Ndërmjet disiplinës dhe improvizimit- Praktikantë nga Ballkani në programin Zoran Xhinxhiç
9 Korrik 2010
Ka disa dallime ndërmjet kulturave të punës në Gjermani dhe Ballkan. Alina Gumpert, koordinatore e programit Zoran Xhinxhiç jep një shembull: “Gjermanët zakonisht i përmbahen axhendës, pra ata zbatojnë një më një të gjitha pikat për të cilat është rënë dakord, dhe pastaj shkojnë tek tjetra. Ndërsa në Ballkan njerëzit bëjnë disa punë njëkohësisht. Kjo i bën ata më fleksibël, por në një ambjent gjerman mund të shkaktojë fërkime.”
Dhe fërkimet shmangen më së miri kur e njeh menatalitetin e kolegut. Seminari njëjavor në Berlin ku merr pjesë edhe Zhaneta Bogdani mundohet pikërisht që të japë një njohje të përgjithshme për kulturën gjermane. 25-vjeçarja është njëra nga 60 praktikantet dhe praktikantët e sivjetshëm të programit Zoran Djindjic.
Praktikat i ndërmjetëson Lidhja e Industrisë Gjermane dhe fondacioni nga Beogradi që mban emrin e ish-kryeministrit serb të vrarë në vitin 2003. Për tre deri në gjashtë muajt e ardhshëm, të rinjtë nga Ballkani, ndër ta edhe dy nga Kosova, do të kenë mundësi të njihen nga afër me ambjentin e punës në Gjermani.
Më afër punës së dëshiruar
Stacioni i Zhaneta Bogdanit do të jetë në Hannover në qendrën firmës “Rossmann”, e cila vitin e kaluar hapi filialet e para në Shqipëri: “Aty do të njihem me të gjitha departamentet dhe shpresoj që kjo të më shërbejë si një trajnim për të fituar një vend pune tek “Rossmann & Lala” në Shqipëri.”
Shumica e praktikantëve janë duke studiuar ose sapo kanë përfunduar degët e ekonomisë dhe inxhinierisë. Zhaneta Bogdani, ka studiuar gjermanisht dhe ekonomi dhe ka punuar për disa vite me radhë në Shqipëri në një firmë gjermane. Ambjentimi me kulturën e punës në Gjermani për të do të jetë më i thjeshtë, se në rastin e Rudina Preçit, e cila sapo ka përfunduar në Tiranë studimet për inxhinjeri ndërtimi. Prarktikën e saj në Europols në Neumarkt / Oberpfalz do të jetë njëkohësisht përvoja e saj e parë e punës.
Firmat kanë vetë interes
Kushti kryesor i pjesëmarrjes nën programin Djindjic është mosha – nën 30 vjeç. Rrogën e bursistëve e paguan Ministria gjermane për Zhvillim dhe Bashkëpunim Teknik (BMZ), ndërsa fjetjen dhe sigurimin e mbulojnë vetë firmat.
Interesi është i ndërsjellë. Praktikantët bëjnë përvojë pune, por edhe firmat shqyrtojnë përmes tyre nyjet ndërlidhëse për filialet ekzistuese ose të ardhshme. Shumica e tyre synojnë ose kanë hapur tashmë filiale në Ballkan, si për shembull WAZ Mediengroup nga Esseni ku do të shkojë Elvin Civici nga Vision Plus dhe firma ku do të shkojë Arbi Gaba, që merret me pastrimin e ujërave në vende të ndryshme të botës, ndër të tjera edhe në Shqipëri.
Trajnuesit në seminarin njohës u japin praktikantëve me vete një këshillë: Që ta ruajnë kulturën e tyre të punës, duke respektuar njëkohësisht atë të kolegëve të tyre gjermanë. E thënë me fjalë të tjera: Disiplinë dhe organizim po, por pa hequr dorë nga talenti improvizues, nganjëherë aq i çmuar, i ballkanasve.
Autor: Anila Shuka
Redaktoi: Aida Cama