070411 Japans NHK
7 Prill 2011Programi satelitor i NHK me lajmet rreth seancës parlamentare të 11 marsit. Në ekran shihen deputetët që diskutojnë me njëri tjetrin dhe bëjnë propozime. Një sinjal i papritur në orën 14:46 shoqërohet me një hartë të Japonisë në të cilën tregohet se në veri-lindje të ishullit Honshu në këtë moment prtitet të bjerë një tërmet.
Gazetari që deri në atë moment po fliste për debatet parlamentare i ndërpret këto njoftime dhe informon më tej për prefekturat e prekura prej tërmetit: "Ibarai, Fukushima, Miyagi, Sendai, Ivate…“
Radio-televizioni publik japonez është i pajisur prej vitesh me një sistem të veçantë paralajmërues për tërmetet. Sapo diku në vend ndihen tronditje tërmeti, transmetimet ndërpriten dhe në ekran shfaqet paralajmërimi për tërmetin. E veçanta e këtij sistemi është se njoftimi jepet përpara tronditjeve të tërmetit. Kjo sepse sistemi bazohet në faktin se në rastet e tërmetit shkaktohen dy lloje valësh sizmike. Sistemi i radio-televizionit publik japonez regjistron energjinë e valës së parë, që është e parrezikshme dhe ua transmeton atë automatikisht të gjitha kanaleve televizive dhe radiofonike. Në këtë mënyrë qytetarët kanë mundësi që të mbrohen.
Kur tërmeti është më i fortë se 6 ballë gazetarët i ndërpresin transmetimet dhe fillojnë me programe të posaçme. Për raste të tilla ka gjithmonë në dispozicion një moderator të gatshëm për transmetimeve të drejtpërdrejta.
NHK ka edhe 12 helikopterë të shpërndarë në të gjithë Japoninë, që shkojnë direkt në vendin e ngjarjes. Kështu edhe në rastin e tërmetit dhe të cunamit të 11 marsit në brigjet lindore të vendit NHK transmetoi mjaft pamje fotografike dhe filmike nga vendi i ngjarjes.
Edhe sot katër javë pas tërmetit dhe cunamit zhvillimet në Fukushima vazhdojnë të dominojnë lajmet në NHK. Problematike për NHK janë infromacionet që vijnë nga shoqëria e centraleve atomike Tepco. Redaktorët e NHK-së mundohen të jenë të kujdeshëm me informacionet rreth zhvillimeve në vendin e katastrofës, sepse lajme me tituj bombastikë mund të shkaktojnë panik tek miliona japonezë.
Megjithatë për shkak të këtij qëndrimi të kujdesshëm NHK-ja edhe është kritikuar, ngaqë shumë japonezë mendojnë se NHK-ja duhet të ishte më kritike dhe me e ashpër në qëndrimet ndaj Tepcos dhe qeverisë.
Autor: Silke Ballweg/ Vilma F. Ballvora
Redaktoi: Aida Cama