070910 Haushaltshilfen Osteuropa
7 Shtator 2010
Në tavolinën e kuzhinës është ulur një çift i moshuar. Pranë tyre qendron një grua me supierën në dorë. Ajo hedh supën me brokoli në pjatat e tyre, u jep bukë dhe diçka për të pirë. Me ton miqësor ajo i pyet të moshuarit, nëse kanë nevojë për diçka tjetër.
Marta quhet gruaja, ajo është në mes të të dyzetave dhe vjen nga Hungaria. Marta bën gjithçka në këtë familje. Pastron, gatuan dhe i ndihmon çiftit të moshuar të bëhet gati për gjumë. Ajo është 24 orë në dispozicion të të dy 90-vjeçarëve nga Boni. Një punë e vështirë, pranon Marta, veçanërisht në fillim:
"Burri shpesh zgjohej natën dhe i duhej të shkonte në banjë. Mua më duhej ta ndihmoja dhe të zbrisja 10 deri 12 herë çdo natë për ta shoqëruar në banjë, ta ndihmoja dhe ta çoja përsëri në dhomën e gjumit. Mendoja se do të kisha mundësia të flija pak pasditeve, por ishte e njëjta situatë. Nganjëherë ndihem mirë dhe e fortë. Por nganjëherë është shumë e vështirë."
150.000 gra nga Evropa Lindore kujdesen për të moshuarit në Gjermani
Marta ka një vit që kujdeset për çiftin e moshuar. Ajo nuk është e specializuar për këtë punë: më parë ka studiuar pedagogji sociale dhe në Gjermani punon si ndihmëse në ekonominë shtëpiake. Punën e kujdestarit për të moshuar, apo të sëmurë ajo nuk ka të drejtë ta bëjë. Për këtë arsye çdo ditë vjen një infermiere gjermane për të matur vlerat e sheqerit në gjak, për të bërë injeksionin e insulinës dhe për t'u dhënë të moshuarve barnat e nevojshme.
Kështu ndodh në pjesën më të madhe të rasteve, thotë profesor Michael Isfort nga Instituti Gjerman për Studime në fushën e asistencës shtëpiake. Rreth 150.000 gra nga Evropa Lindore kujdesen për të moshuarit në Gjermani. Vetëm pak prej tyre punojnë në mënyrë të ligjshme, të pavarur, apo dërgohen në tregun e punës nga Qendra për Ndërmjetësim e Zyrës Federale të Punës, thotë profesor Isforti. Në një rast të tillë, punëdhënësi i këtyre ndihmësve në ekonominë shtëpiake është familja, ku punojnë:
"Për ndihmësen në ekonominë shtëpiake duhen derdhur kontribute në sigurimin shoqëror. Ajo është e siguruar nga aspekti ligjor. Ka një kontratë normale pune me 38,5 orë pune në javë. Ka të drejtë për pushime të paguara dhe pushim gjatë orarit të punës. Por pyetja që shtrohet është: nëse lindin vështirësi, p.sh. kur dikush kërkon ndihmë natën, a duhet respektuar periudha e pushimit? A punon atëherë kujdestarja, apo ndihmësja shtëpiake 38,5 orë, apo është shumë më gjatë aktive në punë?"
Kjo është një nga shumë pyetjet e pasqaruara. Marrja në punë e infermierëve, apo kujdestarëve të kualifikuar është e lidhur me shumë hallka burokratike. Familja këtu vepron si një firmë e mirëfilltë. Ajo duhet të paraqesë kërkesa të komplikuara, t'u drejtohet zyrave publike, apo të përpilojë deklaratë të ardhurash. Rruga, që zgjedhin më shpesh familjet, është më e thjeshtë: ndihmësja shtëpiake dërgohet përkohësisht në Gjermani nga një firmë me qendër në vendin e origjinës së ndihmëses. Si në rastin e Martës.
Kryesorja të flasin gjermanisht
Në Hungari ka shumë firma, të cilat ofrojnë një punë të tillë në Gjermani, tregon Marta. Ajo vetë e kishte gjetur firmën në internet. Gjithçka u bë shpejt dhe pa komplikime. Një agjenci gjermane e ndërmjetësoi Martën tek familja, ku punon. Rreth 1.880 euro në muaj paguan familja për Martën. Por vetë ajo merr vetëm rreth 900 euro. Pjesa tjetër shkon për tatimet, apo kontributet sociale në Hungari, si dhe pjesërisht si fitim për agjencinë hungareze dhe atë gjermane.
Përballë kostove të larta për infermierë, apo kujdestarë të kualifikuar në Gjermani, gratë nga Evropa Lindore janë shpesh shpresa e vetme për të afërmit, të cilët duhet të kujdesen për familjarë të moshuar, apo të sëmurë. Një shtyllë e rëndësishme e shërbimit të asistencës shtëpiake në Gjermani.
Autor: Justyna Bronska/Eliana Xhani
Redaktoi: Angjelina Verbica