1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nervoziteti i Beogradit dhe i Prishtinës

Marina Maksomaviq/Bahri Cani7 Tetor 2013

Në Bruksel mbahet sonte një "takim i jashtëzakonshëm" mes kryeministrave të Serbisë dhe Kosovës. Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq do të bisedojnë për zgjedhjet e ardhshme lokale në Kosovë.

Dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel, mars 2013Fotografi: DW/Marina Maksimovic

Në takimin e tyre të fundit me 8 shtator në Bruksel u tha se për shkak të intensitetit të dy muajve të ardhshëm, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq nuk do të takohen para zgjedhjeve lokale në Kosovë, të cilat zhvillohen me 3 nëntor. Këto zgjedhje mbahen në përputhje me marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe për herë të parë pritet të marrin pjesë edhe serbët e veriut të Kosovës. Por vet filimi i fushatës u shndërrua në mollë sherri mes Prishtinës dhe Beogradit. Kryeministri i Serbisë Daçiq kishte kërkuar leje që të marrë pjesë në hapjen e fushatës në veri, ndërsa autoritetet e Prishtinës kanë vendosur që gjatë fushatës të mos i lejohet hyrja në Kosovë asnjë përfaqësuesi të lartë të shtetit serb. Daçiq ka kumtuar se është i gatshëm ta lëshojë edhe procesin e dialogut me Prishtinën, në qoftë se vendimi nuk ndryshohet. "Nuk do të lejoj t'më poshtërojë askush. Le të kërkojnë ndonjë partner tjetër për bisedime. Shpresoj se ky nuk do të jetë udhëtimi im i fundit për dialog me palën kosovare në Bruksel, por edhe nëse është i fundit, takimet e tilla me siguri që nuk do t'më mungojnë", u shpreh kryeministri i Serbisë, i cili ka kërkuar "këtë takim të jashtëzakonshëm", me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton.

Mosmarrëveshje apo ndalim?

Përveç Daçiqit, në ditët e ardhshme kanë planifikuar vizitë në Kosovë edhe presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliq dhe zëvendëskryeministri Aleksandar Vuçiq. Beogradi shpreson se me ndihmën e Brukselit do të ndryshojë vendimin e Prishtinës. Në të kundërtën ka kërcënuar se do të rishikojë vendimin për pjesëmarrje në dialog me Prishtinën. Nga Kosova janë dëgjuar kohët e fundit mendime të ndryshme të paqarta lidhur me vendimin që autoriteteve serbe t'u ndalohet hyrja në Kosovë gjatë fushatës elektorale. Autoritetet kosovare thonë se fjala është për një procedurë të caktuar për vizitat e autoriteteve serbe, por ka pasur edhe pohime se fjala është për interpretime individuale të disa politikanëve dhe se të gjitha këto janë vetëm mosmarrëveshje.

Baronesha Catherine Ashton dhe kryeministrat Ivica Daciq dhe Hashim ThaçiFotografi: picture-alliance/AP

Zgjedhjet në Kosovë si udhëkryq

Brukseli pret që këto zgjedhje lokale të shënojnë një kthesë në politikën e Beogradit ndaj Kosovës dhe në uljen e tensioneve në veri. Shefja e diplomacisë evropiane Ashton ka theksuar disa herë domosdoshmërinë e organizimit sa më të mirë të këtyre zgjedhjeve dhe pjesëmarrjes së një numri sa më të madh të serbëve në votime. Ashton i ka quajtur këto zgjedhje edhe si një udhëkryq ku gjërat duhet të nisen në drejtim pozitiv. Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar tha se të dy palët janë "pak më nervozë" kohët e fundit. Ai mendon se ndalimi i vizitave të autoriteteve serbe gjatë fushatës "është i tepruar", me shpresë se bashkëbiseduesit në Bruksel do të gjejnjë një zgjidhje të pranueshme për të dy palët.