1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndërron jetë presidenti i Parlamentit Europian David Sassoli

11 Janar 2022

Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, ka vdekur në Itali. Prej kohësh 65-vjeçari ishte në spital. Sassoli konsiderohej një katolik përparimtar dhe një luftëtar për të drejtat e emigrantëve.

David Sassoli
Fotografi: Julien Warnand/Pool/AP/picture alliance

Kreu i Parlamentit Evropian, David Sassoli, ka ndërruar jetë në Aviano të Italisë. Zëdhënësi i Parlamentit, Roberto Cuillo njoftoi në Twitter se Sassoli vdiq në orën 01:15 të mëngjesit, në një qendër onkologjike, në rajonin verilindor italian të Friuli Venezia Giulia. Italiani 65-vjeçar ishte atje për më shumë se dy javë "pas një ndërlikimi të rëndë për shkak të një mosfunksionimi të sistemit imunitar", shpjegoi Cuillo.

Sassoli është dërguar në spital me 26 dhjetor. Prej asaj kohe janë anuluar të gjitha takimet e tij zyrtare. Në shtator Sassoli ishte për trajtim në një spital për pneumoni dhe nuk ishte në gjendje të kryente detyrat e tij si President i Parlamentit të BE-së për disa javë. Sassoli ka pasur edhe leukemi një herë më parë.

Kryetar parlamenti prej vitit 2019   

Socialdemokrati ishte president i Parlamentit që nga zgjedhjet evropiane të vitit 2019. Mandati i tij ka përfunduar këtë muaj në gjysmë të periudhës legjislative, siç u ra dakord nga krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së. Sassoli ka njoftuar më parë se nuk do të rikandidonte për këtë post. Pasardhësi apo pasardhësja e tij është dashur të zgjidhet javën që vjen në një seancë plenare të Parlamentit në Strasburg.

Fotografi: Geert Vanden Wijngaert/AP/dpa/picture alliance

Menjëherë në mëngjes kanë shprehur ngushëllime shumë politikanë italianë dhe evropianë. "Ciao David, mik i përjetshëm”, shkruan ministri italian i Kulturës, Dario Franceschini. Komisioneri i BE-së për Klimën, Frans Timmermans shprehu ngushëllimet e tij për familjen e politikanit. "Ngrohtësia e tij ishte një frymëzim për të gjithë ata që e njihnin. Ngushëllimet e mia të sinqerta shkojnë për familjen dhe të dashurit e tij", ka shkruar holandezi në Twitter.

Sassoli ka lindur më 30 maj 1956 në Firence, Toscana. Pas studimeve për shkencat politike, ai punoi si gazetar, fillimisht për gazetat dhe agjencitë e lajmeve dhe më pas për radion publike italiane. Ai u shndërrua shpejt në një fytyrë të njohur për miliona italianë, kur mori detyrën e prezantuesit të lajmeve të mbrëmjes në Rai Uno. Në vitin 2007 ai u bë edhe zëvendësdrejtor i programit të lajmeve TG1.

Në vitin 2009 ai u zgjodh në Parlamentin e BE-së, në listën e Partisë Demokratike Socialdemokrate (PD). Nga viti 2014 ai u zgjodh një nga 14 nënkryetarët e Dhomës së Deputetëve të BE-së. Përveç punës së tij parlamentare, Sassoli vazhdoi të shkruante si autor librash, e ka shkruar edhe për gazeta dhe revista.

Ngritja e tij në postin e Presidentit të Parlamentit të BE-së si pasardhës i bashkëkombasit të tij konservator Antonio Tajani ishte e befasishme për shumë njerëz, pasi Italia kishte asokohe dy poste të tjera kryesore në 2019, me kryeministrin aktual në Romë, Mario Draghi, si kreu i Bankës Qendrore Evropiane dhe Federica Mogherini si përfaqësuese e jashtme e BE-së. Sassoli e bëri të qartë se ai e shihte zgjedhjen e tij si një shenjë të pavarësisë së Parlamentit në luftën për pushtet mes qeverive të shteteve të BE-së. Sassoli ishte, ndër të tjera, një kritik i politikës së migracionit të shumë vendeve anëtare.

Aktivitetet e fundit në PE

Fotografi: POOL/AFP via Getty Images

Sassoli në dhjetor të vitit 2021 mori pjesë në dorëzimin e çmimit Saharov, i cili iu dha Daria Navalny, vajzës së fituesit të çmimit Alexej Navalny dhe të besuarit të tij Leonid Volkov.  "Presidenti”, i cili shpesh fliste në italishten e tij amtare, i drejtonte debatet parlamentare me dorë të ashpër, por pa kritika verbale. Mandati i tij dyvjeçar e gjysmë u shënua nga pandemia e Coronës. Ai ishte i detyruar të koordinonte shumë gjëra përmes internetit dhe rrjeteve. Por aftësitë e tij organizative bënë që ai të fitonte edhe respektin e deputetëve.

Në shenjë solidariteti në mes të krizës, ai vuri në dispozicion ambientet e Parlamentit Strasburg dhe Bruksel për të përgatitur ushqime për familjet në nevojë dhe për të ngritur një qendër testimi për COVID-19. Sassoli ka lënë pas vete dy fëmijë. "Data dhe vendi i varrimit do të publikohen më vonë”, shkroi zëdhënësi i Sassolit në Twitter.

 

 

bc/kle/haz/se (afp, dpa, rtr)