1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndryshimet kushtetuese në fazën finale

9 Janar 2019

Në Shkup fillon të mërkurën (09.01.2019) faza finale e zbatimit të Marrëveshjes së Prespës. Kryeparlamentari Talat Xhaferi e ka caktuar mbajtjen e seancës për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

Mazedonien Parlament
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/B. Grdanoski

Për miratimin e ndyshimeve kushtetuese nevojiten dy të tretat e votave në Parlamentin e Maqedonisë, apo 80 deputetë. Kryeministri Zoran Zaev është shprehur optimist se do të sigurohen 80 votat e nevojshme, për çka së fundmi ka pasur takime me kryetarin e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami dhe përfaqësues të Aleancës për Shqiptarët, parti të cilat kanë dorëzuar amendamentet e tyre. Partitë politike shqiptare kanë qëndrime të ndryshme lidhur me votimin e ndryshimeve kushtetuese për zbatimin e Marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit të Maqedonisë.

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani nga BDI, thotë se me miratimin e ndryshimeve kushtetuese, që çon në zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë, realizohet synimi kryesor i shqiptarëve, anëtarësimi i vendit në NATO dhe fillimi i bisedimeve me BE-në për antarsim. "Nuk ka proces më të rëndësishëm për momentin për shqiptarët, por edhe për gjithë qytetarët e Maqedonisë, sesa përfundimi i ndryshimeve kushtetuese që do të hapë rrugë për në NATO dhe BE. Anëtarësimi në NATO garanton paqen, stabilitetin, zhvillimin ekonomik, garanton të ardhmen dhe ne jemi të kënaqur me këtë proces, që rrumbullakson një ëndërr e gjeneratave tona dhe përkushtimin tonë për anëtarësim në Aleancën Veriatlantike”, thotë zëvendëskryeministri Bujar Osmani.

Cili do të jetë fati i amendamenteve të Besës dhe ASH-së?

Fotografi: Getty Images/AFP/R. Atanasovski

Për Aleancën për Shqiptarët, ndryshimet kushtetuese që tashmë ndodhen në fazën e fundit për miratim nuk do të sjellin ndonjë ndryshim sa i përket pozitës kushtetuese të shqiptarëve për barazi. "Edhe në këto ndryshime kushtetuese nuk ka asgjë për shqiptarët. Disa modifikime kozmetike që tenton t'i bëjë kryeministri Zoran Zaev, nuk kanë asgjë qenësore. Sërish tentohet që me çdo kusht edhe me ndryshimet e reja kushtetuese , të theksohet se Maqedonia është shtet i kombit maqedonas dhe i grupeve tjera etnike”, thotë Elmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët, e cila së bashku me Lëvizjen Besa, kanë paraqitur disa amendamente për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni.

Kryeministri Zoran Zaev ndërkohë ka paralajmëruar se deri në ditën e nisjes së debatit për miratim në Kuvend, do të zhvillojë takime me Lëvizjen Besa dhe Aleancën për Shqiptar, për t'i bindur për rëndësinë që ka miratimi i ndryshimeve, që zgjidh kontestin e emrit me Greqinë dhe i hap rrugën integrimit euroatlantik të vendit. Kryeministri Zoran Zaev është shprehur optimist se do të sigurohen 80 vota në Kuvend në votimin final për zbatimin e marrëveshjes së Prespës, e cila parasheh ndryshime kushtetuese në Maqedoni.

"Do të bëj gjithçka deri në momentin e fundit për të siguruar shumicën e dy të tretave dhe këtë do t'ia njoftojmë publikut në momentin e votimit, ose do ta ndajmë kënaqësinë, ose do të marrim përsipër përgjegjësinë e gjithë këtij fokusi që e dhamë në integrim. Por, edhe një herë them se jam optimist”, ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev.

"Dy partitë opozitare nga blloku shqiptar, deri tani kanë qenë konstruktive në procesin e ndryshimeve kushtetuese. Një pjesë e sugjerimeve të tyre janë inkorporuar”, ka thënë Zaev.

VMRO-DPMNE kundër ndyshimeve kushtetuese

Fotografi: Reuters/M. Djurica

Partia VMRO-DPMNE në opozitë, paralajmëroi se nuk do të marrë pjesë në votimin e ndryshimeve kushtetuese. Në prag të votimit të fundit mbi ndryshimet kushtetuese, partia "Zëri i Maqedonisë” iu rekomandon deputetëve që të mendojnë me kujdes gjatë votimit për ndryshimet kushtetuese për pasojat që do të rezultonin nga përçarjet e mëdha tek populli maqedonas dhe të mendojnë mirë se nuk ka çmim për humbjen e identitetit.

"Të mos guxojnë t'i fshinë të drejtat tona të fituara, të drejtën tonë për vetëvendosje. A nuk janë të vetëdijshëm se hapin derën dhe për federalizmin e shtetit me kërkesat e vazhdueshme të disa partive shqiptare dhe me preambulën e ndryshuar të kushtetutës. Përgjegjësia është mbi supet e deputetëve. Është momenti i fundit që të mos u nënshtrohen shantazheve dhe premtimeve të rrejshme”, ka deklaruar Solza Gërçeva nga "Zëri i Maqedonis”.

Pasi të përfundojë procesi i ndryshimeve kushtetuese vendi do të riemërtohet në Republika Veriore e Maqedonisë, me çka përmbushen obligimet e vendit nga Marrveshja e Prespës dhe i mbetet Greqisë të përmbush obligimet e saja, përkatësisht ratifikimin e marrveshjes në kuvendin grek.