1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Negociatat e Vjenës për statusin: Reagime nga Prishtina

Bekim Shehu25 Korrik 2006

Takimi ishte pjesë e rrugës që duhet kaluar gjithsesi në procesin e filluar negociatave, por ai nuk ishte një takim historik

Fotografi: Bilderbox

Analistët politikë në Kosovë nuk mendojnë se në esencë takimi i Vjenës ishte takim historik edhe pse një takim i tillë ndërmjet autoriteteve të larta kosovare dhe atyre serbe, ku u diskutua çështja e statusit ndodh për herë të parë pas 7 vjetësh.

Ata thonë se takimi ishte pjesë e rrugës që duhet kaluar gjithsesi në procesin e negociatave dhe në fund të fundit, çështja e statusit të Kosovës mendojnë analistët do të jetë një zgjidhje e imponuar nga mekanizmat ndërkombëtar të vendimarrjes. Këtë pohim e argumentojnë me faktin që qëndrimet e palëve në bisedime janë diametralisht të kundërta, marrëveshja duket e pa mundur dhe në këtë linjë bashkësia ndërkombëtare do të jetë e detyruar që ta përshpejtojë procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Analisti kosovar, Lulzim Peci, nga qendra për hulumtime strategjike, mendon se, takimi i Vjenës shënon hapin e parë drejt negociatave shumë serioze për përfundimin e zgidhjes së procesit të statusit të Kosovës dhe në këtë mes marrëveshja ndërmjet palëve sipas tij, do të ishte e dëshiruar.

Sidoqoftë, në komentet e mediave kosovare një vend të veçantë ka zënë edhe deklarata e Grupit të Kontaktit e dhënë mënjëherë pas takimit të Vjenës. Një hapësirë e veçantë i është kushtuar njërit nga pasuesit e deklaratës, ku thuhet se nuk ka ndarje të Kosovës dhe se statusi i Kosovës duhet të gjendet duke respektuar vullnetin e shumicës së qytetarëve të Kosovës dhe me të drejta maksimale për pjesëtarët e komuniteteve pakicë.

Në këtë linjë në komentet e gazetave shkruhet se, statusi i Kosovës do të zgjidhet brenda këtij viti dhe ai do të jetë një pavarësi me mbikqyrje të fortë ndërkombëtare ndoshta e shprehur me një rezolutë të re nga ana e KS-it.