1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkeli kritikohet për menaxhimin e krizës

27 Janar 2012

Forumi Ekonomik Botëror vazhdon punimet në Davos të Zvicrës të premten (27.01) me debatin për menaxhimin e krizës së euros. Në Davos ka pasur kritika të ashpra për kancelaren Merkel, por edhe reagime nga Brukseli.

David Cameron me breshëri kritikash në Davos
David Cameron me breshëri kritikash në DavosFotografi: Reuters

Diskutimet në Davos në nivel të lartë politikanësh, ekspertësh dhe studiuesish të ekonomisë e financave vazhdojnë. Ministri gjerman i Financave, Schäule, homologu i tij francez, François Baroin, ministri spanjoll i Ekonomisë, Luis de Guindos, si edhe komisionieri i BE-së për Valutën, Olli Rehn janë pjesëmarrës të premten në diskutimet në Davos.

Të enjten kryeministri britanik, David Cameron e shfrytëzoi forumin për të bërë një sulm të hapur ndaj mënyrës së menaxhimit të krizës nga ana e kancelares gjermane, Angela Merkel. "Nuk vazhdohet më me lojëra sa andej-këtej. Duhet të jemi të guximshëm dhe të fortë dhe jo hezitues e të frikësuar", tha Cameron. Duhet të tregojmë cilësi të udhëheqjes dhe jo të udhëhiqemi nga frika e dështimit, u shpreh Cameron, fjalë që i adresoheshin kancelares Merkel. Planet e Merkelit dhe Sarkozisë për futjen e taksës së transaksioneve, Cameron i quajti thjesht "çmenduri".

Angela Merkel në DavosFotografi: dapd

Schulz: "Menaxhimi i krizës nga Merkel - jo i suksesshëm

Kritikat e forta të David Cameron për mënyrën e menaxhimit të kancelares Merkel janë vënë në qendër të raportimeve të mediave të premten. Mbi mënyrën e menaxhimit të krizës nga ana e kancelares gjermane, jep opinionin e tij edhe Presidenti i ri i Parlamentit Europian, Martin Schulz dhe kryetari i eurosoëcialistëve në një intervistë për televizionin gjerman, ZDF. Schulz vlerëson se nuk do të ishte e drejtë të atakoje vetëm kancelaren Merkel për zgjidhjet e munguara. Ajo nuk është e vetme në Këshillin e BE-së, aty ka edhe të tjerë, thotë Schulz. Por fakt është se prej dy vitesh po diskutohet për zgjidhje të ndryshme, dhe ende nuk kemi një zgjidhje përfundimtare, kritikon presidenti i Parlamentit Europian. "Le ta themi kështu. Nuk mund të quhet i sukseshëm menaxhimi i krizës nga kancelarja gjermane."

Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz kritikon Merkelin dhe CameroninFotografi: picture-alliance/Wiktor Dabkowski

Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz pronocohet edhe mbi kritikën e hapur të kryeministrit britanik Cameron, duke e parë atë në kontekstin e problemeve në të cilat ndodhet vetë kryeministri britanik David Cameron. "Ai është izoluar shumë këtu në Bruksel me veton kundër ndryshimeve të marrëveshjes europiane, nga ana tjetër me qëndrimin e tij ka inkurajuar kundërshtarët radikalë të euros në partinë e tij, të nxjerrin Britaninë e Madhe nga Bashkimi Europian."

Martin Schulz e vlerësin retorikën e David Cameronit më shumë të vlefshme për "skenën politike në vendin e tij" se sa për skenën europiane."

Nga Davosi thirrje qytetarëve të mbështesin masat e kursimit

Në Davos ndërkohë, krerët e shteteve dhe qeverive i kanë bërë thirrje qytetarëve të vendeve të zhytura në borxhe të pranojnë masat e kursimit dhe t'i përkrahin ato, Vetëm kështu do të mund të dalin këto vende nga kriza dhe të kenë rritje ekonomike, u tha në Davos. "Gjërat mund të lëvizin përpara shumë më shpejt, se sa e përfytyrojnë vetë njerëzit", tha kryeministri irlandez, Enda Kenny, vendi i të cilit mori ndihma nga fondi i shpëtimit. Irlanda shihet si vendi model për vendet që luftojnë me krizën e borxheve.

Takimi në Davos zgjat deri të dielën.

Autor: Schmiese Wulf/Agj/Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW