1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nga sot, euro valuta e vetme për përdorim në Kosovë

1 Shkurt 2024

BE shprehet e shqetësuar, se hyrja në fuqi e rregullores së BQK-së, mund të ketë pasoja në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës. Qeveria e Kosovës nga ana e saj premton një tranzicion të lehtësuar.

Kartëmonedha në euro
Fotografi: Burkhard Schubert/Future Image/IMAGO

Kosovë më 1 Shkurt  hyri në fuqi zbatimi i rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila e përcakton euron si valutën  e vetme për përdorim në Kosovë. Ky vendim ka rritur prej disa ditësh shqetësimin e komunitetit ndërkombëtar për pamundësimin e përdorimit të dinarit serb. Bashkimi Evropian reagoi përmes një deklarate, ku tha se nuk ka pasur konsultime paraprake dhe pamundësimi i përdorimit të dinarit serb "mund të ketë pasoja në jetën e përditshme tëserbëve në Kosovë, veçmas për ndikimin që mund të ketë në spitale dhe shkolla, duke pasur parasysh mungesën e alternativave në këtë moment”.

BE kërkon një fazë të gjatë tranzicioni

"Bashkimi Evropian merr parasysh rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila pritet të hyjë në fuqi sot. Rregullorja synon të rrisë transparencën e flukseve financiare, të sigurojë stabilitetin financiar dhe të luftojë pastrimin dhe falsifikimin e parave. BE-ja vëren se rregullorja do të ndikojë edhe në mbështetjen financiare që serbët e Kosovës marrin nga Serbia”, thuhet në reagimin e BE-së. Ndërkohë BE i ka bërë thirrje thirrje Kosovës "që të ofrojë një periudhë të gjatë tranzicioni dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar” nga BE. "Periudha e shkurtër kohore e tranzicionit për zbatimin e rregullores, së bashku me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikon që të ndërlikojë seriozisht jetën e tyre”, thuhet në reagimin e BE-së.

Fotografi: Bekim Shehu/DW

Kosova premton të lehtësojë tranzicionin

Autoritetet e Kosovës nga ana e tyre nuk heqin dorë nga nisja e zbatimit të rregullores së BQK-së, por thanë se "zbatimi i rregullores për operacione me para të gatshme do të bëhet përmes një tranzicioni të lehtësuar”. "Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që periudha eventuale tranzitore të sigurojë që qytetarët të adaptohen sa më shpejt, sa më lehtë dhe pa dëmtime. Mekanizmat e qeverisë që kanë për obligim zbatimin e kësaj rregullore do të përqendrohen në plotni që në këtë fazë transitore të investojnë më shumë në informim dhe edukim të bizneseve dhe qytetarëve dhe jo në masa ndëshkuese”, tha zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Edhe guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, nga ana e tij, thotë se "institucioni që ai drejton është i gatshëm për bashkëpunim”. "Ne jemi të gatshëm si Bankë Qendrore që të ndihmojmë nëse kërkohet në aspektin teknik edhe në aranzhime të tjera të nevojshme me Bankën Qendrore të Serbisë. Pra ne si Banka Qendrore mund të shohim mundësitë se si të lehtësojmë këtë proces, sepse në fund të ditës këta janë qytetarë të Kosovës që nuk do të duhej jeta e tyre të ndikohej prej rregullimit të sistemit financiar të vendit, do të duhej vetëm të përmirësohej jeta e tyre”, tha Ismaili. 

Mitrovica e ndarëFotografi: AFP

Rregullorja e Bankës Qendore që lejon pagesat me para të gatshme në Kosovë të bëhen vetëm me euro ka nxitur shqetësimin e Beogradit dhe përfaqësuesve politikë të serbëve në Kosovë, të cilët thonë se "ky vendim rrezikon mbijetesën e komunitetit serb”. Me valutën dinar pagën e kanë marrë punonjësit në institucioneve paralele serbe në Kosovë, por me dinarë janë paguar edhe pensionet, sipas sistemit serb si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale. Po ashtu në zonat ku banojnë serbët dinari është përdorur edhe në objektet tregtare. 

 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë