1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NATO-Rusi: Shenja konfrontimi

23 Mars 2012

Në samitin e NATO-s në maj Rusia nuk do të marrë pjesë. Ende ekziston mundësia, për t'u marrë vesh për mburojën raketore, por koha kalon. Grindja për mbrojtjen nga raketat i tensionon marrëdhëniet, thonë ekspertët.

Tingëllon si një paralajmërim përfundimtar. "Dialogu vazhdon, asnjë derë nuk është mbyllur", tha të premten (23.03.) presidenti rus në largim Dmitri Medvedev në lidhje me NATO-n. Ende ekziston mundësia, për t'u marrë vesh për mburojën e mbrojtjes nga raketat, por koha kalon.

Që marrëveshja të arrihet në maj në Çikago, para samitit të NATO-s nuk ka shumë gjasa. Tregues për këtë është lajmi, që erdhi të enjten (22.03.) nga Brukseli. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen njoftoi, se në samitin e NATO-s nuk do të ketë takim me Rusinë. Shkaku janë probleme të termineve të presidentit të ardhshëm Vladimir Putin. Më parë Rasmussen kishte deklaruar se samiti me Rusinë do të mbahet vetëm atëherë, kur të dyja palët të merren vesh për mburojën raketore në Evropë.

"Për mua nuk është çudi, sepse NATO dhe Rusia nuk kanë arritur të merren vesh në lidhje me mburojën për mbrojtjen nga raketat", thotë Alexander Rahr, ekspert për Rusinë i shoqatës gjermane për politikën e Jashtme (DGAP). Putin nuk ka mundur të reagojë ndryshe, veçse të anullojë samitin në Çikago, thotë Rahr. Përndryshe shefi i Kremlinit do ta kishte filluar presidencën e tij me humbje prestigji. Mburoja raketore e NATO-s, e iniciuar nga SHBA do të instalohet, mendon eksperti nga Berlini. Qëndrimi rus nuk merret parasysh. Në kushte të tilla „Putini në samit do të ishtre dashur të pranonte vendimin e perëndimit", që do të ishte baraz me një humbje në politikën e jashtme.

A do ta presë Putini zgjedhjen e presidentit amerikan?

Steven Pifer, ekspert për armatimin në institutin Brookings në Uashington shpreh keqardhjen për vendimin e Putinit. Por kjo pritej. Pifer e përcakton si pengesë të madhe faktin, se Rusia ka kërkuar nga SHBA garanci juridike, me qëllim që mburoja raketore të mos mund të drejtohet kundër Rusisë. Administrata e presidentit amerikan Barack Obama nuk është në gjendje që të japë garancitë e dëshiruara nga Moska, beson Steven Pifer: "Nuk ka shans, që kjo të ratifikohet nga senati amerikan". Çështja e mbrojtjes nga raketat është "bërë për fat të keq shumë politike."

Në foto ministri i Jashtëm rus, Sergej LawrowFotografi: picture alliance/dpa

Negociatat me Rusinë vështirësohen edhe më shumë nga fushata zgjedhore në SHBA, mendon Pifer. Mund të ndodhë, që Vladimir Putin fillimisht duhet të presë gjashtë muaj, derisa presidenti i ri i SHBA-së të zgjidhet, mendon eksperti amerikan. Pifer mendon se marrëveshja ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit do të jetë këtë vit e pamundur. Por ai nuk përjashton mundësinë, që kjo më vonë do të jetë e mundur.

Raketa ruse për Kaliningradin

Grindja ndërmjet Rusisë dhe SHBA-së për mbrojtjen raketore zgjat prej disa vitesh. Uashingtoni i arsyeton planet e tij me argumentin se do të mbrojë veten dhe aleatët në Evropë nga raketat e shteteve si Irani dhe Korea e Veriut. Moska e sheh veten të rrezikuar nga stacionimi i radarëve dhe raketave përgjatë kufirit të tij. Konflikti u shkallëzua në vjeshtën e vitit 2011: Presidenti Medvedev kërcënoi me vendosjen e raketave me rreze të shkurtër veprimi të tipit "Iskander" në rajonin e Kaliningradit në kufi me BE, në qoftë se nuk arrihet marrëveshje. Eskpertët në Moskë e cilësuan samitin NATO-Rusi si një lloj dedlajni për marrëveshjen. Pasi kjo është anuluar, ka mundësi që Presidenti i ri Putin të vërë në jetë planet ruse për raketat.

Sipas njoftimeve të mediave forcat ushtarake ruse prej muajsh përgatiten për stacionimin e raketave Iskander. Transferimi i tyre në Kaliningrad në detin Baltik mund të ndodhë në gjysmën e dytë të 2012. Hans-Henning Schröder i fondacionit Shkenca dhe Politika (SWP) në Berlin mendon, se një zhvillim i tillë do të rëndonte edhe më shumë marrëdhëniet mes Rusisë dhe NATO-s. "Mospjesëmarrja e Putinit në samitin e Çikagos është një gjest paralajmërues", mendon Schröder. Putini ka treguar me këtë, se ai për momentin nuk është i interesuar për dialog me NATO-n. Transferimi i raketave Iskander në Kaliningrad do të thotë një përshkallëzim i mëtejshëm. Schröder dyshon megjithatë, që ky stacionim do të ndodhë shpejt.

"Një përshkallëzim i kujdesshëm"

Por në qoftë se kjo ndodh, shtetet e NATOS, që ende besojnë në një kërcënim të aleancës nga Rusia në Evropë, mund të thonë, se kanë patur të drejtë, beson Steven Pifer nga Brookings-Institut. Ai përmend shtetet Baltike dhe Poloninë, në kufirin e të cilave do të staciononte raketat Rusia.

Pamje ilustrueseFotografi: picture-alliance/dpa

Alexander Rahr i DGAP në Berlin mendon se nga kjo "mund të vihej përsëri në lëvizje spiralja e armatimit." Por Rahr nuk e sheh rrezikun e një lufte të ftohtë. Si Rusia, ashtu edhe SHBA nuk janë të interesuara. "Përshkallëzimin do ta bëjnë më shumë kujdes, që të mund ta përfundojnë në shkallën tjetër", supozon eksperti nga Berlini.

Shumë do të varet tani nga një takim personal i presidentit amerikan Obama dhe homologut të tij të ardhshëm rus Putin, mendon eksperti amerikan Pifer. Një takim i tillë do të zhvillohet në maj në kuadër të takimit të G-8 në Camp David pranë Uashingtonit. Termini nuk është anuluar.

Autor: Roman Goncharenko / Angjelina Verbica

Redaktoi: Esat Ahmeti