1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nga Bjellorusia deri në Marok - Takim i BE-së me fqinjët

Bernd Riegert 3 Shtator 2007

Për herë të parë takohen të hënën përfaqësuesit e 14 shteteve dhe autoriteteve palestineze me kryesinë e BE-së për t´u konsultuar mbi të orientimin e ardhshëm të programeve të fqinjësisë.

Yjet simbol të BE-sëFotografi: pa/Helga Lade Fotoagentur GmbH/DW

Vendet fqinje të BE-së

Të gjitha vendet fqinjë të BE-së në Lindje dhe në Jug, që deri tani nuk kanë ndonjë shans për të hyrë në union, ftohen prej Brukselit për një politikë specifike fqinjësie. Rastet më të vështira në këtë bashkëpunim janë Bjellorusia dhe Libia.

Qysh nga Magrebi e deri në Lindjen e Mesme, nga Kaukazi deri në Bjellorusi shtrihen shtetet, që BE-ja i konsideron si fqinjë të drejtpërdrejtë, edhe pse jo të gjitha këto vende kanë kufij direkt me territorin e BE-së. Shteti i Kaukazit, Gjeorgjia synon të pranohet në BE, ashtu si edhe Ukraina. Të dyja këto shtete i kanë sinjalizuar BE-së, se brenda një periudhe të parashikueshme ato mund të bëhen anëtare në bllok. Si alternativë BE-ja ofron një politikë më intensive fqinjësie, që duhet të marrë parasysh interesat mjaft të ndryshme të shteteve partnere, duke shërbyer thënë në mënyrë figurative, si një kallëp-kostumi në politikë. Komisionerja e BE-së për marrëdhëniet me jashtë, Benita Ferrero-Valdner (Waldner) duke preferuar të përdorë këtë figurë paraqet një koleksion të tërë kostumesh që ofrohen: "Eshtë mjaft mirë të shohësh, se çfarë ofertash ka, pra kostume të vogla, të mëdha, ngjyrë gri, të zeza. Prejkësaj duhet të përfitojmë për të gjetur mundësinë e shkëmbimit të përvoja midis shteteve të veçanta. Për ne është e rëndësishme të dëgjojmë, se si këto shtete e vlerësojnë në përgjithësi ofertën tonë të re."

Në takimin me vendet fqinjë marrin pjesë jo vetëm përfaqësues të qeverive, por edhe njerëz të ekonomisë, grupe të të drejtave të njeriut dhe shoqata të mjedisit si dhe janë ftuara një sërë organizatash joqeveritare.

BE-ja pret që të shprehen edhe kritika, sepse në disa vende "kostumi nuk rri mirë". Por Brukseli është i hapur për të bërë ndryshime sipas dëshirës, siguron komisionerja e BE-së. Përmes këtij bashkëpunimi synohet të mbështeten ekonomia dhe tregtia, demokratizimi dhe ndërtimi i shtetit ligjor, por edhe shkëmbimet kulturore dhe bashkëpunimi në fushën e shkencës dhe arsimit. Me Marokun p.sh. marrëveshja e bashkëpunimit është zgjeruar, me Bjellorusinë kontaktet janë ngrirë. Regjimi i presidentit Aleksandër Lukashenko nuk është i gatshëm, të përmbushë kërkesat minimale në fushën e të drejtave tënjeriut, thekson Ferrero-Valdner: "Ne gjithnjë jemi përpjekur për këtë. Ne kemi paraqitur një plan-aksioni, që do të ishte i mundur, nëse bjellorusët nga ana qeveritare do të avanconin më tej. Deri tani bisedimet e mia nuk kanë sjellë asgjë. Përkundrazi, më është dashur të mbaj qëndrim të prerë, kur sërish janë burgosur politikanë të opozitës."

Politika e fqinnjësisë

Pushteti në Libi do të marrë pjesë në politikën e fqinjësisë. BE-ja është e gatshme për bisedime, pasi së fundi u liruan infermieret bullgare dhe një mjek palestinez. BE-ja ka nevojë për shtetet energjike të Afrikës së Veriut. Ndaj komisionerja e BE-së Benita Ferrero-Valdner është e gatshme që ta kapërdijë indinjatën ndaj familjes sunduese në Libi. Një djalë i kreut të shtetit Muamar al-Gadafi (Muammar al-Gaddafi) pranoi, se anëtarët e shërbimit mjekësor të arrestuar janë torturuar dhe janë liruar me pagesë. Por BE-ja nuk e pranon këtë akuzë të fundit: "Unë besoj, se është e rëndësishme të përpiqemi që një vend, i cili deri më tani asnjëherë nuk ka qenë i inkuadruar në ndonjë aleancë, në të ardhmen të involvohet pikërisht në një kuadër që do ta pengonte angazhimin e tij nëpër aleanca. Gjithçka që ne bëjmë, ka për qëllim mbështetjen e reformave ekonomike si dhe të reformave për më shumë demokraci dhe më shumë të drejta të njeriut."


Bisedimet konkrete me Libinë mbi plan-aksionet dhe marrëdhëniet e fqinjësisë duhet t´i miratojnë ministrat e jashtëm të BE-së në takimin e tyre zyrtar në tetor. Propozimin e presidentit të ri francez, Nikola Sarkozi (Nicolas Sarkozy), për ta afruar Libinë ashtu si të gjitha vendet që shtrihen përgjatë bregdetit të Mesdheut në një union të Mesdheut, komisionerja e BE-së e sheh me skepticizëm. Krahas politikës së fqinjësisë ekziston edhe i ashtuquajturi procesi i Barcelonës për shtetet e Jugut dhe brigjet lindore të Mesdheut. Komisionerja Ferrero-Valdner reagon: "Deri tani për këtë nuk ka ide shumë konkrete. Unë vetëm i kam parashtruar Francës, se do të ishte e rëndësishme, që duhet të punohet në kuadër të politikës së përbashkët të BE-së për fqinjësinë. Në këtë kuadër unë jam shumë e hapur dhe gëzohem për bashkëpunimin."

Konferenca do ta bëjë më të njohur edhe tek qytetarët politikën e BE-së për fqinjësinë. Sipas një sondazhi të Komisionit të BE-së, vetëm 20% e qytetarëve ka dëgjuar diçka mbi politikën e fqinjësisë që ndjek Brukseli. Një shumicë e vogël e qytetarëve të pyetur në qershor në vendet e BE-së nuk janë të interesuar për zhvillimet në vendet fqinjë të unionit. Si vende fqinjë konsiderohen kryesisht ato shtete që kanë kufij me vendet e BE-së, pra Bjellorusia, Ukraina dhe Rusia. Pas anëtarësimit të Rumanisë edhe Moldavia bën pjesë në këtë grup. 62% e të pyeturve presin, që përmes politikës së fqinjësisë të kufizohet emigracioni ilegal. Pothuajse gjysma e të pyeturve beson, se mund të zgjerohen demokracia dhe paqja në vendet fqinjë, por pjesa tjetër ka frikë për sigurinë brenda BE-së, që mund të cënohet prej marrëdhënieve me vendet fqinjë. Rezultatet e këtij anketimi të fundit, të quajtur euro-barometër, dallojnë shumë nga sondazhet e mëparshme të vitit 2006.