1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nga Kroacia deri te Islanda

16 Mars 2012

Serbia ka dy javë që ka fituar statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Por fqinji Kroacia është në avantazh. Se si është gjendja e progresit të kandidateve u diskutua në parlamentin evropian

Fotografi: Getty Images

Islanda i ka shanset më të mira për t'u bërë së shpejti anëtare e Bashkimit Evropian. Prej gati dy vjetësh vazhdojnë bisedimet për pranim me shtetin në veriperëndim të Evropës. Shumë nga kapitujt e bisedimeve tashmë janë përfunduar.

Vështirësia me Islandën

Por shtetet tradicionale të peshkimit në BE shohin me mosbesim në këtë pjesë të negociatave për anëtarësim. Kështu eurodeputeti spanjoll Francisco Jose Millan Mon tha se Islanda ështe me të vërtetë një vend i madh peshkimi, por ajo si të tjerët duhet t'u përmbahet rregullave të BE-së. Komisioni i Brukselit duhet t'i kushtojë kësaj çështjeje vëmendje shumë të madhe.

Në Atlantikun e Veriut momentalisht ka grindje sidomos për mënyrën se si veprohet me balenat. Ndalimi i peshkimit të balenave dhe tregtisë me produktet nga balenat është vështirë të negociohet nga BE. Këtu qëndron vështirësia më e madhe e Islandës në rrugën drejt BE.

Flamuri kroat në BEFotografi: dapd

Anëtari tjetër i BE do të jetë fillimisht Kroacia. Marrëveshja e pranimit është nënshkruar. Në vitin 2013 Kroacia do të bëhet anëtari i 28-të i BE.

Fqinji i Kroacisë Serbia mori në samitin e fundit të BE-së statusin e kandidati, ashtu si më parë Mali i Zi.

Maqedonia prej vitesh me status kandidati

Që statusi i kandidatit nuk do të thotë se do të hapen edhe negociatat për pranim, e tregon shembulli Maqedonisë. Prej më shumë se gjashtë vjetësh ky vend është kandidat për anëtarësim në BE. Por grindja me Greqinë për emrin e vendit bllokon vazhdimin e negociatave me BE, edhe pranimin në NATO.

Eurodeputeti Elmar Brok shprehet: "Me të vërtetë nuk e kuptoj. Nuk i kuptoj të dyja palët. Që nuk mund të bien dakord për një çëshjte të tillë. Mendoj se prej kësaj nuk varet përparimi i Evropës. Prandaj më duket e drejtë, që të kërkojmë prej këtyre vendeve, që ta zgjidhin më në fund këtë çështje që nuk ak rëndësi absolute, dhe të merren më në fund me çështjet kryesore.

Grekët vazhdojnë të bëjnë rezistencë kundër çdo përparimi, sepse nuk duan që ish republika jugosllave e Maqedonisë të mbajë të njëjtin emër si provinca veriore e Greqisë. Qeveria në Athinë ka frikë nga pretendimet territoriale.

Deputeti laburist britanik Richard Howitt thekson megjithatë: "Maqedonia e ka vendin në BE. Bisedimet për pranim duhet të fillojnë sa më parë."

Flamujt e Maqedonsë dhe BE në ShkupFotografi: Petr Stojanovski

Politikisht më larg BE janë Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina

Ata nuk kanë ende status kandidati dhe nuk duket se do ta marrin së shpejti.

Sidomos Bosnjë-Hercegovina edhe 17 vjet pas fundit të luftës nuk avancon politikisht. Grindja ndërmjet muslimanëve boshnjakë, kroatëve dhe serbëve paralizon vendin, i cili nuk ka shumë kohë që ka një qeveri efektive. Deputetja Doris Pack porosit: "Shpresojmë se liderët politikë në vend e kanë kuptuar se po humbasin lidhjen me Evropën, prandaj nuk duhet të humbasin rrugën në grindje me motive etnike."

Europaparlamentarët kritikojnë faktin se vendi është bërë qendër e trafikimit me njerëz, veçanërisht të grave.

Kështu Balkani nga perspektiva evropiane mbetet një qilim lararam. Do të kalojnë edhe shumë vite, derisa ky boshllëk politik në mes të Evropës të mund të mbyllet.

Autor: Cai Rienäcker/ Angjelina Verbica

Redaktoi: