Ndërtimi i Murit të Berlinit në vështrimin e Shqipërisë komuniste
12 Gusht 2011
Kjo ngjarje u përjetua dhe në Shqipërinë nën diktaturën e Enver Hoxhës, që ishte në procesin e shkëputjes së vendit nga Bashkimi Sovjetik për ta afruar me Kinën. Dëshmitarë të asaj kohe shprehen Shqipëria ishte më agresive se Moska për çështjen e Berlinit pasi Enver Hoxha kishte frikë se mos ndonjë reaksion zinxhir i brendshem liberalizmi rrëzonte edhe atë vetë.
Një precedent i rrallë në historinë e Evropës
Shkrimtari dhe historiani Agim Musta, e kujton shumë mirë aktin e ndërtimit të Murit të Berlinit pasi kjo periudhë lidhet me një ngjarje të paharruar për të personalisht dhe familjen e tij. Ish mësuesi i lëndës së Historisë në njërin prej gjimnazeve të Tiranës në gusht të vitit 1961 ishte pikasur nga Sigurimi i Shtetit për veprimtari subversive së bashku me një grup intelektualësh. Pas një procesi hetimor në kushte çnjerëzore një gjykatës vendosi ta dënojë me 13 vite burg me motivacionin “për organizimin e një grupi armiqësor për përmbysjen e Pushtetit Popullor…”. Agim Musta kaloi 11 vite në burgun më famëkeq në Shqipëri, në atë të Burrelit, ku mblidheshin kryesisht nga rradhët e të burgosurve më të rrezikshëm për regjimin komunist.
“Populli shqiptar dhe në përgjithësi shtresa e persekutuar e vendit vazhdimisht shikonim tek Gjermania epiqendrën e Evropës, se si do të shkonin punët mes Lindjes e Perëndimit, sepse aty ishte dhe pika kulminante e tensionit mes Lindjes e Perëndimit. Pikërisht në gusht të vitit 1961 kur nisi të ndërtohet Muri lajmin ne e mësuam nga mediat përndimore që transmetonin në gjuhë të huaj dhe menduam që ishte një precedent i paparë në historinë e Evropës, që në mes të Berlinit të ngrihej një Mur për të penguar qytetarët gjermanë të Lindjes për të kaluar në Perëndim. Ai Mur u bë një ‘mur i vdekjes' se aty kanë lënë kokën disa qindra qytetarë gjermanë, të cilët tentonin të kalonin në botën përendimore. Ajo tregonte se sistemi komunist mundej që vetëm me anën e forcës dhe me anën e dhunës të qëndronte në këmbë.”
Agim Musta në muajin maj të këtij viti prezantoi në Leipzig një ekspozitë të tijën mbi krimet e komunizmit në Shqipëri, quajtur “Burgjet e shtetit burg”. Duke sjellë dhe frymën e diskutimit në ditët e këtij aktiviteti me kolegët gjermanë dhe nga vendet e ish Lindjes komuniste, Musta përmend për DW si një problem të mprehtë për të gjithë këto vende: nivelin jo të mjaftueshëm të njohurive që kanë gjeneratat e reja mbi historinë e diktaturave në kohën e Luftës së Ftohtë.
“Brezat e rinj janë pak të interesuar për të mësuar. Kjo për mua është një fatkeqësi, është një humbje e kujtesës. E nëse një popull humbet kujtesën e së kaluarës ai është i çorinetuar për të ardhmen”.
Shqipëria ishte më agresive se Moska për çështjen e Berlinit
Avokati Spartak Ngjela, ish i burgosur politik në kohën e diktaturës komuniste, e vlerëson ndërtimin e Murit të Berlinit si “një ndarje e inferiorëve me superiorët në funksion të qytetërimit”. Duke iu kthyer realitetit shqiptar të fundit të verës së vitit 1961 Ngjela analizon se udhëheqësi i diktaturës komuniste në Shqipëri Enver Hoxha në dukje ishte pa ndonjë vëmendje të madhe për këtë ngjarje. Sipas tij, Tirana zyrtare e asaj periudhe shpenzonte energji të jashtëzakonshme për shkëputjen nga miqësia me Moskën dhe për tu afruar me Pekinin.
“Në Shqipëri ishte mpirë gjithçka. Komunizmi dukej në goditje, sepse Enver Hoxha po përgatiste shkëputjen nga Moska, por jo nga komunizmi, gjë që ishte kuptohet në funksion të pushtetit të tij. Shqipëria ishte më agresive se Moska për çështjen e Berlinit. Nuk kuptohej fare ky njeri. Shqipëria drejtohej nga një demon, i cili njihej si marksist, por që Marksin nuk e njihte… Në funksionin politik ai ishte që për Berlinin të bëhej një zgjidhje drastike. Enver Hoxha kishte frikë se mos ndonjë reaksion zinxhir i brendshëm liberalizmi rrëzonte edhe atë vetë. Dhe po ta shikosh nga shtypi i kohës këta ishin për masa drastike. Pra, Shqipëria nuk doli kurrë nga Lindja. Gjatë gjithë kohës që jetoi Enver Hoxha të njëjtën devizë kishte: ekstrem i majtë. Ai ishte stalinist, jo neostalinist si ata që ishin shfaqur në rradhët e politikës ruse.”
Në tetor të vitit 1975 Spartak Ngjela u arrestua nën akuzën e aktivitetit kundër regjimit komunist dhe nga ajo kohë deri në shkurt të vitit 1991 ai vuajti dënimin si i burgosur politik në qelitë e Burrelit. “Rënia e atij Muri rreth 28 vite pas ndërtimit ishte simboli i shpëtimit nga komunizmi. Nga rënia e atij Muri ja nisën ndryshimet demokratike në Shqipëri dhe të burgosurit politikë fituan lirinë”- thotë avokat Ngjela për DW.
Ndërtimi i Murit nuk u kap nga e gjithë shoqëria shqiptare
Jorgji Kote, diplomat karriere ka botuar para dy viteve në Tiranë librin “Berlini pa mure”. Kote që ka punuar në periudhën 2001 – 2005 si funksionar në ambasadën shqiptare në Berlin thotë për DW-në se domethënia e ndërtimit të Murit 50 vite më parë nuk është se u kap nga e gjithë shoqëria shqiptare.
“Do të duheshin vite dhe dekada, madje dhe vetë shembja e Murit të Berlinit që të kuptoheshin në gjithë gjerësinë e vet pasojat me përmasa botërore të atij 13 gushti të vitit 1961. Kjo mendoj për shkak të izolimit dhe heshtjes së propagandës sonë zyrtare të asaj kohe, ku fjala ‘Mur' nuk përmendej. Se, me siguri, po të përmendej se u ngrit një Mur në mes të Berlinit, 156 km i gjatë, me tela me gjemba, se jo perëndimi kapitalist por lindja komuniste po ‘përmbytej' me refugjatë nga perëndimi' atëhere dhe jehona politike e kësaj ngjarjeje do të ishte shumë më e madhe. Por nëse ngritja e Murit 50 vite më parë nuk u pa e nuk u ndje nga shumica e shqiptarëve, shembja e tij dha një efekt shumë të madh. Manifestimet madhështore të berlinezëve ato ditë të flakta nëntori zgjuan dhe ngjallën shpresën e madhe të shqiptarëve dhe familjet tona. Kishte filluar numërimi mprapsht i ditëve drejt lirisë dhe demokracisë së vërtetë. Në qendrat e punës e të prodhimit, në dikasteret e ndryshme, ndihej atmosfera e zymtë dhe tronditja që kishte shkaktuar rënia e Murit. Në ato vite punoja si ekspert në ish-Ministrinë e Tregtisë së Jashtme; aty e kam parë dhe ndier nga afër këtë shokim të paparë politik të regjimit. U shtuan pa masë tensioni, kërkesat për mobilizim ‘ditë e natë' në punë. Po me se? Ekonomia kishte rënë në kolaps të plotë, besimi ynë tek e ardhmja socialiste kishte shteruar”.
Autor: Arben Muka
Redaktoi: Aida Cama