1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndalimet e policëve - Kosova akuzon Serbinë për hakmarrje

18 Prill 2024

Autoritetet kosovare u kanë drejtuar thirrje qytetarëve të Kosovës të shmangin me çdo kusht kalimin nëpër territorin e Serbisë dhe të përcjellin me vëmendje “situatën e tensionuar të sigurisë”.

Pika e kalimit kufitar Merdare
Pika e kalimit kufitar MerdareFotografi: Visar Kryeziu/AP Photo/picture alliance

Qeveria e Kosovës bën të ditur se 10 pjesëtarë të policisë së Kosovës u ndaluan në Serbi nga autoritetet serbe për t'u marrë në pyetje, në mesin e tyre edhe Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë, Dejan Jankoviç. Pesë policë ndërkohë u liruan, ndërsa pesë të tjerë akoma po mbahen nga autoritetet serbe. Sipas Ministrisë së Brendshme të Kosovës, pjesëtarët e policisë janë shqiptarë dhe serbë të Kosovës dhe ata u ndaluan "në kalimet kufitare Merdare, Jarinje, Dheu i Bardhë dhe në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë". Policët nuk ishin duke kryer detyra zyrtare. 

Gjatë ditës së 17 prillit, gjashtë autobusë nga Kosova u ndaluan përreth 20 orë nga policia serbe në kufirin Kroaci-Serbi, për t'u liruar më vonë pas marrjes në pyetje nga policia serbe. Qytetarët kosovarë po ktheheshin nga vendet perëndimore. Autoritetet kosovare u bënë thirrje qytetarëve që të shmangin me çdo kusht kalimin nëpër territorin e Serbisë dhe të përcjellin me vëmendje "situatën e tensionuar të sigurisë”.

Fotografi: EU Council/Anadolu/picture alliance

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, përmes një komunikate, ndërkaq, hodhi poshtë pretendimet për ndalimin e autobusëve nga Kosova. "Në kufi po kryhen kontrolle për të rritur sigurinë, gjë që mund të shkaktojë vonesa”, thuhet në komunikatë.

"Ndalimi i qytetarëve në kufi është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut”

Autoritetet e larta të Kosovës dhe Bashkimi Evropian, reaguan pas situatës së krijuar me qytetarët udhëtarë të Kosovës, të cilët akuzuan Serbinë për shkelje të marrëveshjes së lirisë së lëvizjes. Dy krerët e shtetit të Kosovës, Presidentja dhe kryeministri, thanë se autoritetet serbe, po bëjnë "veprim hakmarrës”,  pas votimit të së martës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku Kosova tashmë është një hap më afër anëtarësimit në këtë organizatë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha, se "Serbia po hakmerret ndaj qytetarëve duke i mbajtur peng në pikat kufitare, duke i frikësuar, konfiskuar dokumente dhe duke i privuar nga ushqimi. Një njeri është përgjegjës për këtë, Aleksandar Vuçiq", tha Presidentja. E kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se "ndalimi i qytetarëve në kufi është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut”.

Raportuesja për Kosovën në parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, i bëri thirrje Serbisë të sigurojë lirië e lëvizjes të të gjithëve qytetarëveFotografi: European Union 2024

Raportuesja për Kosovën në parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, i bëri thirrje Serbisë të ndalojë siç tha "së turpëruari veten”. "Duhet të sigurohet liria e lëvizjes së të gjithëve, pa diskriminim në bazë të kombësisë”, shkroi zonja Von Cramon.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se "marrëveshja për lirinë e lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, cakton parametrat e qartë rreth hyrjes dhe daljes së qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata momentale paraqet shkelje të kësaj marrëveshjeje”.

Megjithë situatën e tensionuar Kosovë-Serbi dhe zhvillimet e djeshme me qytetarët kosovarë në kufirin Kroaci-Serbi, në Bruksel takohen të enjten kryenegociatorët për të diskutuar çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit të Serbisë në Kosovë. Temë e pashmangshme, sipas autoriteteve të Kosovës, do të jetë edhe çështja e ndalimit dhe marrjes në pyetje të qytetarëve të Kosovës nga autoritet serbe nëpër pikat kufitare të Serbisë. 

 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë