1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

ETA Spanien

21 Tetor 2011

Organizata terroriste ETA ka njoftuar se do t'i japë fundit luftës së saj të armatosur, rreth 40 vjeçare. Në një mesazh video, tre anëtarë të maskuar të organizatës terroriste deklaruan përfundimin e luftës.

ETA shpall fundin e luftës së armatosur
ETA shpall fundin e luftës së armatosurFotografi: dapd

Deklarata nuk vjen e papritur. Një numër i madh aksionesh të suksesshme të policisë e kanë dobësuar shumë ushtarakisht ETA-n. Në shoqërinë baske mbështetja për të është në rënie të vazhdueshme. Forcat separatiste kërkojnë negociata politike dhe që disa muaj më parë i kishin bërë thirrje ETA-s të heqë dorë përgjithnjë nga dhuna. Një konferencë për paqe pa pjesëmarrjen e qeverisë spanjolle (të martën, 18.10.) u bëri të mundur terroristëve të shpallin fundin e luftës së armatosur, pa humbur fytyrën përpara mbështetësve të tyre.

A është deklarata e ETA-s vërtet "historike"?

Nga takimi në San SebastianFotografi: dapd

Mesazhi video i ETA-s është një lajm i mirë, për këtë janë dakord thuajse të gjithë në Spanjë. Palët ndahen megjithatë në vlerësimin e këtij momenti: a është deklarata e ETA-s vërtet "historike", apo vetëm pika kulmore e një farse, e cila ishte pregatitur kohë më parë? Me aktorë të njohur në rolet dytësore: ish sekretari i përgjithshëm i OKB-së Kofie Annan, ish kryetari i Sinn Fein-it, Gerry Adams, ish kryeministrja norvegjeze, Gro Harlem Bruntland. Ata ishin të pranishëm, kur në fillim të javës u mbajt një konferencë ndërkombëtare për paqe në San Sebastian, e paautorizuar nga qeveria spanjolle. Rezultati: një plan me pesë pika, i cili u prezantua nga ish kryeministri irlandez, Bertie Ahearn: "Ne i bëjmë thirrje ETA-s të deklarojë publikisht fundin definitiv të të gjitha aksioneve ushtarake dhe t'u kërkojë qeverive në Spanjë dhe Francë bisedime për pasojat e konfliktit."

Deklarata nuk ishte hartuar gjatë konferencës, por ishte formuluar më parë, kjo ishte përshtypja e vëzhguesve në San Sebastian. Si qeveria spanjolle ashtu edhe partitë opozitare më të rëndësishme deklaruan se plani pesëpikësh i të vetëshpallurve ndërmjetës ndërkombëtarë nuk është i pranueshëm. Ai parashikon lëshime politike për ETA-n dhe kjo nuk është e pranueshme. ETA duhet të dorëzojë armët dhe të shpërbëhet. Megjithatë pritej që ETA të shpallte fundin e luftës së armatosur. Ajo e bëri këtë dhe iu përmbajt thuajse fjalë për fjalë planit nga San Sebastian: "ETA ka vendosur t'i japë fund përgjithnjë aktivitetit të saj të armatosur. Ajo i bën thirrje qeverive të Spanjës dhe Francës për fillimin e bisedimeve direkte."

Kryeministri i Spanjës, Jose Luis Rodriguez ZapateroFotografi: dapd

Kryeministri Zapatero doli para shtypit një orë pas publikimit të videos së ETA-s: "Uniteti i partive demokratike të Spanjës dhe vendit të baskëve ishte vendimtar për arritjen e këtij rezultati."

Qeveria dhe opozita festojnë publikisht fitoren ndaj terrorit

Nuk janë bërë lëshime politike, theksojnë ato njëzëri. Në të njëjtën kohë ETA, falë konferencës së San Sebastianit, ruajti fytyrën para atyre pak përkrahësve, që i kanë mbetur. Të paktën mund ta besojë këtë vetë. Ushtarakisht ETA prej muajsh ishte e mundur, prej shumë vitesh policia franceze dhe spanjolle ka arrestuar vazhdimisht anëtarë të lartë të saj, në disa raste me ritme javore:"Kjo është ora për të shprehur falenderime për gjykatësit dhe prokurorët dhe për të gjitha vendet, që na kanë mbështetur në luftën kundër terrorit. Në radhë të parë Francën dhe presidentin e saj Nicholas Sarkozy."

ETA e dobësuar edhe politikisht

Gjatë mandatit të ish ministrit të Brendshëm Rubalcaba u kryen arrestimet dhe gjetjet e armëve më spektakulare. Por fundi i ETA-s nuk kishte ardhur vetëm në aspektin ushtarak: edhe politikisht terroristët kohët e fundit ishin plotësisht të izoluar. Aktet e tyre terroriste u dhanë qeverive të ndryshme në Madrid argumentet për të ndaluar partitë ekstremiste dhe separatiste në vendin e baskëve: para disa vitesh partinë Batasuna dhe vetëm pak kohë më parë partinë Sortu. E majta socialisto-nacionaliste prej muajsh ushtronte trysni ndaj ETA-s për t'u dorëzuar, por armëpushimi i shpallur nuk mjaftonte për të siguruar hapësirën e nevojshme të veprimit, për ndjekjen e rrugës politike drejt objektivit për pavarësinë e vendit të baskëve. Për këtë arsye e majta nga njëra anë ushtronte trysni ndaj ETA-s dhe nga ana tjetër organizoi pjesën teatrale me konferencën e paqes në San Sebastian, për t'u ofruar terroristëve një lloj ure të artë, të cilën qeveria spanjolle nuk kishte mundësi ta bënte.

Fotografi: dapd

Pra tani të gjithë mund të jenë të kënaqur me deklaratën historike, pothuajse të gjithë! Shoqatat e viktimave druajnë se tani, që të gjithë ruajtën fytytën, terroristëve do t'u bëhen në fund lëshime, në mënyrë që t'i dorëzojnë vërtet armët. Pas fundit të diktaturës Spanja ankoroi madje në kushtetutë një amnisti për krimet me motive politike gjatë kohës së Frankos.

Autor: Reinhard Spiegelhauer/Eliana Xhani

Redaktoi: Angjelina Verbica