1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nato parashikon ngritjen e një sistemi mbrojtës raketash në Europën juglindore

Aida Cama22 Qershor 2007

Karl-Heinz Kamp, këshilltar për politikat e sigurimit në institucione të ndryshme gjermane shpjegon këto plane

Raketa amerikane patriotFotografi: AP

Deutsche Welle: Zoti Kamp, javën e kaluar nga Brukseli doli lajmi se Nato planifikon ngritjen e një sistemi raketash mbrojtëse. A mund të na shpjegoni çfarë do të thotë kjo?

Dr. Karl-Heinz Kamp: Do të thotë se amerikanët janë duke ngritur me polokët dhe çekët një sistem të vogël raketash mbrojtëse, i cili do të stacionohet pjesërisht në Poloni dhe pjesërisht në Çeki. Ky sistem raketash mbrojtëse mbulon rreth 75 për qind të territorit të Natos, pra 3/4 e territorit të tij, dhe pyetja që shtrohet tani është si do të mbrohet 25 përqindshi i mbetur. Prandaj Nato është duke menduar të ngrejë një sistem të vetin të raketave mbrojtëse, i cili do t`i shtohet sistemit amerikan.


Deutsche Welle: A do të thotë kjo se në Europën juglindore do të instalohen sisteme raketash ose radarësh?


Karl- Heinz Kamp: Nato është duke bërë prej vitesh studime për të parë gjithë obsionet e mundshme pavarësisht nga çfarë bëjnë amerikanët. Mundësistë janë të ndryshme. Ato ç`ka mund të ngrihen janë ose sisteme të vogla dhe të thjeshta me raketa me rreze të shkurtër veprimi ose një sistem të madh, i cili do të mbulonte të gjitha vendet. Tani është duke u menduar mundësia për të ngritur një sistem të madh raketash mbrojtesë për të mbuluar të gjitha vendet që bëjnë pjesë në këtë 25 për qindësh. Çështja është vetëm kush do e paguajë.


Deutsche Welle: Jemi duke folur për Naton, apo për vendet Europiane?

Condoleezza Rice dhe Jaap de Hoop SchefferFotografi: AP

Karl- Heinz Kamp: Këto janë dy procese që ecin paralelisht. Deri tani në BE nuk janë zhvilluar ndonjëherë diskutime për sisteme raketash mbrojtëse. Diskutimet deri tani janë zhvilluar në Nato. Amerikanët thanë se nuk do të presin deri sa të vijë dita që Nato të ngrejë sistemet e veta të raketave, sepse ne duam të sigurojmë territorin tonë, pra USA po stacionon raketa në Poloni dhe radarë në Çeki. Ky sistem ka efektin anësor, që do të thotë që mbulon 3/4 e territorit të Natos, dhe këtë falas për vendet e Natos. Tani shtrohet pyetja si do të bëhet me pjesën e mbetur. Në territorin e Natos nuk lejohet të ketë zona të ndryshme sigurie, zona që mbulohen dhe mbrohen dhe të tjera që jo.


Deutsche Welle: Do të thotë kjo që ky 25 përqind i territorit europian do të mbulohet me sistem amerikan apo europian raketash?


Karl- Heinz Kamp: Sistemi amerikan mbulon 75 përqind. Dhe tani vendet e Natos, europianët në Nato duhet të vrasin mendjen si të blejnë sisteme të veta raketore për të mbuluar 25 përqindshin e mbetur. Për këtë duhet të vrasë mendjen pjesa europiane e Natos.

Deutsche Welle: Do me thënë nëse ngrihet një sistem i tillë, nga ai do të përfitojnë vende si Turqia, Bullgaria, Rumania, pra vendet e Ballkanit.

Deutsche Welle: Nga një sistem i tillë do të përfitojnë edhe vende që nuk janë anëtare të NATO-s, apo jo?

Karl- Heinz Kamp: Sistemi i raketave nuk mund të pushojë së funksionuari sepse një vend nuk është anëtar i Natos. Sistemi mbulon një territor të caktuar. Në këtë rast kemi të bëjmë me mbulimin e një gjeografie. Nëse në të bëjnë pjesë vende që nuk janë në Nato, kjo nuk do të thotë se ato mund të përjashtohen nga sistemi.

Karl- Heinz Kamp: Po të shohësh hartën vendet që janë në jug të Polonisë dhe Çekisë, atje për arsye teknike nuk mund të goditen raketat e qëlluara. Kjo ka të bëje me ligje fizike. Prandaj vendet që janë brenda zonës së mbrojtur falas nga amerikanët, duhet të vrasin mendjen për të siguruar mbrojtjen e plotë.

Deutsche Welle: Do të blihen armët nga USA?

Karl-Heinz Kamp është koordinator për politikat e sigurimit të Fondacionit Konrad-AdenauerFotografi: konrad-adenauer-stiftung

Karl- Heinz Kamp: Kjo është një pyetje tjetër. Prej vitesh Nato po bën studime për të parë gjithë mundësitë dhe ka llogaritur kostot e obsioneve të ndryshme. Blerja nuk duhet bërë patjetër në USA. Europianët kanë sistem të vetin për mbrojtjen ajrore dhe midis forcave ajrore të vendeve të ndryshme ekziston një bashkëpunim i madh kur në ajër ndodhet një aeroplan i cili duhet kapur. Nëse teknika ekzistuese zgjerohet, teorikisht mund të kapen edhe raketat. Europianët kanë kapacitetet e veta në këtë fushë. Që do të thotë se nuk është e thënë se duhen blerë në USA.


Deutsche Welle: Në kuadër të kësaj bisede ju përmendët që kostoja është vendimtare. Kush do të paguajë për një sistem të tillë?

Karl-Heinz Kamp: Aktualisht tani Nato është në gjendje të ngrejë si Nato një sistem të vetin të raketave mbrojtëse i cili do të mbahet nga të gjithë, do të mbahet nga buxheti i përbashkët i Natos që krijohet nga pagesat e të gjithëve. Pastaj duhet parë a janë të gjithë të gatshëm për këtë.