1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndalet furnizimi me gaz nga Nord Stream 1 për Gjermaninë

11 Korrik 2022

Frika për ndërprerjen e plotë të gazit nga Rusia përfshin Gjermaninë. Nga e hëna mbyllet rubineti i gazit të gazsjellësit NordStream për shkak të punimeve. Nuk dihet nëse do të rrjedh gaz rus pas përfundimit të tyre.

Ukraine-Konflikt - Nord Stream 1
Fotografi: Stefan Sauer/dpa/picture alliance

(E akt.) Nord Stream 1 nuk sjell më gaz në Gjermani, sepse nga sot kryhen punime tek gazsjellësi që i sjell gaz drejtpërdrejt Gjermanisë. Punimet e gazsjellësit lidhen me një turbinë të Siemensit, e cila duhet të vinte nga Kanadaja, dhe që vetëm në fundjavë mori dritën jeshile për transport. Kanadaja hezitonte me dhënien e lejes për turbinën e gazsjellësit, sepse dhënia e turbinës do të shkelte sanksionet kundër Gazpromit. Por në fundjavë qeveria në Otava dha një leje të kufizuar, që u përshëndet nga kancelari Scholz.

Turbina e Siemensit do të dërgohet në Gjermani fillimisht, e pastaj ajo do të instalohet tek gazsjellësi. Ukraina u shpreh e zhgënjyer për këtë përjashtim nga sanksionet, duke përmendur, se kur vjen puna tek gazi, solidariteti europian shkon në limit. Por ministri kanadez për burimet natyrore, Jonathan Wilkinson,tha se pa furnizimin me gaz, gjermanët kanë rrezik të mos ngrohin dot shtëpitë e tyre në dimër, prandaj Kanadaja po e jep lejen. 

Kancelari gjerman, Olaf Scholz është i mendimit, se masat kundër ngushticave të furnizimit me gaz do të jenë të nevojshme  edhe përtej dimrit që vjen. Në një mesazh me video politikani i SPD-së u shpreh se "këto ditë na preokupon siguria e furnizimit me energji. Kjo do të na preokupojë ende në javët e ardhshme, muajt dhe vitet e ardhshme."

Ky nuk është paralajmërimi i parë i kancelarit gjerman këtë javë.Të hënën e kaluar Olaf Scholz i përgatiti gjermanët për një krizë të zgjatur me çmime të larta. Në videomesazhin e fundjavës ai theksoi se qeveria gjermane brenda një kohe shumë të shkurtër ka marrë shumë vendim,e që Gjermania të jetë e përgatitur mirë. "Ne po ndërtojmë përçues, terminale të gazit të lëngshëm. Ne kujdesemi që depot e gazit të mbushen. Ne kujdesemi që të përdoren centralet e qymyrit, që të kursejmë gazin."

Fotografi: Bend von Jutrczenka/picture alliance/dpa

Por sipas Scholz në plan afatgjatë bëhet fjalë që të pavarësohemi nga importimi i naftës, qymyrit dhe gazit dhe të zgjerojmë energjitë e rigjenrueshme. Këtë po e bëjmë me shumë ligje, që janë miratuar këtë javë", tha kancelari gjerman, duke shtuar, se kjo po bëhet me një temp të tillë kohor, "të cilin Gjermania nuk e ka njohur më parë dhe kjo është e nevojshme."

"Makth politik"

Nga një "skenar makthi politik" paralajmëron ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck para kërcënimit për ndërprerjen e plotë të gazit nga Rusia. Për këtë skenar bëhet fjalë, kur shteti në rast akut krize duhet të komandojë ndarjen e gazit, tha Habeck për Deutschlandfunk. Nuk kam iluzione, ka thënë politikani i gjelbër, se çfarë do të thotë ndodhë. "Kjo do ta vendosë Gjermaninë para një sprove të skajshme, që në këtë formë nuk e kemi pasur prej kohësh." Një situatë e tillë mund të mënjanohet, nëse kursejmë gaz, ka thënë Habeck. Një ndërprerje e menjëhershme e gazit do ta "çonte në limit solidaritetin shoqëror. Ministri gjerman i Ekonomisë ka thënë, se sipas normës europiane "më së fundmi" ndërhyhet në përdorimin privat të gazit, tek infrastruktura kritike si spitalet dhe qendrat e kujdesit për të moshuarit."

Robert HabeckFotografi: Patrick Pleul/dpa/picture alliance

Edhe kreu i Agjencisë Federale të Rrjetit, Klaus Müller i trembet një "varfërie të gazit" dhe i përgatit qytetarët për një krizë të zgjatur. "Edhe nëse nuk do të kemi emergjencë të gazit, ai do të mbetet i shtrenjtë", ka thënë Müller për revistën "Focus". Ende pasojat e ngushticave të furnizimit me gaz nuk kanë mbërritur tek konsumatorët. Sipas Müller "për një familje kjo do të thotë 2000-3000 euro më shumë në vit."

la/tgsch