1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndërtuesit shqiptarë nënshrkuajnë marrëveshje bashkëpunimi me Gjermaninë

Anila Shuka, Berlin19 Shkurt 2004
Dy vjet mbas krijimit, Shoqata e Ndërtuesve Shqiptarë nënshkroi të martën (17. 02.04) në Berlin një marrëveshje bashkëpunimi me simotrën e saj gjermane. Për palën shqiptare atë e nënshkroi drejtori ekzekutiv i shoqatës, Shkëlqim Bumçi, ndërsa për atë gjermane, Michael Knipper, drejtor i Shoqatës Kryesore të Industrisë Gjeramane të Ndërtimit. Përvec fitimit të përvojës nga simotra gjermane, Bumçi shpreson që kjo do të mund ta ndihmojë Shoqatën e Ndërtuesve Shqiptarë (Albanian Builders Association – ABA) të pranohet në Federatën Evropiane të Ndërtuesve me qendër në Bruksel (FIEC). Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve Gjermanë, Michael Knipper, mbas nënshkrimit të marrëveshjes tha se kështu i hapet rruga shoqatës së tij të mbikqyrë dhe shoqërojë veprimtarinë e antarëve të saj në Shqipëri. Njëra nga firmat antare të shoqatës gjermane të Ndërtimit është koncerni Hochtief AG, me qendër në Dyseldorf, që para pak kohësh u shpall njëri nga fituesit e tenderit për rindërtimin e aeroportit „Nënë Tereza“ në Tiranë.

Ambasadori shqiptar në Gjermani, Gazmend Turdiu, i cili me të ardhur në detyrë, një vit më parë, e kishte vënë nxitjen e kontakteve mes biznesmenëve në krye të axhendës, thotë për DW se kjo është një ngjarje e shënuar për biznesin shqiptar: „Jo vetëm që përmes kësaj do të rritet bashkëpunimi bilateral, por kështu do të mund të përmirësohet edhe reputacioni i ndertuesve shqiptarë në Gjermani dhe do të rritet atraktiviteti i Shqipërisë për investitorët gjermanë“.

„Qëllimi ynë kryesor është bashkëpunimi i drejtpërdrejtë ndërmjet firmave gjermane dhe shqiptare“, thotë Knipper. Përmes ketij partneriteti, do të krijohen mundësi të reja, që firmat gjermane të investojnë në Shqipëri. „Ne do të informojmë fillimisht njëri-tjetrin për kushtet e investimit, bashkëpunimi vjen më vonë vetvetiu“, thotë drejtori ekzekutiv i Degës Kryesore të Industrisë Gjermane të Ndërtimit. Knipper shpreson, se një ditë ky bashkëpunim nuk do të kufizohet vetëm në territoret e dy vendeve, por edhe në vende të tjera.

Në bazë të marrëveshjes, shoqatat simotra marrin përsipër të këmbejnë informacione nëpërmjet seminareve dhe takimeve informuese sipas nevojave të secilës palë. Knipper thotë, se seminari i parë i këtij lloji do të zhvillohet brenda vitit dhe synon të informojë reciprokisht rreth plotësimit të parametrave teknikë të kërkuara nga Bashkimi Evropian, punës lobiiste në politikë dhe mënyrës së mbrojtjes së të drejtave para organizatave sindikaliste. Seminaret do të mbështeten dhe mbikqyren edhe nga Ministria gjermane për Zhvillimin dhe Bashkëpunim Ekonomik.

Shqiperia eshte vendi i pare Evropiano Lindor, e jo kandidat per Bashkimin Evropian, me te cilin Industria Gjermane e Ndertimit ka nenshkruar nje marreveshje te tille. Marrëveshje të ngjashme janë nënshkruar me pesë vendet evropiano-lindore, Poloni, Ceki, Sllovaki, Letoni dhe Lituani, që së shpejti do të jenë pjesë e Evropës së Bashkuar.