Nga orakël dashurie në biznes fitimprurës
14 Shkurt 2012
Që nga fundi i viteve 1950-të 14 shkurti festohet në Gjermani si dita e të dashuruave. Ushtarët amerikanë së bashku me çamçakëzët dhe rock'n' roll-in futën në Gjermani edhe shën Valentinin. Në sajë të reklamave masive nga floristët dhe industria e ëmbëlsirave kulti i harruar i dashurisë dhe pjellorisë u kthye në një festë popullore në vendin e mrekullisë ekonomike.
Legjenda e shën Valentinit
Dita mban emrin e saj të sotëm nga një peshkop italian. Sipas legjendës Valentini në shekullin e tretë duhet të ketë martuar të dashuruarit. Të porsamartuarve ai u dhuronte lule nga kopshti i tij dhe, kështu thotë gojëdhëna, martesat ishin nën një ogur të mirë. Por Valentini ishte duke vepruar kundër vullnetit të Romës: ushtarët duhet të mbeteshin të pamartuar, dhe besimi i krishterë nuk ishte ende fe shtetërore. Kështu me 14 shkurt 269 atij i prenë kokën - por ky është vetëm versioni i krishterë e kultit arkaik.
Eshtrat e shenjtorit
Sot, bashkësi në Gjermani, Irlandë, Francë dhe Itali, pohojnë se i kanë eshtrat e Shën Valentinit. Nuk është çudi, se në Mesjetë, reliket ishin thesare të lakmuara, që i sillnin kishave turma të mëdha pelegrinësh. Mosmarrëveshja mbi Valentinin e "vërtetë" dëshmon për paqartësitë me materialin burimor. Vetëm një gjë është e qartë: një Shën Valentin nuk ekziston. Legjenda e tij është rezultat i një shkrirje të krishterimit, mitologjisë, dhe zakoneve.
Gjeste të pamoralshme dashurie dhe rituale pjellorie
Nuk është rastësi që dita e Shën Valentinit festohet paralelisht me festën romake "Lupercalia". Kjo ditë festohej si dita e pjellorisë dhe e krijimit: një festë sensuale në nder të perëndeshës Juno, patrone e martesës. Orakujt e dashurisë jepnin këshilla për zgjedhjen e partnerit, gjë që për etërit e kishës ishte halë në sy. Por kulti ishte aq i popullarizuar, saqë u vendos të integrohej në krishterim. Që atëherë, Shën Valentini konsiderohet si shenjt mbrojtës i të dashuruarve dhe rrënjët e para-krishtera ndjehen ende.
Vende të ndryshme, zakone të ndryshme
Ashtu si vajzat romake shënonin emrat e tyre në rripa papirusi, të cilat djemtë duhet t'i zgjidhnin në short, edhe sot në Angli dhe SHBA dërgohen karta anonime postare. Dita e dashurisë u bë dita e miqësisë, gjë që rriti mundësitë e tregut: vetëm në SHBA, dërgohen çdo vit më shumë se një miliardë kartolina urimi. Ndërsa burrat gjermanë dërgojnë trëndafila shumë të shtrenjtë, në Japoni janë gratë ato, që joshin burrat e tyre me çokollatë të ëmbël. Një muaj më vonë, zonjave u kthehet çokollata në "White Day". Një zakon, që ka filluar të përhapet edhe në Kinë dhe që i sjell industrisë së embëlsirave një qarkullim fitimprurës.
Dashuri e përjetshme në zinxhirë
Në Gjermani është bërë popullore prej disa vitesh një traditë nga Italia. Çiftet takohen në ura dhe vendosin në harqet dhe parmakët e tyre dryna me inicialet, datat, apo edhe fotografi. Pastaj çelësi i drynit hidhet në ujë dhe të dashuruarit thonë një dëshirë. Dryni si simbol i dashurisë së përjetshme bëhet gjithnjë e më i përhapur. Etnologët kanë dokumentuar tashmë këtë praktikë edhe në Europën Lindore: Në Riga, Vilnius dhe Kaliningrad fiksohen dryna pas martesës. Edhe në Kinë, çiftet e porsadashuruara vendosin dryna dhe çelësin e hedhin në lugina të thella.
Turizmi global dhe mitet e reja
Në Kinë shoqëruesit e turistëve tregojnë se ky është zakon i vjetër. Por për ekspertët shfaqja e drynave të dashurisë daton në fund të shekullit të 20-të. Çiftet e reja kineze e morën këtë zakon nga turistët evropianë. Kisha gjithashtu dëshiron të përdorë popullaritetin global të kultit të dashurisë. Pasi Shën Valentini në vitin 1972 u fshi nga kalendari, sot ai fton çiftet e martuara dhe të fejuara për të forcuar dashurinë e tyre përmes bekimit të Zotit në ditën e Shën Valentinit.
Autor: Gerd Mörsch/ Angjelina Verbica
Redaktoi: Esat Ahmeti