1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndalohen aktivitetet e Qendrës Islame Shiite në Hamburg

24 Korrik 2024

Ministria Federale e Brendshme e Gjermanisë ka ndaluar aktivitetet e Qendrës Islamike Shiite në Hamburg. Kjo qendër fajësohet për mbështetjen e terrorizmit.

Xhamia Blu në Hamburg nën mbikqyrjen e policisë
Xhamia Blu në Hamburg nën mbikqyrjen e policisëFotografi: Daniel Bockwoldt/dpa/picture alliance

Vitin e kaluar hetuesit gjermanë ishin në rrugën "Schöne Aussicht" në veri të Hamburgut. Në nëntor të vitit 2023 oficerët kontrolluan një ndërtesë mbresëlënëse në Außenalster: Xhaminë Shia Imam Ali, e njohur si "Xhamia Blu". Sot (24.07.24), policia shkoi sërish në të njëjtën adresë. Por këtë herë ajo jo vetëm bastisi, por edhe e mbylli xhaminë.

Sipas informacioneve të ARD-së, Ministria Federale e Brendshme gjermaneka ndaluar punën e shoqatës Qendra IslameHamburg (IZH), e cila menaxhon "Xhaminë Blu”. Ministria njoftoi se shoqata shkel rendin kushtetues të Republikës Federale të Gjermanisë dhe nxit urrejtje antisemite dhe anti-izraelite. Për më tepër, përfaqësuesit e kësaj organizate, siç raportohet, në të kaluarën kanë lavdëruar aktet e dhunshme të organizatave terroriste si Hamasi dhe kanë mbështetur organizatat terroriste si Hezbollahu.

Ndalim edhe për pesë shoqata të tjera

Përveç kësaj, Ministrja Federale e Brendshme Nancy Faeser ndaloi pesë shoqata të tjera që konsiderohen nën-organizata të IZH. Bastisjet e policisë u kryen në tetë lande federale mëngjesin e ditës së mërkurë. Janë kontrolluar gjithsej 53 ndërtesa, duke përfshirë xhamitë dhe ambientet e shoqatës, si dhe janë sekuestruar materiale dhe prona të shoqatës.

Bastisjet në Xhaminë Blu në HamburgFotografi: Daniel Bockwoldt/dpa/picture alliance

Pas bastisjeve vitin e kaluar, autoritetet e udhëhequra nga Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) shqyrtuan materialet e sekuestruara në lidhje me ndalimin aktual të shoqatës. Mes materialeve kishte dokumente të shumta të shkruara, pajisje për ruajtjen e të dhënave, kompjuterë dhe literaturë.

Sipas dokumentit të Ministrisë Federale të Brendshme, i cili përmban më shumë se 200 faqe, IZH dyshohet se propagandon antisemitizëm agresiv dhe armiqësi masive ndaj Izraelit, gjë që shkel idenë e mirëkuptimit ndërkombëtar. Shoqata gjithashtu, siç u tha, përhap ideologjinë e islamizmit totalitar, siç mbështetet nga regjimi iranian.

Akuza për mbështetje të Hezbollahut

Dokumenti përmban edhe një pjesë ku flitet për mbështetjen e terrorizmit: Shoqata akuzohet për mbështetjen e organizatës terroriste Hezbollah, e cila është e ndaluar në Gjermani, për shembull përmes rekrutimit të njerëzve dhe mbledhjes së donacioneve.

Ministria Federale e Brendshme pretendon gjithashtu se IZH ka ndërtuar një strukturë në të gjithë Gjermaninë që ofron udhëzime politike dhe fetare për xhamitë lokale dhe transmeton pikëpamje antisemite dhe antidemokratike në emër të shtetit iranian.

"Xhamia Blu" njihet si një nga qendrat më të rëndësishme të komunitetit fetar shiit në Evropë. Shoqata IZH, e cila u themelua në vitin 1953, fillimisht u financua nga iranianët në mërgim. Ajo konsiderohet të ketë lidhje të ngushta me Iranin, veçanërisht që nga marrja e pushtetit pas 1979 nga fundamentalistët fetarë në Teheran.

Zyra e Hamburgut për Mbrojtjen e Kushtetutës monitoron punën e IZH që nga viti 1993 dhe e klasifikon këtë shoqatë si islamiste, sepse përfaqëson ideologjinë fundamentaliste të regjimit iranian. Sipas Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës, ajo është një "degë e jashtme e Teheranit që vepron sipas direktivave".

Aktakuza e pasuksesshme

Kundër mbikëqyrjes nga Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës, drejtuesit e IZH kanë bërë padi, por pa sukses. Në qershor 2023, pas një gjyqi dyditor, Gjykata Administrative në Hamburg vendosi që autoritetet ende mund ta klasifikonin shoqatën si një organizatë islamiste me qëllime që janë kundër kushtetutës dhe se mund ta përmendnin atë në Raportin për Mbrojtjen e Kushtetutës. Gjykata vlerësoi se vetëm disa deklarata për IZH në Raportin për Mbrojtjen e Kushtetutës të vitit 2019 ishin të paligjshme.

"IZH është qartësisht një institucion ekstremist dhe antidemokratik," tha Senatori i Brendshëm i Hamburgut Andy Grote (SPD) pas dënimit.

Një rrethanë fatlume për shërbimet e sigurisë ishte një zbulim aksidental disa vite më parë, kur në aeroport kontrollohej bagazhi i imamit të "Xhamisë Blu”, i cili shpesh qëndronte në Teheran. Me atë rast, anëtarët e Policisë Federale zbuluan disa fletore dhe dokumente, duke përfshirë dokumente që mund të lidhen me aparatin e sigurisë iraniane.

Xhamia Blu sot në mëngjes bastiset nga policiaFotografi: Daniel Bockwoldt/dpa/picture alliance

Nga dokumentet e gjetura, doli se udhëheqja e xhamisë me sa duket ka lidhje të ngushta me regjimin në Teheran. Në dokumente, për shembull, kreu i IZH, Mohammad Hadi Mofatteh, në letra përmendej si "përfaqësues i liderit suprem, kreu i Qendrës Islamike të Hamburgut". Shërbimi Federal i Inteligjencës (BND) gjithashtu konfirmoi në një raport zyrtar se vetë Mofatteh shërbeu në Korpusin e Gardës Revolucionare iraniane në fillim të viteve 1990.

Prona padyshim bëhet pronë e shtetit

Ndalimi i sotëm i veprimtarisë së IZH përmban edhe një zë të veçantë. Sipas informacioneve nga NDR, WDR dhe SZ, prona në Außenalster tani është në pronësi të shtetit. Nuk dihet ende se cila do të jetë e ardhmja e këtij objekti. Sipas informacioneve nga qarqet e sigurisë, Xhamia Blu duhet të vazhdojë të shërbejë për qëllime fetare edhe në të ardhmen, por ende nuk është vendosur se kujt do t'i besohet menaxhimi.

Ndalimi i sotëm i punës së IZH-së përbën një goditje të rëndë ndaj aktiviteteve dhe strukturave të regjimit iranian në Evropë, kjo u dëgjua nga qarqet e sigurisë, ndërsa në qarqet diplomatike pritet që Teherani të mund të reagojë ndaj kësaj lëvizjeje duke ndaluar punën e Organizatave dhe institucioneve gjermane në këtë vend. Apo edhe masa më të rënda hakmarrëse.

Frikë nga hakmarrja

Sipas informacioneve të NDR dhe WDR, në Ministrinë e Punëve të Jashtme ka shqetësim të madh se shtetasi gjermano-iranian Jamshid Sharmahd, i dënuar në shkurt 2023 për akte të dyshuara terroriste, tani mund të ekzekutohet. Sharmahd, i cili ishte aktiv në opozitën iraniane në mërgim, u arrestua nga shërbimi i inteligjencës iraniane në Dubai në verën e vitit 2020 dhe u transferua në Iran. Që atëherë ai është në burg në Teheran.

Gjykata Revolucionare e shpalli këtë 68-vjeçar ndër të tjera përgjegjës për sulmin terrorist ku mbetën të vrarë 14 persona. E njëjta gjykatë e akuzoi edhe për bashkëpunim me shërbime të huaja inteligjente, si CIA amerikane apo Mossadi izraelit. Sharmahd, megjithatë, i ka mohuar vazhdimisht akuzat.

Ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock (të Gjelbërit) e quajti vendimin të papranueshëm dhe i bëri thirrje qeverisë iraniane që ta "anulojë atë menjëherë". Në reagim ndaj vendimit, qeveria gjermane dëboi dy punonjës të ambasadës iraniane në Berlin, duke përfshirë një anëtar të shërbimit inteligjent iranian.

WDR/MDR/ARD