Ndihma e kujdesshme ushtarake e Gjermanisë
13 Gusht 2014Kjo verë e paqetë ktheu kokëposhtë si në Perëndim, ashtu edhe në Lindjen e Afërme disa gjëra. Në Gjermani, të Gjelbrit tregojnë mirëkuptim për dërgimet e armëve luftëtarëve kurdë të Peshmergas, në një kohë që Barack Obama shprehet si përndryshe politikanë gjermanë të opozitës: "Për krizën në Irak nuk ka zgjidhje ushtarake".
Ndërkohë, në Berlin ka diskutime të ashpra për përparësitë e një zgjidhjeje ushtarake "Made in Germany". Vetëm një ditë pasi qeveria gjermane refuzoi në mënyrë kategorike dërgime armësh në një zonë konflikti, të martën ajo deklaroi se po shqyrton dërgimin e ndihmës ushtarake jovdekjeprurëse, për ta ndihmuar Irakun që të sprapsë grupin xhihadist "Shteti Islamik".
Helmeta, kostume antiplumb, automje të blinduara, aparate për të parë natën dhe materiale sanitare mund të vihen eventualisht në dispozicion, tha ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen. Vetë ministri i Jashtëm, Frank-Walter Steinmeier sinjalizoi gatishmëri, që të hapë rrugën për dërgime të armatimeve gjermane. Përballë gjendjes dramatike ai është i gatshëm "të shkojë deri në kufijtë e asaj që mund të bëhet politikisht dhe juridikisht."
Kthesa në politikën e jashtme
Kjo është një kthesë surprizuese në një debat, që e pati nisjen në fillim të shkurtit në Konferencën e Sigurisë në Mynih, kur von der Leyen dhe Steinmeier u bashkuan me Presidentin e Gjermanisë, Gauck, kur ai tha se Gjermania duhet të luajë një rol më aktiv në skenën botërore. Në qershor, Joachim Gauck shkoi edhe një hap më tej dhe tha, "nganjëherë si mjet i fundit këtu bën pjesë edhe përdorimi i mjeteve ushtarake".
Politikanë të majtë e kritikuan Presidentin e Gjermanisë ashpër për shprehjet e tij. Dhe sondazhet tregojnë se shumica e gjermanëve do të preferonin fort t'i përmbahen status quo-së së vjetër: ambicieve ekonomike të lidhura me përmbajtje diplomatike dhe ushtarake.
Por kjo verë e konflikteve të nxehta në Ukrainë dhe në Lindjen e Afërt i vë pikëpyetje një supozimi, i cili përcakton një pjesë të madhe të politikës së jashtme gjermane që prej vitit 1989. Gjermanët, dhe para së gjithash opinioni publik gjerman qendronin të mbërthyer pas përfytyrimit se rënia e Murit shënonte tendencën drejt një bote, në të cilën dhuna paraqet vetëm një zhvillim irracional të gabuar dhe ku zgjidhja e konflikteve përfaqëson më tepër një sfidë humanitare, se një sfidë strategjike ose ushtarake.
Kthesa retorike
Ndoshta është ky shkaku se pse fjala "genocid" përmendet kaq shpesh në diskutimet aktuale për dërgimet e armatimeve. Retorika humanitare ia bën publikut skeptik zgjidhjet ushtarake ndoshta më të shijshme, por më efektive në këtë mënyrë ato nuk bëhen. Asnjë rajon nuk e ilustron potencialin e "kthimit në të kundërtën" sa Lindja e Mesme, ku armët përfundojnë shpesh në duart e njerëzve, që ndjekin objektiva të kundërta nga ato të furnizuesve. Dërgimi i pajisjeve ushtarake jovdekjeprurëse çliron burime, të cilat mund të përdoren për armë vdekjeprurëse. Nëse Berlini e mbështet edhe më tej Irakun në kufijtë e tij ekzistues, politika duhet të tregohet e rezervuar ndaj dërgimit të pajisjeve ushtarake të cilësdo formë qoftë ndaj një grupi që nuk e fsheh se synon një shtet të pavarur të Kurdistanit. Eksportet e armëve nuk janë politikë e jashtme dhe nuk kanë të bëjnë aspak me përgjegjësinë strategjike, që kishte në mendje Presidenti i Gjermanisë. Presidenti i Gjermanisë paralajmëroi se mund të ketë skenare sulmi, në të cilat Gjermania nuk duhet të dërgojë armë, por duhet t'i mbledhë ato. Diskutimi me siguri do të vazhdojë, më e vonta kur të diskutohen në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në vjeshtë buxhetet e ndryshme të armatimit të shteteve anëtare.