Ndërrohet komanda e ISAF-it në Afganistan
10 Janar 2008Në Mazar-i-Sharif ndërrohet komanda: Gjeneral-brigade Dieter Dammjacob ka marrë në dorëzim nga gjeneral-brigade Dieter Warnecke drejtimin e komandës rajonale të ISAF-it në Veri dhe të kontigjentit të Bundesverit në Afganistan. Warnecke e mori komandën në gusht në një fazë të vështirë, gati gjashtë muaj më vonë vështirësitë sipas mendimit të tij nuk janë kapërcyer.
E kuptoj shumë mirë, që Afganistani ende nuk është i stabilizuar, thotë tani gjenerali: "Ende ka shumë faktorë destabilizues në vend, ka shumë rezerva armësh, kultivim droge, kriminalitet të organizuar dhe në përgjithësi ka korrupsion të madh në qeveri, në administratë dhe në forcat e rendit."
Gjatë muajve të fundit ISAF-i u është kundërvënë masivisht kryengritësve dhe kriminelëve në Veriun, që konsiderohet si relativisht i qetë. Lidhur me këtë gjenerali Warnecke nuk u shpreh direkt, por vetëm tha: "Unë besoj se muajt e fundit është bërë e qartë, që ne kemi kërkuar intensivisht armë të fshehura dhe nga informacionet tona kemi gjetur shumë të tilla. Tani ne jemi duke u përpjekur, që ta shmangim këtë kërcënim për vendin."
Duhet fituar besimi i poopullsisë afgane
Dieter Warnecke thekson, se rindërtimi në Afganistan presupozon në radhë të parë konsolidimin e forcave afgane të rendit. Popullsia duhet të ketë një partner të besueshëm tek policia, e cila duhet të garantojë sigurinë nëpër provinca.
Komandanti i ri rajonal i ISAF-it Dieter Dammjacob e mbështet këtë mendim. Detyra kryesore e tij muajt e ardhshëm do të jetë të mbështesë forcat afgane të rendit për krijimin e një terreni të sigurt: "Në radhë të parë synohet që të zgjerohet ushtria afgane. Siç e dini duhet të instalohet një brigadë dhe përveç kësaj duhet të avancojë procesi i kualifikimit të forcave të policisë. "
Paradhësi i tij Dieter Warnecke theksoi në fund, se vetëm një situatë e mirë e sigurisë mund të përmirësojë në mënyrë të qëndrueshme standardin e jetesës së afganëve: "Mos harroni, se pa siguri nuk ka rindërtim dhe këtë duhet ta kuptojë çdo afgan."