1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NATO pranon kërkesën për avionë AWACS gjatë botërorit

Elert Ajazaj31 Janar 2006

Angazhimi i avionëve zbulues të NATO-s të tipit AWACS është bërë praktikë e zakonshme gjatë veprimtarive të rëndësishme masive pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Nju Jork, si vizita e papës Benedikt XVI në Ditët e Rinisë Botërore apo Kampionati Evropian i Futbollit në Portugali

Avionë zbulimi të tipit AWACS
Avionë zbulimi të tipit AWACSFotografi: AP

Me afrimin e veprimtarisë më popullore sportive të vitit, Kampionatit Botëror të Futbollit, Gjermania 2006, organizatorët janë në fazën përfundimtare të masave për mbarëvajtjen. Derisa Federata Botërore e Futbollit, FIFA, merret me anën sportive të çështjes shteti gjerman siguron kuadrin e sigurisë. Me nismë të ministrit gjerman të punëve të brendshme, Wolfgang Schäuble, Gjermania do të kërkojë mbështetjen e NATO-s në mbikqyrjen e hapësirës ajrore mbi dhe përreth stadiumeve ku do të zhvillohen ndeshjet e kampionatit.

Propozimi i ministrit Schäuble ka gjetur menjëherë mbështetjen e kolegut të tij në kabinet, ministrit gjerman të mbrojtjes, Franz-Josef Jung. Siç pohon ky zëdhënës i ministrisë gjermane të mbrojtjes në takimin e djeshëm me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, ministri Jung ka shprehur parimisht kërkesën për mbështetjen e vendit të tij me avionë zbulimi të NATO-s të tipit AWACS:

"Fillimisht është drejtuar kërkesa nëse avionët e tipit AWACS qëndrojnë parimisht në dispozicion. Është ndjekur procedura e zakonshme. Kërkesa zyrtare do të paraqitet së shpejti, por për datën e saktë nuk mund të them gjë. Kur kërkesa të mbërrijë në NATO, atëherë mbetet përpilimi i misionit."

Angazhimi i avionëve zbulues të NATO-s të tipit AWACS është bërë praktikë e zakonshme kohët e fundit gjatë veprimtarive të rëndësishme masive pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Nju Jork, si vizita e papës Benedikt XVI në Ditët e Rinisë Botërore apo Kampionati Evropian i Futbollit në Portugali. Një zëvendëszëdhënëse e NATO-s i tha programit tonë, se avionët AWACS do të ofrojnë siguri edhe gjatë Lojërave Olimpike Dimërore në shkurt në Torino. Sipas saj, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer i ka shprehur ministrit gjerman miratimin e tij lidhur me kërkesën."

Ndërkaq lidhur me përmasat e misionit në fjalë zëdhënësi i ministrisë gjermane të mbrojtjes u shpreh:

"Këtë nuk mund ta përcaktojë në mënyrë të përgjithshme, pasi Kampionati Botëror shtrihet në një periudhë kohore prej katër javësh dhe zhvillohet në qytete të ndryshme. Kjo është çështje e konceptimit të misionit në mënyrë që të garantohet mbikqyrja e tërësishme."

Topi do të rrotullohet si zakonisht. Lëvizja e avionëve AWACS mbi stadiume me siguri që nuk do të ndikojë në formën e futbollistëve nga mbarë bota.