1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nga "fëmijë punëtori" në akademik

Nadine Wojcik / Eliana Xhani20 Qershor 2012

Në Gjermani vlen e drejta e shanseve të barabarta për arsimim. Në teori! Praktika tregon diçka tjetër: fëmijët e joakademikëve vendosin shumë më rrallë të studiojnë. Shoqata "Fëmijë punëtori" kërkon ta ndryshojë këtë.

Logo e shoqatës "ArbeiterKind.de"

Gjermania është një vend industrial shumë i zhvilluar e megjithatë ka mjaft vend për përmirësime sa i takon barazisë së shanseve për arsimim. Në të vërtetë universitetet janë të hapur për të gjithë: për shembull nuk ka shpenzime për studimet ose ato janë shumë të ulëta, veç kësaj ofrohet mbështetje shtetërore financiare gjatë kohës së studimeve. Megjithatë vetëm 25 për qind e fëmijëve nga familje punëtorësh vendosin të ndjekin studimet. Për krahasim: në familjet e akademikëve 70 për qind e fëmijëve vendosin të ndjekin studime të larta. Katja Urbatsch e njeh problemin nga përvoja e saj: „Unë jam e para në familjen time që kam studiuar. Përvoja ime më ka treguar se sa e vështirë është të vendosësh të studiosh kur asnjë në familje nuk e ka bërë këtë më parë. E vështirë është gjithashtu të hysh në jetën e studimeve, edhe aty kisha pengesa që duhej t'i kapërceja. Për këtë arsye dëshëroja që të tjerët pas meje ta kishin më të lehtë dhe kështu lindi një projekt gjigant me shumë vullnetarë."

Katja Urbatsch, themeluese e inisiativës "ArbeiterKind.de"Fotografi: Gerd Scheffler

4000 vullnetarë inkurajojnë për ndjekjen e studimeve

Projekti quhet "Fëmijë punëtori". Shoqata inkurajon fëmijët nga familje pa arsim të lartë që të kryejnë studime. Kjo bëhet nga njëra anë përmes faqes së internetit "Arbeiterkind DE", në të cilën janë mbledhur të gjitha informacionet e nevojshme për një studim: përse ia vlen të studiosh? Çfarë dege më përshtatet? Si të orientohem në universitet? Si të përfitoj mbështetje financiare nga shteti apo nga fondacionet?

Financimi, pengesë e madhe

Veç kësaj shoqata ka edhe 80 grupe lokale me kujdestarë vullnetarë, të cilët ofrojnë këshillime në shkolla apo në orë konsulence për nxënësit. Sven Gramstadt nga Berlini është njëri prej tyre. Ai i njeh pengesat, të cilat shpesh bëjnë të stepen para studimit fëmijët e punëtorëve - edhe ai është i pari në familjen e tij që ka kryer studime: „Fëmijët mendojnë se prindërit nuk i ndihmojnë dot apo vetë prindërit mendojnë se nuk janë në gjendje të ndihmojnë, ose ekziston frika se studimi nuk mund të financohet - të gjitha këto janë pika ku barazia e kërkuar në arsimim nuk mund të arrihet. Dhe pikërisht këtu ndihmon "Arbeiterkind DE."

Faqja e internetit "arbeiterkind.de" - informacione për gjithë ata që duan të studiojnëFotografi: arbeiterkind.de

Shoqata ka një histori të pabesueshme suksesi. Themeluar në vitin 2008 si inisiativë studentore nga Katja Urbatsch, ajo ka sot pesë bashkëpunëtorë me kohë të plotë me seli në Berlin. Këtyre u shtohen rreth 80 grupe lokale me plot 4000 bashkëpunëtorë vullnetarë. Por suksesi mund të matet edhe me vëmendjen në medie: Katja Urbatsch dha intervistën e parë një ditë pasi faqja e internetit u publikua në rrjet. Që atëherë asaj i kërkohen vazhdimisht intervista për temën e barazisë së të drejtave në arsimim dhe ka ka marrë pjesë në shumë talk-show në televizion.

Rruga drejt shanseve të barabarta për arsimin është e gjatë

Aktivitet i suksesshëm - kancelarja Merkel e vlerëson "ArbeiterKind.de" si një nga 25 projektet më të mira. 29.09.2008Fotografi: Privat

„Unë mendoj se grupi i synuar, fëmijët e joakademikëve apo akademikëve që studiojnë si brezi i parë në familjet e tyre, më parë nuk ishte përfshirë aspak. Dhe unë besoj se edhe shumë prej të prekurve nuk e kishin të qartë se ka shumë të tjerë në situatën e tyre. Secili mendon gjithmonë se është i vetmi që ndodhet në një situatë të tillë, por më pas rezulton se kemi të bëjmë me një problem strukturor. Unë nuk kam njeri në familjen time që të më shërbejë si shembull, të më tregojë se si funksionon dhe të më japë siguri që kjo është rruga e duhur“, thotë Urbatsch.

Ajo që e gëzon veçanërisht Katja Urbatsch është që ndërkohë edhe politikanët janë ndërgjegjësuar për mangësitë në barazinë e të drejtave në arsimim tek fëmijët e punëtorëve. Nganjëherë madje asaj i drejtohen pyetje konkrete: çfarë mund të bëjmë më mirë për këtë grup? Përgjigja e saj është: mbështetja e fëmijëve nga familje larg arsimit duhet të fillojë sa më herët. Shoqata e saj i drejtohet nxënësve në klasat e larta të shkollave të mesme apo studentëve në fillim të studimeve, por sipas Urbatsch mbështetja dhe inkurajimi për fëmijët e punëtorëve duhet të fillojnë që në kopësht dhe në shkollën fillore. Në rrugën për më shumë barazi të drejtash në arsimim në Gjermani ka ende shumë për të bërë.