1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NATO vendosi reduktimin e trupave për ndërhyrje të shpejta

26 Tetor 2007

Temat: Përfundimi i takimit të ministrave të mbrojtjes së vendeve të NATo-s në Nordvijk të Holandës, vendimi i SHBA-ve për forcimin e sanksioneve ndaj Iranit, zjarret.

Flamujt e NATO-s në Nordvijk, Hollandë
Flamujt e NATO-s në Nordvijk, HollandëFotografi: AP

Në qendër të vëmendjes së gazetave të sotme gjermane janë këto tema: përfundimi i takimit të ministrave të mbrojtjes së vendeve të NATo-s në Nordvijk të Holandës, vendimi i SHBA-ve për forcimin e sanksioneve ndaj Iranit si dhe zjarret në Kaliforni.

Në takimin e tyre në Holandë ministrat e mbrojtjes të vendeve të NATO-s vendosën reduktimin e trupave për ndërhyrje të shpejta.
Qeveria gjermane e përshëndeti këtë vendim, sepse Bundesveri për shkak të mbingarkesës nuk është në gjendje që të organizojë edhe trupa rezervë për ndërhyrje të shpejta.

Në lidhje me këtë vendim «Neue Osnabrücker Zeitung» shkruan:

Ky reduktim në të vërtetë do të thotë se kjo trupë ka marrë fund.
Për NATO-n kjo do të thotë se ajo është shumë mbrapa pretendimit të saj për të qenë në gjendje që të veprojë menjëherë ushtarakisht në të gjithë botën. Por kjo trupë nuk bëhet e tepërt, sepse ajo mbetet garanci për të ashtuquajturën pacënueshmëri e territorit të vendeve të NATO-s. Po ashtu NATO-ja siguron edhe pjesëmarrjen aktive të SHBA-ve për sigurimin e paqes në Evropë. Një gjë e tillë nuk është pak. Por në kohët e sotme të rreziqeve globale në fushën e sigurimit do të nevojitej më tepër. Por me sa duket për të tilla gjëra mjetet financiare nuk mjaftojnë.

Gazeta «Financial Times Deutschland» (Hamburg) trajton sanksionet e mëtejshme të SHBA-ve ndaj Iranit:

Në thelb qeveria e SHBA-ve mbështet dhe forcon me sanksionet e reja ndaj Iranit vetëm strategjinë e drejtë me anë të së cilës bashkësia ndërkombëtare po përpiqet prej vitesh që ta detyrojë Teheranin të heqë dorë prej pasurimit të uraniumit. Por qëndrimi individual i amerikanëve është sa i panevojshëm aq edhe i dëmshëm. Ky nxitim është i shpjegueshëm pas konfliktit tjetër të rëndë mes SHBA-ve dhe Iranit, i cili gjen shprehjen e vet praktike çdo ditë në Irak, por përzierja e këtyre dy problemeve e vështirëson më tepër zgjidhjen diplomatike të konfliktit për armët bërthamore.
Mirë do të ishte që të përdorej mjeshtëria diplomatike për t'i ndarë këto dy çështje prej njëra-tjetrës. Po në prag të vitit kur në SHBA do të zhvillohen zgjedhjet synohet më tepër nga mesazhet e qarta dhe të thjeshta.


Gazeta «Sächsische Zeitung» (Dresden) trajton problemin e djegies së pyjeve në Kaliforni

Edhe pse pakësimi i erërave tregon se vrulli i zjarreve së shpejti do të marrë fund kërcënimi i vazhdueshëm prej rrezikut të zjarreve do të vazhdojë të jetë i pranishëm. Katastrofa të tilla do të vazhdojnë për sa kohë do të vazhdojë shfrytëzimi i pamëshirshëm i natyrës dhe i burimeve të saj. Meritë e guvernatorit Arnold Schwarzenegger është se ai e ka vendosur politikën ekologjike në plan të parë. Por kjo nuk do të thotë se patjetër një gjë e tillë do të çojë në ndryshimin e qëndrimit të përgjithshëm dhe të stilit të jetesës."

Gazeta «Mannheimer Morgen» heq një paralele mes zjarreve të pyjeve në Kaliforni me ato në Greqi dhe shkruan:

Për shkak të pozitës së saj gjeografike Kalifornia e jugut është një rajon i kërcënuar prej kohësh prej zjarreve të pyjeve. Ngrohja globale e klimës mund t'i ketë përforcuar premisat e kësaj gjendjeje, por si edhe në rastin e zjarreve të pyjeve në Greqi, edhe në Kaliforni shumë prej zjarreve duhet të jenë vënë prej njerëzve të caktuar. Po ashtu si edhe në Greqi edhe zjarrfikësat në Kaliforni nuk ishin në gjendje që të reagonin në kohën e duhur me të gjitha mjetet e duhura, ose nuk ishin të pajisura në kohë me të gjitha mjetet e duhura.