271011 EZB Trichet Draghi
28 Tetor 2011
Ndarjen e tij zyrtare Jean-Claude Trichet e bëri që në mes të muajit- i rrethuar nga bankierë, shefa qeverish, nga elita financiare. Madje edhe Christine Lagarde, ndërkohë shefe e Fondit Monetar Ndërkombëtar nderoi me praninë e saj në ceremoninë festive në Operën e vjetër të Frankfurtit. Trichet është Presidenti i parë i Bankës Qendrore Evropiane, i cili plotëson të gjithë kohën e përcaktuar për postin, tetë vjet.
Kritikat ndaj BQE
Dhe Triche-ja tregon se si në katër vitet e para ndieu presionin e tri qeverive të mëdha: "Ne kemi luftuar fort që ta ruajmë mbikqyrjen financiare në eurozonë, në një kohë kur tri vendet e mëdha të Euros donin ta dobësonin paktin e Stabilitetit dhe të rritjes së Euros."
Por pastaj erdhën fillimisht kriza financiare dhe pas saj kriza aktuele e borxheve. "Që prej gushtit 2007 ne përjetojmë një krizë të llojit të ri. Një fenomen i përbotshëm, i cili nuk ka ndodhur që prej Luftës së Dytë Botërore. Për herë të parë që prej 66 vjetësh, epiqendra e një krize globale është sistemi financiar i shteteve të zhvilluara."
Meritat e Trichesë
Kjo krizë e karakterizoi deri në fund periudhën në post të Trichesë. Meritat e tij për stabilitetin e monedhës së përbashkët në këtë mënyrë sikur janë harruar disi. Por vlera stabile e parasë është e rëndësishme para së gjithash për bashkëqytetarët më të varfër dhe më të dobët, kjo është bindja bazë e Trichesë.
Këtë qëndrim bazë thellësisht evropian dhe meritën e tij për politikën financiare shumica e ekspertëve i vlerësojnë pa kufizim. Por me vendimin e BQE, që të blente fillimisht huatë shtetërore të Greqisë, por ndërkohë edhe ato të vendeve të tjera në krizë të Evropës, shumë kritikë para së gjithash në Gjermani nuk janë dakord. BQE lejoi që ta instrumentalizojnë, humbi pavarësinë e saj, thonë ata. Këto blerje si proces nuk kaluan gjithmonë në mënyrë optimale, mendon edhe Michael Heise, kryeekonom i koncernit Allianz: "Ato parimisht nuk duhen përjashtuar, sepse në fund BQE është vija më efektive mbrojtëse, që kemi për të luftuar krizën, dhe që kriza të lejohet të veprojë pa pengesë nuk do të ishte strategji e pranueshme politike, dhe ajo do ta godiste Gjermaninë me gjithë vrullin e saj."
Pasardhës: Thjesht një italian?
Nevojën që Banka Qendrore të jetë e fortë e njeh edhe pasardhësi i Trichesë, presidenti i Bankës Qendrore Italiane, Mario Draghi. Që prej së hënës atij i duhet të dëshmojë se e meriton emrin "super Mario", me të cilin e thërrasin. Mario Draghi: "Miqtë thonë për mua se unë nuk stepem para detyrave të pamundura".
Por pikërisht sepse është italian atij i duhet të vërtetojë se stabilitetin e euros e merr seriozisht njësoj si Trichet-ja. Për këtë Jörg Krämer, kryeekonomist i Commerzbank-ës ka dyshimet e tij: "Në fazën e kandidimit, Draghi sigurisht që deshi të theksojë profilin si luftues i inflacionit, për të kundërshtuar supozimin e shumë vetëve, se si italian që është i merr gjërat më lehtë."
Megjithatë, edhe ai besohet se do të përpiqet që të mos e bëjë blerjen e huave shtetërore një instrument të vazhdueshëm të BQE, mendon kryeekonomi i Allianz-ës, Heise: "Edhe Draghi do të përpiqet që ta reduktojë vëllimin e këtyre blerjeve, për të mos u konfontuar me kritikën se si president italian i BQ është ai që po i përforcon këto programe. Ai do të përpiqet që t'i aplikojë më pak këto programe dhe do të bëjë presion tek qeveria e tij, por edhe në Bruksel që reformat të përshpejtohen."
Autor: Brigitte Scholtes/ Auron Dodi
Redaktoi: Lindita Arapi