070909 Länderspiel Vorschau
8 Shtator 2009Ekipi i parafundit i grupit të katërt për kualfikim në Kupën Botërore, ka arritur deri tani të shënojë vetëm një gol. Ndaj trajneri i kombëtares gjermane Joachim Löw kërkon nga lojtarët e tij: "Të tregojnë dominancë në lojë, të luajnë me tërë forcën përpara, të shfrytëzojnë shanset, të shënojnë gola dhe të kenë një farë dinamike dhe vrulli në lojë".
Ndeshjen me Afrikën e Jugut trajneri Löw e konsideron si pikënisje.Gjermania fitoi me rezultat 2 me 0 pa përdorur të gjithë forcën dhe mundësitë e saj.
Si e vlerësojnë ndeshjen vet lojtarët?
Kapiteni Michael Ballack: "Ne jemi të kënaqur, ne fituam dhe shënuam dy gola të bukur. Ne kishim po ashtu disa shanse të mira për të shënuar gola të tjera. Ne me siguri që kishim ndonjëherë pak boshllëk, por mendoj se kjo ka të bëjë shumë edhe me kundërshtarin. Qysh në fillim u ndje është vërejtur se loja kishte një lloj karakteri miqësor."
Edhe pse Mesut Özil nga Verder Bremen ishte për herë të parë në formacionin kryesor ai bëri një lojë të shkëlqyeshme. "Ekipi dhe trainerët qëndronin pas meje. Unë doja të ndihmoja sa më shumë ekipin dhe mendoj se ia kam arritur me sukses. Natyrisht që jam shumë i gëzuar që shënova edhe golin e parë në ndeshje me kombëtaren".
Edhe traineri Löw kishte fjalë të mira për Özil: "Nga ana teknike i mrekullueshëm, ka luajtur shumë mirë në sulm, duke krijuar shumë situata dhe shanse të mira. Ai u dallua shumë në sulm dhe kishte aksione shumë të mira".
Dhe mundi i Özil nuk shkon dëm. 20 vjeçari do të jetë qysh në minutën e parë në fushë edhe në ndeshjen kundër Ajzerbaixhanit.
Kapiteni Michael Ballak ka vërejtur edhe faza të dobëta për kombëtaren gjermane gjatë lojës kundër Afrikës së Jugut. "Prandaj ne duhet të lëvizim më shumë. Kjo do të jetë shumë me rëndësi. Të mbajmë ritmin dhe ndoshta të shënojmë golin e parë pak më herët. Pastaj natyrisht që do të jetë më e lehtë. Por nëse nuk ndodh kjo, ne duhet thjeshtë të ruajmë qetësinë dhe të presim shansin tonë. Jam thellësisht i bindur që ne do të fitojmë".
Nga Kampionati Evropian i Futbollit për Femra në Finlandë
Për fitore të njëpasnjëshme mund të krenohet ndërkohë kombëtarja gjermane e futbollit për femra. Në kampionatin evropian të futbollit për femra, që po zhvillohet në Finlandë, ekipi gjerman u kualifikua për në finale. Në ndeshjen gjysëmfinale, që u zhvillua në Helsinki, me ekipin e Norvegjisë futbollistet gjermane kanë fituar me rezultatin 3:1. Një gol u shënua edhe nga lojtarja me origjinë nga Kosova Fatmire Bajramaj. Në finale ekipi me traineren Silvia Neid do të luajë kundër ekipit të Anglisë ditën e enjte.
Ndërkaq në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për botërorin 2010, të mërkurën në Tiranë zhvillohet ndeshja mes Shqipërisë dhe Danimarkës.
Autor: Arnulf Boettcher / Esat Ahmeti
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora