Nga metropoli në gjirin e bjeshkës - Portret i një ish-emigranti kosovar
26 Shkurt 2011
Një rrugë zigzage në Grykë të Strellcit rreth 8 kilometra në veri të Deçanit, të çon në një oborr të gjerë me dhjetëra pula. Nga diga e lumit, derdhen dy gurra si ujëvara që formojnë rrjedhën e furishme, e cila vë në punë mullirin e improvizuar brenda kasolles prej druri. Ky është mulliri i Regjë Hajrizajt, i lindur në familje mullixhinjsh. Në pleqëri ai i është riikthyer zanatit të të parëve të tij. Por 30 vjet të jetës Regja punoi dhe jetoi në Mynih të Gjermanisë.
„Unë kam jetu 30 vjet në´Mynih të Gjermanisë. Dy vjet kam punu në Like Metal, pjesë për aeroplana e ma vonë ndërtimtari në Oktiv, Holzman, Likemetal, Boll, n´tetana firmat ku jonë konë ma t´mëdhatë kam punu veç unë si punëtorë. N´Gjermani kam jetu mirë, në banesë teme ku i pagujsha 600 marka, por i kam pas tetana, se shteti gjermon është shtet i fortë, shtet i moqëm… Tash e marr pensionin prej Gjermanisë rregullisht“, rrëfen 76 vjeçari Hajrizaj, duke hyrë në kasollen-mulli, të cilin po e mbulojnë fjollat e dendura të borës.
Në Gjermani tani vetëm si vizitor
Në vitet 50-të, kur nga mungesa e fuqisë punëtore në Gjermani lindi nevoja për punëtorë nga shtetet e tjera, pas marrëveshjes së parë me Italinë me 1955, lulëzimi i ekonomisë imponoi marrëveshje të tjera. Në vitin 1968 nënshkroi marrëveshje edhe federata e ish-Jugoslavisë. Ndër rekrutët e shumtë nga Kosova ishte edhe Regjë Hajrizaj, atëbotë 33 vjeçar, i cili si shumë të tjerë u nis për Gjermani me qëllimin e vetëm: të punonte përkohësisht dhe me paratë e fituara t´i kthehej familjes, për të cilën do të siguronte një jetë më të mirë. Në dallim nga shumica e bashkëmoshatarëve të tij, ai Gjermanisë i rikthehet vetëm për vizitë: “Kqyre çka po t´thom! Për me rrnue n´Gjermani jo kurrë. Qe, qetash jom konë, po kreva punë e u ktheva. Piva kafe aty ku pishim me shokë e gjysma e shokëve të mi, edhe ma t´ri se unë tashti janë n´toke…Unë kom dhonë bukë sa s´ka dhanë kush n´Evropë, me muaj I kam mbajt shqiptarët n´banesë me bukë. Por, sot Allahu ma ka falë shnetën sikur më i pas dhjetë vjet. Kurrë te mjeku s´jom konë, e ishalla s´shkoj kurre!“
Ku mund të gjendet lumturia? Regjë Hajrizaj e di vendin e saj
Një peshore pranë derës së hapur, një arkë druri me miell në kënd dhe thasë me drith e miell rreth e qark gurit që bluan misrin, është pamja e brendshme e mullirit gjashtë me katër, nën të cilin rrjedh uji furishëm. Ndërsa, matanë murit me dërrasa, një dhomë e vogël me një shtrat, një tavolinë dhe një stol të drunjtë, është dhoma ku 70 vjeçari Regjë Hajrizaj fle e zgjohet përditë. „Qe qetu rri e fle. Qe, këtu asht shtrati, aty stufa, tavolina, stoli…Krejt sende t´mocme jonë kto. Unë, pensionin e marr prej Gjermanisë rrgullisht, por kjo ma con mallin si n´kohë t´moqme kur n´Strellc i kemi pas tetë mulli, e tash janë mbet vec dy. Dhjetëra katunde prej Peje n´Gjakovë ktu e binë drithin me e blu. Se unë para se me shku n´Gjermani, ku o konë një mulli jom shku e kam punu për një kafshatë bukë“, rrëfen mullixhiu i vjetër, duke shprushur zjarrin në stufë, oxhaku i së cilës nuk ndalet në asnjë stinë.
Vizitorët që frekuentojnë mullirin, ai i mirëpret me pula, vezë të freskëta dhe bukë misernike, të cilat i shtron në tavolinën e drunjtë. Për netët me vapë vere ai ka ndërtuar shtratin në mes të lisave, ndërsa problemin e energjisë elektrike e zgjidh sipas mënyrë së tij. „Ajo tavolinë me karrika tanaheret kur asht dita e mirë me u hungj, vinë këtu do si kanë qejf me e pa këtë vend. Atë shtrat e kam mbaru me fjet verës. Edhe pulat i kam këtu, për mysafirë krejt, këtë e kam qel n´daq me e dit për sport temin“.
Në dallim nga „Gastarbeiter“-ët e shumtë, të cilët punuan dhe mbeten në Gjermani duke tërhequr pas vetes edhe familjet e tyre, lidhja e gjeneratës së dytë me shtetin gjerman dhe këputja e lidhjeve me Kosovën në rastin e Regjë Hajrizit nuk ishte një alternativë. Bashkëshorten dhe katër djemtë e tij. ai nuk i mori as për vizitë. Plaku 76 vjeçar, megjithese kaloi një jetë në gjirin e një metropoli, thotë se lumturinë e vërtet e gjeti veç në grykën e fshatit të tij.
Autor: Ajete Beqiraj
Redaktoi: Lindita Arapi