdorin, në përputhje me ligjin ndërkombëtar, të gjitha mjetet e nevojshme ushtarake dhe jo-ushtarake për të na mbrojtur dhe për të penguar çdo kërcënim nga çdo drejtim", u tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gazetarëve në Bruksel.

Aleanca me 32 anëtarë bëri thirrje për diskutime urgjente pas zbulimit të një avioni rus mbi Estoni javën e kaluar, gjë e cila ndodhi menjëherë pasi disa dronë rusë ranë mbi Poloni dhe u panë mbi Rumani.

Incidenti në Estoni është pjesë e një serie veprimesh të fundit ruse që po "përshkallëzohen, duke mbartur rrezikun e llogaritjes së gabuar dhe duke rrezikuar jetët", sipas deklaratës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi në një konferencë për shtyp se partnerët e aleancës kishin riafirmuar si "të palëkundur" angazhimin e tyre për mbrojtje kolektive. Veprimet e fundit të Rusisë ishin ose të qëllimshme ose "paaftësi e hapur".

Takimi i NATO-s pas incidentit në Estoni

Para deklaratës së Ruttes, Këshilli i Atlantikut të Veriut, u mblodh organi më i lartë politik i NATO-s. Takimi u nxit nga një incident të premten kur, sipas Estonisë, tre avionë luftarakë rusë qëndruan në hapësirën ajrore të shtetit anëtar të NATO-s për një kohë prej dymbëdhjetë minutash.

Estonia më pas kërkoi konsultime sipas Nenit 4 të Traktatit të Atlantikut të Veriut. Kjo dispozitë i lejon çdo shteti anëtar të kërkojë një takim të Këshillit të Atlantikut të Veriut në rast të një kërcënimi për "integritetin territorial, pavarësinë politike ose sigurinë" e tij.

Pas takimit, u raportua se Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropën, Alexus Grynkewich, i kishte informuar pjesëmarrësit rreth incidentit. Ai e përshkroi atë si pjesë të një "modeli më të gjerë të sjelljes gjithnjë e më të papërgjegjshme nga Rusia". Përgjigja e NATO-s do të mbetet "e fuqishme" dhe aleatët nuk do të dekurajohen "nga kjo dhe veprime të tjera të papërgjegjshme nga Rusia nga angazhimi i tyre i gjatë për të mbështetur Ukrainën".

NATO paralajmëron Rusinë kundër shkeljeve të mëtejshme të hapësirës ajrore. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark RutteFotografi: Geert Vanden Wijngaert/REUTERS

Kjo ishte hera e dytë në dy javë që organi më i lartë politik i NATO-s u takua për të mbajtur konsultime mbi shkeljet e hapësirës ajrore ruse. Në fillim të shtatorit, Polonia raportoi ndërhyrjen e rreth 20 dronëve në hapësirën e saj ajrore, disa prej të cilëve fluturuan qindra kilometra në territorin e saj. NATO më pas njoftoi një iniciativë të re për të përforcuar krahun e saj lindor.

Rumania gjithashtu raporton rregullisht shkelje të hapësirës së saj ajrore. Kohët e fundit, Rumania ngriti avionë luftarakë kur një dron rus hyri në hapësirën e saj ajrore gjatë një sulmi ndaj infrastrukturës ukrainase pranë kufirit.

Norvegjia akuzon gjithashtu Rusinë për shkelje të hapësirës së saj ajrore

Nga ana e tij, kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre deklaroi: "Rusia ka shkelur hapësirën ajrore norvegjeze tre herë këtë pranverë dhe verë." Ai përmendi disa raste në të cilat avionë luftarakë rusë u vunë re në anën norvegjeze të kufirit të përbashkët.

"Nuk mund të përcaktojmë nëse kjo është bërë me qëllim apo për shkak të gabimeve të navigimit. Pavarësisht shkakut, kjo është e papranueshme", deklaroi ai, pa konfirmuar dyshimet se Kremlini ishte gjithashtu pas trazirave të së hënës në Oslo.

Shefi i NATO-s Rutte deklaroi se ishte "shumë herët për të thënë" nëse fluturimet e dronëve mbi Danimarkë kishin lidhje me shkeljet e fundit të hapësirës ajrore të NATO-s nga Rusia.

(E.Schumacher/tgsch (AFP, dpa, Reuters)